Skandali/Qeveria harron dëshmorët për “29 Nëntorin”. Nuk jep fonde për riparim varrezash, por për kokteje

521
Sigal

Reagojnë Sul Domi, Dalan Buxheli dhe Zyhdi Kroj: Qeveria tallet me dëshmorët, një milion për varrezat, 93 për pritje-përcjellje. Kolaboracionistët i ka damkosur historia

 Tallje, fyerje e mos vlerësim shtetëror e kanë cilësuar përfaqësuesit e veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe atyre të ushtarakëve vendimin e qeverisë për festimin e Ditës së Çlirimit më 29 nëntor, ku nga 94 milionë lekë gjithsej, për riparimin e varrezave të dëshmorëve ka akorduar vetëm një milion. “Është qesharake, mosvlerësim dhe fyerje, jo vetëm për ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesit, ata që u gjymtuan në këtë luftë, familjet e tyre, por dhe më gjerë. Partizanët, dëshmorët, heronjtë e kësaj lufte e renditën Shqipërinë në përfundim të saj në krahun e fitimtarëve. Të përdorësh vetëm qindarkat nga gati 1 miliard lekë, është absurditet. Varrezat e dëshmorëve, lapidarët, janë në ditë të hallit…”,- pohuan ata për “Telegraf”. Njëkohësisht revolta e tyre është dhe ndaj qëndrimit të pinjollëve të ish-kolaboracionistëve, që fondin e qeverisë për festimet e 29 Nëntorit e kanë quajtur oologjik, pasi sipas tyre “29 Nëntori është jo festë, por turp kombëtar”…  Sul Domi, ish-partizan e drejtues i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës,  Dalan Buxheli, veteran dhe Zyhdi Kroj, President Nderi i Ushtarakëve në Lirim e Rezervë, iu përgjigjën këtyre dy pyetjeve:

1-Si e vlerësoni faktin që nga 94 milionë lekë që akordoi qeveria për festimet e 29 Nëntorit, 70-vjetorit të çlirimit, për riparimin e varrezave dha 1 milion, ndërsa të tjerat do përdoren për koncerte, pritje-përcjelle, ndriçim në Kryeministri etj.?

2-Pinjollë të cilësuar si ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve, lidhur me festimet e 70- vjetorit të çlirimit janë shprehur se: “Është jo normale, pasi 29 Nëntori është ditë turpi e jo feste”. Cili është mendimi juaj?

SUL DOMI (KOMITETI I VETERANËVE TË LUFTËS)

1-U njoha në media me këtë vendim të qeverisë për festimin e 29 Nëntorit, 70- vjetorit të çlirimit të vendit. Aty pashë dhe paratë që ishin dhënë për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë. Është gjë shumë e mirë që janë dhënë 94 milionë lekë të reja për këtë festë të rëndësishme se e meriton, por nuk jam dakord me shumën që është dhënë për riparimin e varrezave. Për mua nuk është e drejtë. Varrezat janë në ditë të hallit, janë shkatërruar pasi në ‘to nuk është vënë dorë në dekada. Kjo shumë është qesharake. Pra kjo ndarje nuk është e drejtë e me këto para, nuk bëhet gjë në gjendjen që janë varret e dëshmorëve dhe heronjve. Jo vetëm në Tiranë, por pothuaj në gjithë qytetet e vendit, situata është pothuaj e njëjtë. Kështu, situata është keq në Mat, në Dibër, në Gjirokastër  etj… Ne si veteranë e kemi parë situatën nga afër dhe kemi kërkuar ndihmë nga qeveria. Por deri tani nuk është hyrë. Kështu, jo vetëm për varrezat, por dhe për lapidarët, muzetë e luftës dhe simbole të tjera të saj. Më mirë të shkurtohen pritje-përcjelljet pasi  nuk janë dhënë pak para e të përdoren fondet për rregullimin e simboleve. Ndonëse është vonë, kjo mund dhe të shikohet.

2-Bashkëpunëtorët e pushtuesve e kanë gjetur pozicionin e tyre në luftë, atëherë, kur ne vriteshim apo merrnim plagë në luftë, ata u vunë në shërbim të fashistëve e nazistëve. I damkosi historia ata dhe pinjollët e tyre nuk mund të përmbysin historinë, apo të hedhin sado pak baltë mbi 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit dhe mbi heronjtë, dëshmorët e partizanët që sollën lirinë dhe e renditën Shqipërinë në kampin e fituesve. Minimalisht, sot këta pinjollë të heshtin..

DALAN BUXHELI (VETERAN)  

1-Për mua, kjo, ndarja e fondeve kështu, është një shkujdesje e pa motivuar e qeverisë. Nuk kanë vlerë milionat për salltanete do i quaja, kur dëshmorët e heronjtë janë në varre të shkatërruara, po u dalin kockat mbi dhe. Është fyerje për ‘to kjo situatë. Ne e kemi ndjekur me përparësi këtë gjendje dhe në bashkëpunim me specialistët përkatës, kemi realizuar dhe dy projekte për riparimin e varrezave të dëshmorëve të luftës dhe simboleve të saj. Kemi hartuar dy projekte dhe i kemi dërguar shumë kohë përpara në qeveri. Njëri projekt, ku pllakat parashikohen me mermer, ka një kosto 46 mln lekë, ndërsa tjetri, ku mendohet të përdoret granit, ka një kosto 68 milionë lekë. Por asnjë përgjigje nuk kemi marrë si veteranë, pa le më të jepet ‘ok’ për materializimin e njërit prej tyre. Ka dekada që për riparimin e simboleve të luftës nuk po vihet dorë. Dhe sot në këtë 70 -vjetor, duhet të bëhej diçka… Ç’na duhen koktejet apo dhe salltanetet e mëdha të pritje-përcjelljeve, kur simbolet e luftës për liri janë rrënuar, janë në mëshirë të fatit.

2-Për pinjollët e ish-tradhtarëve, nuk kam se çfarë të them, përgjigjen atyre ua ka dhënë historia, ua ka dhënë vetë lufta. Ata, pra pinjollët, me ish-pushtetarë apo dhe pushtetarë të sotëm, gjetën ‘shesh e bënë përshesh’, mundën dhe të sigurojnë miliona të taksapaguesve e të ngrenë dhe përmendore për tradhtarët.  Kolaboracionistët i ka dënuar Europa, e këta tanët sot, duhet të mbyllin gojën, veçanërisht, kur festohet 29 Nëntori, Dita e Çlirimit, dita e atyre që dhanë jetën në lule të rinisë për lirinë.

ZYHDI KROJ (PRESIDENT NDERI I USHTARAKËVE)

1-Këta gjëra, nuk bëhen kështu, pra kjo ndarje nuk është e drejtë. E para, duhet përligjur çdo gjë me projekt. Kush e bëri projektin? Çfarë do bëhet me ‘të”. Po çfarë mund të bësh me një milion lekë, kur varrezat janë të shkatërruara. Cili vend i botës, nga ata të kampit të fitimtarëve, i ka lënë simbolet kushti!? Asnjë, veç Shqipëria. U gjetën miliona për sheshin “Nënë Tereza” e mirë u bë që investohet. Po për simbolet e luftës, për nderimin  respektin e të rënëve pse nuk gjenden? Nuk është se nuk ka burime, por ka neglizhencë, nënvleftësim…. Respekti për luftën, të rënët, simbolet, mbetet i palëkundur. Atë nuk mund ta cenoj askush, pasi e ka vlerësuar dhe do e vlerësoj më tej historia e cili i renditi me fitimtarët.

2- Për sa u përket pinjollëve që belbëzojnë se 29 Nëntori është ditë turpi…’, unë u them mos ua vini re se kanë lajthitur. Dhe ata vetë e dinë këtë, por ashtu ua do ‘mushka drutë’…. Nuk diskutohet më, lufta nacionalçlirimtarë, partizanët, heronjtë e dëshmorët janë fitimtarët, ndërsa ata që u bashkuan me pushtuesin, ishin e mbeten tradhtarët. Për qeverinë e sotme, në këtë aspekt, unë kam shumë vërejtje. Së pari, ajo duhet tua kthej sa më shpejt 2700 vetëve, pasardhës të dëshmorëve vlerësimin financiar që ua hoqi padrejtësisht. Sot, po shpërblehen dhe të burgosur ordinerë, e jo ata që bënë luftën.

Besnik KUJTIMI