Skandali me Universitetet, lufta për të gllabëruar financat dhe kaosi i krijuar nga Rektori Koni

542
Arsimi në kaos. Kujt po i shërben amullia që ka krijuar Rektori Mynyr Koni në Universitetin e Tiranës. Çfarë pritet të shkaktojë mungesa e rregullores së përgjithshme
Polemikat lidhur me vendimin e fundit të ministres teknike, Mirela Karabina që zëvendësoi katër anëtarët e Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, ka lënë shumë të panjohura. Reagimet e shumta të dekanëve dhe anëtarëve të tjerë të bordit, kanë nxjerrë në dritë disa skandale. Duket se në krye të këtyre skandaleve dhe vendimit të Karabinës qëndron rektori Mynyr Koni. Pas çdo veprimi të kryer së fundmi, ka dyshime se fshihen interesa të larta financiare. Madje duket qartë se Rektori Koni dhe ish-ministrja teknika Mirela Karabina, kanë punuar për të hedhur baltë mbi ligjin e arsimit të miratuar nga qeveria Rama dhe mbi punën e bërë deri në këto momente nga kjo qeveri për të futur në shina arsimin e lartë. Por nga të gjitha të dhënat e deritanishme rezulton se Rektori Koni ka penguar në mënyrë të qëllimshme lëvizjen në Universitete, reformimin e brendshëm të tyre si dhe autonominë. Deri tani ashtu sikundër u pranua edhe nga vetë Rektori Koni, nuk është miratuar Rregullorja e Përgjithshme e Universiteteve. Kjo çon automatikisht në pengimin e punës së çdo dekanati. Më pas vijnë pengesa të tjera. Duket se këto vonesë bëhen qëllimisht për të sjellë një tjetër amulli si ajo e vitit 2016 me regjistrimet e studentëve pas përzgjedhjes së degëve përkatëse. Ka zëra se Rektori i Universitetit të Tiranës është i lidhur me drejtues të Universiteteve private, e duke mos hartuar rregulloren e përgjithshme, ai automatikisht i ka shërbyer këtyre universiteteve. 

Por çfarë tha dje Koni dhe kundërshtarët e tij

“Anëtarët e nominuar nga MAS janë legjitimë në përputhje me ligjin, çdo deklarim tjetër është dezinformim, nuk i merret mendim bordit, në shkresën e ministres nuk ka argumentim për zëvendësimin” deklaroi Koni. “Akt i paligjshëm për ndërhyrjen në bord, akti është i qartë, nul pasi bordi është i konstituuar” deklaroi Dhori Kule. Rektori Koni flet edhe për një vonesë në miratimin e kritereve për administratorin e ri të këtij Universiteti gjë e cila ka sjellë edhe përplasje me kancelarin Robert Skënderi, i cili, sipas rektorit, ka bllokuar punën administrative. Por Dhori Kule veprimet e Konit i cilëson; abuzive dhe shkelje të rënda. 
“Me 3 gusht pezullova kancelarin e universitetit për mosrealizmin e detyrave dhe bllokimin institucional” -Mynyr Koni.
“Ka nxjerrë një urdhër abuziv rektori që të mos pranohen shkresat e kancelarit, i kemi sugjeruar të kthehet tek sjellja e ligjshme. Duke vepruar me ligjin e vjetër ka bërë shkelje të rënda duke firmosur tenderë”- Dhori Kule. 
Debat brenda Universitetit ndodh pak ditë para shpalljes se kandidateve fitues në universitete. Por sipas dekanit Dhori Kule nuk përjashtohen problemet qe mund të ndodhin edhe këtë vit me pranimet. Kjo, për shkak të mosmiratimit të rregullores nga senati i Universitetit dhe për këtë bën përgjegjës rektorin Koni dhe anëtarë të senatit. Por ky debat për rektorin nuk do të ndikojë në procesin e pranimeve. Në kulmin e debateve dhe akuzave, në Bordin e Universitetit të mjekësisë janë dorëhequr dy prej 3 anëtarëve të emëruar së fundmi nga ministrja teknike përkatësisht; Daniela Nika dhe Hari Mulla. Dy anëtarët dorëzuan dorëheqjen pranë Ministrisë me arsyetimin, se nuk mund të bashkëpunonin me pjesën tjetër të bordit për mbarëvajtjen administrative të Universitetit të Mjekësisë. “Bordi i Administrimit është i përbërë nga 7 anëtarë, përfaqësues të stafit akademik që përzgjidhen nga Senati akademik, përfaqësues me mandat 5-vjeçar, si dhe përfaqësues të ministrisë së linjës, që emërohen nga ministri”, thotë Mynyr Koni, rektor i UT-së.
Pezullimi i Kancelarit të Universitetit të Tiranës nga Koni
Kancelari i Rektoratit të Universitetit të Tiranës, Robert Skënderi është pezulluar nga detyra nga rektori, Prof. Mynyr Koni. Lajmi është bërë i ditur nga vetë rektori, i cili në një dalje për mediat ka deklaruar se, Skënderi u pezullua pasi pengoi procesin e auditimit të këtij institucioni. Në sqarimin e bërë publik, thuhet se, “Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr Mynyr Koni me vendimin Nr. 116 datë 03/08/2017 ka pezulluar nga detyra Kancelarin e Universitetit të Tiranës z. Robert Skënderi. Ky vendim ka ardhur si pasojë e problemeve dhe pengesave gjithnjë e më të rënda të krijuara nga Kancelari i UT-së që kanë çuar në një situatë të paprecedentë në funksionimin e institucionit”. Përveç kësaj, Skënderi ka kryer edhe shkelje të tjera të rënda gjatë kryerjes së detyrës, konkretisht: “Për shkeljen e Nenit 52 pika 1 / gërma ë) të Ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në RSH” dhe Ligjit Nr. 10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” të ndryshuar, duke mospërmbushur nevojat akademike, administrative dhe financiare për plotësimin e kërkesave të Rektorit të UT të parashtruara në rrugë zyrtare. Sipas burimeve, rektori, Prof. Mynyr Koni ka komunikuar edhe personalisht me z. Skënderi, megjithatë, ai ka vendosur që këtë çështje ta dërgojë edhe më tej, ku për të gjitha shkeljet e vërtetuara nga ana e kancelarit, janë bërë kallëzimet penale përkatëse në organin e Prokurorisë së Tiranës. Pas pezullimit të kancelarit ka pasur deklarata të ish-rektorit, Dhori Kule për rektorin aktual, por nuk dihet nëse ky është shkaku i përplasjeve në distancë, sa i përket zëvendësimit të anëtarëve të bordit të administrimit.

Koni në prokurori për disa çështje

Ajo që po ndodh aktualisht me Universitetet duket një skandal i vërtetë. këto skandale fillesat e tyre i kanë më herët. Që prej ardhjes së tij në krye të rektoratit në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni, ka pasur disa përplasje me administratorin ose si njihet ndryshe kancelarin. Ky i fundit tashmë gjendet i pezulluar nga detyra me vendim të Rektorit Mynyr Koni, gjë që u pranua edhe ditën e djeshme. Nja nga skandalet ka të bëjë me moszhvillimin e tenderëve në Universitetin e Tiranës. E duket hapur se këto tenderë që nuk janë zhvilluar kanë sjellë pasoja të rënda, të pranuar edhe nga vet Koni. Ky i fundit bënë përgjegjës për këtë situatë, kancelarin Robert Skënderi. Por me sa duket problemet janë më të thella. Koni tha dje se procedurat e tenderimeve të nisura prej vitit 2016, janë të pambyllura. E, sipas tij e gjitha kjo, për faj të Skënderit. Një gjë nuk kuptohet qartë në këtë situatë, Kancelari dhe Rektori nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin. E duket se e gjitha kjo ka përfunduar në zyrat e prokurorisë për hetime të plota. Ndërkohë Koni ka edhe një tjetër llogari me drejtësinë. Ai ndodhet nën hetim për përdorimin pa leje të automjetit të institucionit të Universitetit të Tiranës. Makina është bllokuar nga policia, ndërsa çështja është nën hetim. Një fakt i tillë pranohet nga vetë Koni, i cili shprehet se ia ka lënë në dorë drejtësisë për të zbardhur të vërtetën. Por duket se edhe në këtë histori, ai ia kalon përgjegjësitë kancelarit. Pra çdo përplasje mes tij dhe kancelarit, ka lidhje direkt me financat. Duket se Koni kërkon të vendosë diktatin në institucion, ndërsa kancelari, tashmë i pezulluar, nuk e pranon këtë fakt. 
Ja çfarë fshihet pas letrës së Karabinës për zëvendësimin e anëtarëve të bordit
Me një letër urgjente drejtuar rektorit të UM, Arben Gjata, më datën 13 korrik, ministrja Karabina urdhëronte fillimisht zëvendësimin e dy anëtarëve të bordit, Ardiana Berberi dhe Linda Pustina me Daniela Nikën dhe Arben Pilacën.
Zëvendësimi i dytë, që duket të jetë përfundimtari, mban datën 9 gusht, kur me një tjetër urdhër kërkohet zëvendësimi i jo 2, por 4 emrave: Adriana Berberi, Zamira Gjini, Migena Drushku dhe Djana Ristani.
Ja kush janë të përzgjedhurit nga Karabina
1. Albana Fico, deri para pak kohe, ish-nëndrejtoreshë e QSUT.
2. Daniela Nika, aktualisht nëndrejtoreshë e QSUT.
3. Hari (Artan) Mullaj – prej disa kohësh drejtor i qendrës së botimeve të teksteve shkollore që varet nga MAS.
4. Andrea Koxhaj
Tre të parët sipas informacioneve të besueshme rezultojnë si rekomandime të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në karrierën e tyre nëpër institucionet shtetërore. Sipas ligjit 80-2015 të Arsimit të Lartë (neni 47, 48,49): Bordi i Administrimit ka gjithsej 7 anëtarë. Ministria e Arsimit ka të drejtë të zgjedhë për UMT 4 anëtarë, kurse Senati zgjedh 3 (këta kanë mandat 5 vjeçar). Ata që zgjidhen nga Ministria e Arsimit nuk u jepet mandate, duke lënë “hapësirë” për ndryshime sipas ministrit. Por më rastin e UMT çfarë ka ndodhur? Deri përpara planit të ministres teknike për këto emërime, kryetare e Bordit ka qenë Adriana Berberi. Sipas informacioneve ministrja Karabina ka kërkuar që ta heqë, por Berberi e ka shmangur këtë, duke kërkuar dorëheqje. Më pas nëpërmjet një shkrese Karabina ka zëvendësuar (emërime të Lindita Nikollës); Adriana Berberin, Migena Dushkun (që kishte zëvendësuar Linda Pustinën -leje lindje), Diana Ristanin dhe Zamira Gjinin. Emërimi i anëtarëve të Bordit sipas ligjit 80-2015 neni 48, është kompetencë e ministrisë së Arsimit, por ka një interpretim të këtij ligji sipas të cilit, anëtarët duhen shkarkuar e më pas emëruar dhe jo zëvendësuar, si është vepruar në këtë rast. Sa i takon propozimeve për anëtarë të Bordit nuk ka asnjë kriter sipas ligjit, të jenë ekspertë të fushave akademike, menaxheriale, ekonomike e juridike. 
Sipas informacioneve nga disa burime; e gjithë “lufta e emërimeve” për UMT është bërë, për emërimin e Administratorit të UMT, i cili sipas ligjit ka shume funksione të rëndësishme për sa i takon financave etj. Ndërkohë pas gjithë kësaj, një nga anëtarët e emëruar nga Karabina ka dhënë dorëheqjen (Hari Mulla ose me emrin tjetër, Artan Mullai).
Çfarë fshihet pas vendimit të ministres Mirela Karabina

Vendimi i Karabinës për të zëvendësuar katër anëtarë të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë është konsideruar abuzues nga disa prej anëtarëve të tjerë të bordit. Sipas tyre, ka dyshime se pas këtij vendimi fshihen interesa të mëdha që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave të Universitetit. Dekanët e disa fakulteteve si dhe tre anëtarët e bordit të administrimit, e kanë konsideruar një puç të pastër, pas të cilit fshihen interesa të qarta financiare. Ka të dhëna se pas gjithë kësaj skene të vënë në zbatim nga Ministrja Mirela Karabina, qëndron rektori Mynyr Koni, i cili gjatë ditës së djeshme e mohoi kategorikisht përfshirjen në këtë vendimmarrje. 
Kundërpërgjigja e katër dekanëve 

Katër dekanë të universitetit të Tiranës; Dekani i Juridikut, ai i shkencave sociale, i gjuhëve të huaja dhe ekonomikut përmes një letre publike e konsiderojnë të paligjshëm vendimin e ministres Karabina për të zëvendësuar kryetarin dhe anëtarët e bordit të administrimit të Këtij Universiteti. Ky qëndrim vjen pas shkresës publike të kryetarit të Bordit të Administrimit të UT Ervin Demo, që e quan tërësisht të paligjshëm dhe cenues të autonomisë universitare veprimin e Karabinës. Dekanët janë shprehur në komentet e tyre se është e patolerueshme të cenohet në këtë mënyrë organi kolegjial bordi i administrimit të universitetit përmes një urdhri jo transparent.
Dekani i fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, profesor Artan Hoxha e konsideron të jashtëligjshme ndërhyrjen e Ministres teknike të Arsimit. Sipas tij, kjo ndërhyrje shkel autonominë e universitetit, pasi ministrja përdor termin ‘zëvendësim’, që nuk është term juridik, ndërkohë që më parë duhej të shkarkonte bazuar në shkelje që 3 anëtarët mund të kishin bërë, e më pas të emëronte 3 emra të rinj. Por duket se ndryshimi i emrave në bord fsheh interesa financiare, pasi është ky bord që shpall kriteret për përzgjedhjen e administratorit të universitetit, i cili kujdeset edhe për financat. Kriteret nuk janë shpallur ende që prej 8 muajsh, kur ky bord është konstituuar, dhe Universiteti i Tiranës ka funksionuar me kancelar. Këtë vendimmarrje dhe këtë urgjencë për të vepruar shpejt e në mënyrë jo transparente, e shoh në vazhdën e tentativave për të ulur reputacionin e UT dhe dobësuar autonominë e tij. Është e patolerueshme dhe e palejueshme që me autonominë e Institucionit më të madh të arsimit të lartë, të luhet nga kushdo qoftë, brenda apo jashtë institucionit. Urdhri i Ministres është jo transparent dhe godet rëndë autonominë e administrimit të Universitetit.
Edmond Rapti, Dekan Shkencat Sociale: “Unë mendoj se ky akt shkel autonominë universitare te funksionimit te organeve kolegjiale qe menaxhojnë jetën akademike dhe financiare te UT. Këto shkelje mendoj se duken ne disa momente. Kështu: Në këto kushte, mendoj se ky veprim i ndërmarrë ndaj BA të UT shpreh hapur cenimin e pavarësisë dhe funksionimit te këtij organi kolegjial ne UT.”
Artur Sula, Dekan Gjuhet e Huaja: “Ministria teknike duhet ta ketë të qartë tagrin dhe kohën në të cilën ajo do të jetë në atë detyrë dhe te kujdeset mos të largohet që aty për faqen e saj të zezë! 
Po ju them hapur të dashur kolegë se do mbetem i patundur në qëndrimin tim të prerë për të mbrojtur UT nga paligjshmëria, dhe nuk do të lejoj e pranoj që askënd të guxojë qoftë edhe vetëm të dëmtojë imazhin e UT e jo më të cenojë jetën dhe zhvillimet dinamike të brendshme të tij nder për mua qe i përkas që nga viti 1991.”
Dhori Kule, Dekan i fakulteti të Ekonomisë: “Bordi është organ kolegjial me vete me kompetenca te qarta, i konstituuar, me kryetar te zgjedhur, dhe, nëse ministrja kishte shkrese për bordin ia dërgonte kryetarit te BA dhe jo rektorit. Në këto kushte, në emer të Ligjit dhe të mbrojtjes së interesave të UT kërkoj që t’i kthehet mbrapsht shkresa ministres teknike duke i kujtuar që të mos guxojë të tallet me autonominë dhe reputacionin e UT pasi nuk do te lejojmë askënd nga jashtë apo brenda UT të cenojë legjitimitetin kushtetues te funksionimit të Institucionit Simbol të Dijes për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë”. Drejtuesit e fakulteteve shprehen se nuk do të lejojnë askënd të cenojë veprimtarinë e organit kolegjial me zëvendësime dhe largime thjeshtë politike. Gjithashtu akademikët i kërkojnë institucioneve më të larta të ndërhyjnë në kohë për të ndaluar këto vendime, sipas tyre, në kundërshtim me ligjin dhe reformën e arsimit të lartë.
Neni 39
Rektori
1. Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
4. Rektori drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij. 
5. Rektori nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë. 
6. Rektori i paraqet senatit planin strategjik të zhvillimit të institucionit.
Neni 47 
Bordi i Administrimit 
Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. 
Neni 48 
Përbërja dhe krijimi i Bordit të Administrimit 
Bordi i Administrimit në institucionet publike të arsimit të lartë përbëhet nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Anëtarët, përfaqësues të IAL-së, përzgjidhen nga Senati Akademik i IAL-së për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, prej listave të propozuara nga institucioni i arsimit të lartë. Në listën e kandidatëve jepen të dhënat e individëve që vetëkandidojnë apo propozohen nga njësitë bazë të institucionit të arsimit të lartë apo institucioneve përkatëse. 
Neni 51
Administratori i institucionit të arsimit të lartë
1. Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i institucionit të arsimit të lartë për çështjet financiare dhe administrative, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
3. Administratori i institucionit publik të arsimit të lartë shkarkohet nga Bordi i Administrimit me 2/3 e votave të anëtarëve të tij.
Neni 52 
Funksionet e administratorit 1. 
Administratori kryen këto funksione: 
a) harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij; 
b) propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre; 
c) ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të institucionit të arsimit të lartë në strukturat e varësisë së tij; ç) zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik me karakter financiar dhe administrativ; 
d) i paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik; 
dh) bashkëpunon me strukturat dhe autoritetet e tjera të institucionit të arsimit të lartë për çështje të administrimit të përditshëm; 
e) emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe njësive bazë pas miratimit të Bordit të Administrimit; 
ë) plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare.
Sigal