Skandali, policët pasi lënë punën kthehen në taksixhinj pa licencë

499
Sigal

Për konkurrencën e pandershme është njoftuar dhe ministri Saimir Tahiri, por asnjë ndërhyrje nuk ka

Policët taksixhinj jo vetëm punojnë pa licencë, duke vënë në vështirësi ata që paguajnë taksat shtetit për këtë shërbim, por mund të lëvizin lirisht dhe nëpër akse e vende të ndaluara në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, pasi kolegët që janë në shërbim nuk i ‘shohin’. Është një fenomen tepër shqetësuar për të cilin taksixhinjtë e licencuar e kanë ngritur me kohë, por vartësit e ministrit Tahiri që drejtojnë Qarkullimin si dhe Tatimorët nuk ndërhyjnë. Ndërkohë, shumë efektiva të Policisë Rrugore, në vend që të zbatojnë rregulloren e të sigurojnë normalitet në qarkullim, janë kthyer gjahtarë të automjeteve, kryesisht të rretheve, për të gjobitur me dhe pa shkak e për të realizuar planin e gjobave.

SITUATA

Kushdo që banon apo kalon disa herë nga “Komuna e Parisit” në kryeqytet, do të ndeshet me disa efektivë policie që me të lënë turnin, shpesh dhe me gjysmë uniforme (kapelën e vendosin në një vend të dukshëm të automjetit), që joshin klientët. Ato parkojnë dhe në vende të ndaluara, pasi kolegët që janë me shërbim, nuk i pengojnë. “Ka shumë shkaqe që ne po shkojmë drejt falimentimit, e me këto taksa të larta që i japim shtetit, edhe pse rrimë natë e ditë në pritje, nuk po sigurojmë bukën e gojës. Por na ka gjetur belaja me disa policë që me të lënë punën, fillojnë punën e taksixhiut me mjetet e tyre. Ku nuk e kemi çuar shqetësimin tonë, në bashki e në Ministrinë e Brendshme, ka reaguar dhe sindikata e taksistëve, por policët taksixhinj vazhdojnë punën. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Ata ndalojnë dhe në mes të rrugës, ndërsa kur afrohemi ne, kolegët e tyre që janë me shërbim na vendosin gjoba. Bile, këtu si taksixhinj jashtë punës dalin dhe nja dy shikas”,- shton një nga taksixhinjtë me licencë.

KOMPROMETIMI I RRUGORËVE

Shoferët taksixhinj të palicencuar, si dhe policët që punojnë taksi me mjetet e tyre private, vazhdojnë aktivitetin  antiligjor pa u shqetësuar nga policët në shërbim. Minimalisht, në mos komprometimin e një pjese të efektivave të Rrugorëve e drejtuesve të tyre deri në ministri, ata janë të paaftë. Ndërkohë, nuk harrojnë që të realizojnë ‘planin e gjobave’ duke u kthyer gjahtarë vend e pa vend, kryesisht ndaj automjeteve të rretheve. Ndërkohë, ata nuk guxojnë(ose janë të kompromentuar) të ndalojnë mjete me targa false, makina të grabitura apo me xhama të zinj që nuk janë të pakta në akset rrugore të vendit. E njëjta situatë është pothuaj në gjithë rrethet e vendit. Bie fjala, nuk mund t’u kërkosh vendosje rregulli në qarkullim apo konkurrencë të ndershme policëve, Ilir Lika në Fushë -Krujë e Fatos Allamani në Krahës të Tepelenës që rreken të vendosin gjoba me dhe pa shkak e jo të përmbushin detyrën për të cilën paguhen. Në redaksinë e gazetës “Telegraf” kanë ardhur shumë shqetësime nga shoferë të licencuar apo të tjerë drejtues mjetesh që pretendojnë gjobitjen pa shkak të Rrugorëve, informacione, të cila do të publikohen dhe në ditët në vazhdim.

 Gerjola ÇAUSHAJ