Skandali, Shqipëria përmbytet, matrapazët e energjisë pasurohen

571
Sigal

2,3 milionë euro humbje në buxhet, nga diferenca në çmim mes 2 tenderëve të energjisë nga KESH dhe OSHEE

Ndërsa Shqipëria e Jugut është përmbytur dhe qindra mijëra familje shqiptare gjenden jashtë shtëpive të tyre, me dëme të pallogaritshme në pasuritë e tyre, një humbje e një tjetër lloji është përllogaritur në dokumente tenderësh, duke bërë që humbjes së shqiptarëve t’i llogariten edhe 2,3 milionë euro, përpos humbjeve nga kjo përmbytje.

Reshjet e dendura, përveçse kanë sjellë dëme të jashtëzakonshme në Jug, kanë përmirësuar situatën hidrike në digat e hidrocentraleve të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, duke rritur mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë elektrike. Porse taksapaguesit shqiptarë, jo vetëm që nuk përfitojnë, por kanë dalë të humbur nga rritja e prodhimit në hidrocentrale. Ndërsa janë pasuruar brenda javës me 2,3 milionë euro tregtarët e energjisë, matrapazët dhe të preferuarit e ministrave dhe njerëzve të veshur me pushtet.

Kështu, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e cila menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën pronësi publike, ka vendosur që energjinë e tepërt ta shesë me tender.

Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH, nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet të blejë energji, gjithashtu me tender.

Problemi është se në tenderat e fundit, të zhvilluara nga dy kompanitë publike, sipas BIRN, kanë marrë pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël në çmim.

 Tenderët e enrgjisë

Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt, sipas dokumenteve që BIRN zotëron, KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive, kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k.. Çmimi i shitjes së energjisë për MËh ka variuar nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.

Pak ditë para se KESH të shiste, për të njëjtën periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh, nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro.

Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë 57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se çmimi i eksportit të KESH sh.a..

 2 institucione shtetërore sillen si të huaja me njëra-tjetrën, shqiptarët humbin miliona euro

Pyetja që shtrojnë shumë ekspertë në këtë situatë është se pse KESH, nën pronësi publike, nuk ia ka shitur energjinë e prodhuar tepër drejtpërsëdrejti OSHEE-së, e cila është gjithashtu nën pronësi publike, duke i kursyer konsumatorëve miliona euro.

 Në qoftë se KESH sh.a do ja kishte shitur energjinë direkt OSHEE-së me çmimin e eksportit prej 38.47 euro, për sasinë 127,620 MWh, kjo e fundit do kishte kursyer 2.3 milionë euro, të cilat me një të rënë lapsi kanë shkuar në xhepat e tregtarëve të energjisë.

Sipas kuadrit rregullator të tregut të energjisë OSHEE-ja është përgjegjëse për blerjen e energjisë elektrike për të mbuluar të gjitha humbjet në sistemin e shpërndarjes.

Në mungesë të energjisë së mjaftueshme në vend, zakonisht OSHEE e siguron këtë energji duke importuar 10 deri në 15 milionë euro nga tregu i importit.

Por, megjithatë OSHEE ka mundësinë që të importojë një sasi më të vogël se humbjet dhe ta sigurojë këtë energji nga KESH sh.a, duke e blerë me çmim tregu.

Sipas ekspertëve të konsultuar nga BIRN, në bazë të kontratës OSHEE – KESH dhe vendimit 40, datë 16.04.2013 të ERE-s, në rastin kur OSHEE nuk mbulon dot humbjet nga importi, sasia e energjisë që merret nga KESH për mbulimin e këtyre humbjeve paguhet nga ana e OSHEE-së me vlerën monetare që i përket atij muaji, kur kjo energji është lëvruar. Për muajt prill, maj, qershor 2013, OSHEE, sipas BIRN, mori të gjithë sasinë për mbulimin e humbjeve nga KESH, pasi në atë kohë KESH, kishte prurje te mëdha dhe mund të furnizonte OSHEE për klientët tariforë dhe mbulimin e humbjeve me çmime shumë të favorshme eksporti. Mbetet e paqartë pse qeveria, e cila ka nën pronësi të dyja kompanitë, nuk e ka shfrytëzuar këtë opsion edhe tani.