Skandali në Bashkinë e Skraparit: S’ka para, mbyllen çerdhet e dhjetëra shërbime

433
Sigal

Një ngjarje e pa precedentë ka ndodhur në Skrapar, ku për shkak të bllokimit të buxhetit çerdhet, konvikti i nxënësve, shërbimi i pastrimit dhe shërbime të tjera janë mbyllur. Këtë gjë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu: “Bashkia Skrapar mbylli disa shërbime, si çerdhe, konviktin e nxënësve apo, aq më keq edhe Qendrën e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, Shërbimi i Pastrimit, si dhe gjithë shërbimet që kanë lidhje me bllokimin e veprimtarisë financiare në Degën e Thesarit. Qeveria po e sheh gjithnjë e më shumë si armik çdo banor të Skraparit, duke e penguar atë të jetojë qoftë me 1/12 e Buxhetit Faktik të Realizuar në 2018-n siç e parashikon ligji. Në kundërshtim të plotë me çdo ligj, Ministria e Financave mban të bllokuar politikisht 17 000 banorë të Skraparit, duke i lënë ata pa shërbime e duke penguar veprimet financiare të Bashkisë Skrapar. Teatri i dirigjuar nga deputeti i Rilindjes, Adnor Shameti për Bllokimin e Buxhetit, për të shkaktuar sa më shumë varfëri se “ashtu merret më kollaj vota” po lë, pa shërbime njerëzit hallexhinj, mbylli çerdhe, Konviktin e Nxënësve të Qytetit, Qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe, Muzeun, Sporti, Pallatin e Kulturës etj. I bëj thirrje Ministres së Financave të ndalojë një orë e më parë, këtë akt kriminal të bllokimit të buxhetit, të marrë përgjegjësinë e saj ligjore për urdhrat e paprecedentë që dalin nga Ministria e saj për të ndaluar veprimet me Degën e Thesarit ndaj Bashkisë Skrapar.”