Skandali, me firma false, çdo vit grabiten nga 10 mln lekë

600
Sigal

Andre Papagjika, letër në redaksi: Denoncon vjedhjen qindra milionëshe me qiranë e kullotave

Denoncimi, një letër në redaksinë e gazetës nga fshati Shën-Vasil i Sarandës denoncon strukturat përgjegjëse shtetërore për abuzime financiar në miliona lekë lidhur me dhënien me qira të kullotave të këtij fshati. Sipas denoncimit të Andre Papagjikës, ky abuzim që vazhdon për gati 10 vite, ka vajtur në gjykatë (katër gjyqe), por firmat e falsifikuara, kanë ‘ligjëruar’ grabitjen.

LETRA E PLOTË

“Të nderuar gazetarë të gazetës “Telegraf”! Unë që po ju shkruaj, jam një qytetar nga fshati Shën-Vasil i komunës së Lukovës në rrethin e Sarandës. Quhem Andrea Papagjika dhe jam pensionist. Para disa ditësh lexova në gazetën tuaj një shkrim, ku flitej për komunën tonë, më saktë për problematikën shqetësuese që shoqëron për vite të tëra komunitetin e fshatrave të kësaj komune. Saktësia e problemeve më shtyu të shkruaj këtë letër për faqet e gazetës suaj për të denoncuar një vjedhje disa vjeçare me disa qindra milionë lekë. Në fakt, kjo vjedhje është shoqëruar edhe me falsifikim firmash ,falsifikime që arrijnë mbi 60 firma. Këtë problem nuk është hera e pare që e ngre si shqetësim shtetëror, se e kam denoncuar në gjykatë dhe prokurorinë e Sarandës, ku janë zhvilluar katër gjyqe për përvetësimin qindra milionësh të taksave të kullotave të fshatit dhe dy gjyqe për falsifikimin e firmave të kontratës. Të gjashtë gjyqet janë mbyllur, pa asnjë argument. Dhe odiseja gjyqësore e vjedhjes së qindra milionave dhe falsifikimit të firmave, vijon që nga viti 2000 e këtej. Pra që nga ky vit, me firma të falsifikuara, përvetësohen nga kullotat e fshatit rreth 10 milionë lekë në vit. Përveç proceseve gjyqësore, i kam dërguar edhe një letër dhe një SMS në muajin Mars 2013 prokurorit të përgjithshëm, por pa përgjigje. Arsyeja që e publikoj këtë vjedhje kolosale në faqet e gazetës suaj, është thjeshtë përgjegjësia qytetare, pa kurrfarë konflikti interesi, por edhe i çuditur se pse heshtet? Pse nuk vihen para përgjegjësisë ligjore grabitësit qindra milionësh të pasurisë së fshatit dhe të shtetit?!”

Me respekt,

Andrea Papagjika

Shën-Vasil,Sarandë

APELI

Nëpërmjet denoncimit, banorët e Shën-Vasilit kërkojnë drejtësi për këtë skandal ku minimalisht, nga abuzimi, përfitohen me firma të falsifikuara mbi 10 milion lekë të reja. Ai denoncon gjithashtu dhe proceset gjyqësore, në të cilat janë paraqitur 60 firma të falsifikuara. Banorët shpresojnë që drejtësia të ndreqë një padrejtësi skandaloze dhe të nxjerrë para përgjegjësisë abuzuesit.