Skandali me thesarin, protestë para Bankës:Të largohet Fullani

524
Sigal

TIRANE – Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile pritet të mblidhen sërish sot në mesditë për të kërkuar dorëheqjen e Guvernatoit Ardian Fullani, në një protestë paqësore para zyrave të Bankës së Shqipërisë në sheshin “Avni Rustemi”. Pas skandalit të vjedhjes së mbi 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit dhe fotove të publikuara në media që u bënë dëshmi e luksit të familjes Fullani, dhjetëra qytetarë u mblodhën për herë të parë në protestë, duke paralajmëruar se do të jetë cdo ditë përballë Bankës derisa thirrjet e tyre të finalizohen me dorëheqjen e Guvernatorit. Të organizuar përmes rrjeteve sociale, qytetarët deklaruan se do të protestojnë çdo ditë para Bankës së Shqipërisë derisa Parlamenti të mblidhet dhe të shkarkojë guvernatorin Ajo që ra në sy në këtë protestë është fakti se një pjesë e qytetarëve ishin të njëjtët që u angazhuan edhe në protestat kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Ata u shprehën për mediat se protesta, ashtu si edhe ajo e nëntorit para Kryeministrisë, është qytetare dhe nuk ka asnjë ngjyrim politik. Gjatë protestës së djeshme, qytetarët mbanin pankarta në duar që ndër të tjera shfaqnin fotot e luksit të djalit të guvernatorit, ku duket Eriku 20-vjecar që nuk ka punuar asnjë ditë, duke fshirë djersët me 500 euro, mes makinave luksoze dhe koleksionit të orëve të shtrenjta dhe thërrisnin në kor “hajdut, horr, largohu, turp”.