Skandali me kandidatët për deputetë

872
Përparim HALILI

Parlamenti i ri, me analfabetë e falsifikatorë, 84 kandidatë të PS dhe 73 të PD… me diploma “Sude”
Sipas listave, 60% e kandidaturave kanë lidhje familjare, shoqërore, nepotike, biznesi me njeri-tjetrin
Parlamenti shqiptar që pritet të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017, nuk ka për të gjetur qetësi as në këtë legjislaturë, jo për shkak të sallës së amortizuar të seancave, por për shkak të përbërjes arsimore të deputetëve, që partitë kanë përzgjedhur dhe kanë futur në listat e kandidatëve! Ndërsa parlamenti shqiptar deri në vitin 2009 ishte mbushur me deputetë komikë e, ndërsa parlamenti i legjilaturës 2013-2017 ishte i tejmbushur me kriminelë dhe halabakë, parlamenti i pas 25 qershorit 2017 pritet të mbushet me analfabetë që kanë blerë diplomat! Do të mbushet me falsifikatorë diplomash të universiteteve e gradave shkencore të siguruara me pagesë brenda dhe jashtë Shqipërisë! Edhe pse niveli arsimor i kandidatit për deputetë nuk është kriter kushtetues mbasi është hequr pas pazarit Rama-Berisha të prillit 2008, çuditërisht shkollimi nuk është vënë si detyrim vetë-deklarimi e verifikimi. Si mund të mos aplikohet “Vetingu” i diplomave të kandidatëve për deputetë, por hapen portat dhe brenda tij futen jo vetëm analfabetë që kanë blerë provimet e diplomat, por edhe falsifikues diplomash, që përbën krim të evidentuar?! Ka një absurd, që bie ndesh me vetë kriteret ligjore të kandidimit. Ndërkohë që është kriter vetë-deklarimi i moshës, vendlindjes, emrit, mbiemrit, atësisë e amësisë, aktivitetet personale brenda e jashtë Shqipërisë dhe penalitetet ose jo për vepra të ndryshme të kryera para kandidimit, nuk është vendosur si kriter edhe vetë-deklarimi i të dhënave të diplomimit ose gradimit shkencor! Kjo është bërë e qëllimtë, mbasi edhe në parlamentin kaluar kishte deputetë e ish-deputetë me diploma të blera e të falsifikuar, të cilët edhe pse nuk kanë përfunduar as arsimin 8-vjeçar, disponojnë e deklarojnë diploma për juristë, inxhinierë të çdo fushe, politologë, ekonomistë etj.. Dhe me këto diploma që nuk verifikohen, ata bëhen prefektë, drejtorë qendror e rajonalë, kryetarë bashkie, ministra, deputetë, zv/ministra, këshilltarë, sekretarë ministrie, kryetarë këshilli qarku e deri konsuj dhe ambasadorë! Kjo po ndodh pasivisht në këto zgjedhje, Sipas një investigimi të kryer nga gazeta “Telegraf”, referuar informacioneve të disa informacioneve të ardhura në redaksi, rezulton se në listat e kandidatëve për deputetë të “Rilindjes” dhe të “Republikës së Re”, shumica e emrave janë pa asnjë diplomë universitare. Mirëpo në “letra” figurojnë sikur janë me nga 2-3 diploma, kualifikime shkencore pas universitare, me grada e tituj shkencor për fusha të ndryshme, ku përqindjen më të madhe e zënë diplomat për juridik, marrëdhënie ndërkombëtare, politologji, ekonomik, psikologji, sociologji, burime njerëzore, administrim biznesi, menaxhim doganash, tatimesh, pronash publike e private, avokati etj. Mbasi çdo diplomimi e grade shkencore, kandidatët e PS e PD, mbushin “CV” e tyre edhe me kualifikime të shumta 1 e 2 vjeçare, aq sa mashtrimet e tyre tregojnë sikur brenda 1 vitit e 2 vjetësh, kanë studiuar në 2-3 universitete dhe janë specializuar paralelisht e njëkohësisht në 3-4 fusha e në 3-4 shtete jashtë Shqipërisë. Ky mashtrim me diploma dhe gradat shkencore që ata vetë-publikojnë, del blof prej faktit që shumica e tyre nuk dinë të shkruajnë as “CV” e tyre. Referuar të dhënave për listat, shërbimet e specializuar shqiptare e të huaja kanë bërë një skedim të vërtetësisë së diplomave e gardave shkencore, që kandidatët për deputetë kanë paraqitur në “CV” e tyre! Sipas investigimit të kryer në disa prej fakulteteve private e publike shqiptare, rezulton se shumë emra kandidatësh të PS e PD nuk figurojnë në regjistrat themeltarë dhe as në amzat shkollore si fillues, vazhdues e përfundues të studimeve e as të diplomuar. Sipas informacioneve, parlamenti i ri rrezikon të mbushet me analfabetë e falsifikatorë diplomash, mbasi 84 kandidatë të PS dhe 73 kandidatë të PD, që në renditje janë në pjesët e para të listave, rezultojnë… me diploma “Sude, por edhe me diploma të blera në “tregun e zi” në ish-universitetet e mbyllura e të lëna hapur në Shqipëri, në universitetet private e publike në Maqedoni, Itali, Greqi, Kosovë, Mali i Zi, Rumani, Bullgari, Hungari, Moldavi, Slloveni, Turqi e deri në Rusi, Brazil e Indi. Si është e mundur, që këta lejohen të kandidojnë e të futen në parlament, pa paraqitur paraprakisht dosje personale të shkollimit, ndërkohë që p.sh, kur nga institucionet dhe shërbimet shtetërore shpallet një vend pune për mjek, inxhinier, infermier/e, polic, ushtarë me pagesë, mësues, marangoz, elektricist, ekonomist, shofer e pastruese, një nga kërkesat e detyrueshme për ta, për t’u pranuar në aplikim është paraqitja e dëftesës së shkollës së mesme apo e diplomës, të shoqëruara me listë notash, të… noterizuar, të cilat verifikohen në institucionet arsimore që i kanë lëshuar! Ndërsa për t’u punësuar si deputet (quhet punë shteti), futesh në parlament vetëm me listën e kryetarëve të partive, pa paraqitur asnjë dokument shkollor dhe pa kërkuar e pa verifikuar vërtetësinë e diplomave në zyrën e burimeve njerëzore! 
Sigal