SKANDALI ME TENDERIN 1 MILION EURO NË UNIVERSITET

55
Ja skandali i 1 milion eurove në Universitetin e Tiranës
Mark Marku / Është bërë një tender para 3 vitesh rreth 1 milion euro dhe nuk janë pak për një universitet por nuk është bërë, as rikonstruksion dhe as gjë tjetër.
Ja kërkesat e 123 pedagogëve 
Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ku bëjnë pjesë 123 pedagogë nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë doli me një deklaratë në përfundim të takimit të Kryeministrit me senatin e rektoratit të Universitetit të Tiranës ku kërkon dorëheqjen e Bordit të Administrimit, ndërsa Ministrisë i kërkohet të shkarkojë anëtarët që janë në varësi të saj. Pas problematikës së fundit kur pedagogëve iu vonuan rrogat më shumë se 10 ditë, Forumi kërkon rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe nisjen e një debati në universitet në lidhje me standardet e mësimdhënies. Gjatë debatit të zhvilluar konkluzionet bazë që dolën kanë të bëjnë me, vonesat e pagave të pedagogëve, edhe pse mjaft problematike dhe shqetësuese për mënyrën sesi u trajtuan profesorati dhe personeli ndihmës i UT-së, nuk është shqetësimi themelor i UT-së; shqetësim themelor i UT-së është bllokimi total institucional i UT-së. Ky bllokim është pasojë e ligjit për arsimin e lartë, i cili krijon dy struktura paralele në UT që pengojnë njëra-tjetrën, Bordin e Administrimit dhe administratorët nga njëra anë, rektorin dhe autoritetet e zgjedhura akademike nga ana tjetër. Bordi i administrimit dhe administratorët me prirjen për të vendosur një sundim administrativ mbi universitet u kundërvihen dhe bllokojnë qëllimisht organet e zgjedhura nga trupa akademike dhe studentët. Në përfundim u konkludua se Bordi i administrimit dhe administratori janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar pasi ata kanë dështuar në menaxhimin financiar të UT-së, ndërsa vetë qeveria është përgjegjëse për mosnxjerrjen e akteve nënligjore. Gjithashtu Forumi në përfundim të takimit vendosi që:
– Dorëheqjen e Bordit të Administrimit dhe administratorit të UT-së dhe t’i kërkojë Ministres së Arsimit të shkarkojë anëtarët e bordit në varësi të saj.
-Rishikimin e mundësisë për amendimin e disa prej neneve problematike të ligjit për arsimin e lartë ose përmirësimin e ligjit përmes akteve nënligjore. 
-Të kërkojë rritjen e financimit të Universitetit në tërësi, përmirësimin e kushteve financiare të pedagogut dhe kushteve të jetës studentore. 
Gjithashtu u kërkua transparenca për korpusin universitar, inicimin e një debati në universitet, nisjen e negociatave me Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit për zgjidhjen e problemeve të universitetit dhe ngritjen e komisionit prej 15 pedagogësh, të cilët do të kontaktojë me autoritetet drejtuese të universitetit. Në të kundërt pedagogët u shprehën se, ‘ne rezervojmë të drejtën që brenda dhjetë ditësh të përshkallëzojmë reagimet tona deri në grevë të përgjithshme.’ Në vazhdim të këtyre shqetësimeve njëri nga pedagogët më me përvojë në auditoret universitare Mark Marku në emisionin News 24 bëri deklarata të forta për abuzime skandaloze me tenderët, të cilët kapin shuma marramendëse dhe që i takojnë, pikërisht periudhës kur në krye të Universitetit të Tiranës drejtonte Dhori Kule. I takon organeve të hetimit, prokurorisë, krimit ekonomik dhe strukturave të tjera të specializuara që të rihapin dosjet një pjesë e të cilave edhe mund të jenë mbyllur me “kontrolle të dyshimta”. Deklarata e djeshme e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, e bërë në prokurorinë e Tiranës se: “Duhet të rihapen dosjet e mbyllura apo të fillohen hetime për dosje të denoncuara nga persona dhe media”, përbëjnë rastin më të mirë dhe provën e vërtetë për drejtuesit e hetimit të Tiranës. “Telegraf” do t’i kërkojë këtyre organeve të nisin hetimet, pasi faktet e denoncuara nga Prof. Marku janë jo vetëm tronditëse, por janë edhe thirrja më e mirë për të bërë drejtësi. Ja deklarata e fortë:
Mark Marku, për herë të parë po ndodh kriminalizimi i Universiteteve: Ja skandali me tenderin 1 milion euro
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, profesori Mark Marku ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me senatin e Universitetit të Tiranës për debatin mbi reformën e arsimit të lartë dhe pagat e vonuara. Mark Marku u shpreh se ligji i arsimit të lartë është i pazbatueshëm, pasi nuk zbatohen aktet nënligjore. Sipas profesorit Marku për herë të parë po ndodh kriminalizimi i Universiteteve njësoj si në Parlament. “Nuk është problemi vetëm për vonesën e pagave, por ne kemi shtruar edhe probleme të tjera të rëndësishme për Universitetin. Ligji është i pa aplikueshëm. Një ligj bëhet i zbatueshëm përmes akteve nënligjore, por aktet nënligjore nuk kanë dalë akoma. 2 vite e gjysmë pasi ka dalë ligji për arsimin nuk kanë dalë aktet nënligjore dhe bëhet i pazbatueshëm. Kryeministri thotë, që unë nuk kam përgjegjësi, por kjo është paaftësi totale. Pjesa financiare e Universiteteve duhet të japë llogari, pra në asamble apo në senat”- tha Mark Marku. Sipas profesorit Marku për herë të parë po ndodh kriminalizimi i Universiteteve dhe apelon qeverinë që të mos bëjë aleancë me krimin. Ai u shpreh se qeveria ka bërë një ligj që nuk e zbaton vetë. “Pse është kërkuar bllokimi në universitet? Ministria ka pjesë përfaqësuese në bord dhe një pjesë e bordit bashkëpunon me ministrinë dhe kanë bërë shumicë bllokuese për Universitetin. Duhet të verifikohen veprimet e financimit të universiteteve publike. Në universitet po ndodh kriminalizimi për herë të parë, ashtu si në Parlament. Ne nuk i themi qeverisë të futet në luftë me Universitetin, por i themi që të mos bëjë aleancë me krimin. Është bërë një tender para 3 vitesh dhe nuk është pyetur fakulteti fare. Ishte tender rreth 1 milion euro dhe nuk janë pak për një universitet. Tenderi ishte i tmerrshëm, pasi nuk është bërë, as rikonstruksion dhe as gjë tjetër. Qeveria është përgjegjëse për mënyrën e akreditimit të Universiteteve publike dhe po shkatërron këto universitete. Qeveria ka përgjegjësi, pasi ka bërë një ligj që nuk e zbaton vetë dhe ai ligj krijon problem për Universitetin”- tha Mark Marku, raporton BalkanWeb. Ndër të tjera, profesori Mark Marku u shpreh se Forumi për Liri Akademike ka kërkuar negociata me qeverinë, pasi universitetet publike dhe private sipas tij kanë probleme të mëdha. “Ne kemi kërkuar negociata me qeverinë dhe nuk kemi kërkuar që kryeministri të vijë të na bëjë leksion. Ne kërkojmë të ulemi dhe të diskutojmë për ligjin për arsimin e lartë. Ai takim që u bë ishte pa agjendë. Universitetet publike dhe private kanë probleme të mëdha. Ne po themi, se ata kanë krijuar një piramidë të madhe dhe ne nuk duam të bëjmë show. Ne jemi njerëz të lirë që mbrojmë misionin tonë dhe nuk pranojmë që Universitetin ta degradojnë që ne të na vijë turp që punojmë aty”- tha Marku.