Skandali! Mbivendosje 10 prona të njëjta për 20 persona, vazhdon sorollatja në vitet 1977-2014

891
Sigal

Qytetarët tregojnë se çfarë bëjnë “horrat” e hipotekës Tiranë me pasuritë dhe aferat korruptive për të kryer shërbime që i njeh ligji

Qytetarët nuk po gjejnë qetësi, siguri e drejtësi prej Hipotekës Tiranë, lidhur me pasuritë që kanë në pronësi dhe që duan t’i kalojnë në pronësi, nëpërmjet regjistrimit, dhurimit e pjesëtimit të tyre. Të 5 sportelet e hipotekës Tiranë, të cilat quhen “zona” e që kanë për detyrë të kryejnë shërbimet pronësore për krejt rrethin e Tiranës, janë kthyer në “frëngji torture” për qytetarët që i drejtohen kësaj hipoteke të përbindshme, të zhytur në korrupsion e shkelje të rënda të ligjit. Vetëm për 15 ditë është përcaktuar afati ligjor, për regjistrimin e pasurisë, por mjerë ata që shkojnë në ato sportele, sepse duhet të “thinjen” në pritje të marrjes së certifikatës së pronësisë. Po kështu, për 15 ditë është përcaktuar edhe afati për të kthyer përgjigje nëse merret ose jo certifikata e pronësisë me regjistrim fillestar, me dhurim ose me pjesëtim pasurie, por ky afat shkon edhe 3 muaj, 6 muaj, 1 vit e pse edhe 10 e 17 vjet, siç ka ndodhur e po ndodh në 3576 raste që kanë aplikuar për regjistrim, ndryshim titujsh pronësie, dhurim e pjesëtime pasurie dhe nuk u jepet as përgjigje, as certifikatë pronësie, aq sa qytetarët janë detyruar t’i drejtohen dyerve të gjykatave, të cilët po ashtu zgjatin proceset pa fund, duke i ngjitur e zbritur në të gjithë shkallët. Përditë në Hipotekën e Tiranës, shikon qindra fytyra të njëjta qytetarësh që vërdallosen të stresuar e të lodhur me dosje në duar, të tallur e vonuar po prej të njëjtave fytyra të sporteve 1, 2, 3, 4 e 5 të hipotekës Tiranë. Pasi nuk marrin përgjigje, madje shihen e përcillen me nervozizëm e përçmim prej punonjësve të sporteleve, qytetarët vërsulen për takim me drejtuesit, por nuk i përfill askush, nuk i prêt askush, nuk u përgjigjet askush, duke i mashtruar me shabllonin e përditshëm: “…drejtori/shefi është në ministri, është jashtë shtetit, është në seminar, është me raport mjekësor, nuk kthehet sot… etj”, kur në fakt të gjithë shefat janë në zyra duke u hargalisur me njeri-tjetrin e duke bërë pazare të pista me pronat e qytetarëve. Po çfarë ndodh realisht me pronat e qytetarëve të Tiranës, brenda atyre zyrave hermetike, ku ata që drejtojnë për të zbatuar ligjin, ata që paguhen për të kontrolluar shërbimin dhe ata që paguhen për të kryer shërbimin, tallen me qytetarët? Ja një skandal i rëndë.

Rekordi: 17 vjet mbivendosje të 10 pronave, për 20 persona

Sot po publikojmë një rast skandaloz, me të cilin u njohëm dje në mjediset e hipotekës Tiranë, lidhur me një procedurë tipike korruptive e antiligjore regjistrimi pasurie me mbivendosje, ndodhur 17 vite më parë dhe vazhdon ende sot në vitin 2014 prej punonjësve të sportelit Nr. 5, që mbulon zonën e Ndroqit Tiranë. Është fjala për pronën e shtetasit Agim Mansaku dhe 9 pjesëtarëve të tjerë të fisit të tij. Sipas ligjit, ky shtetas ka përfituar kthimin e pronës së vjetër me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave. Po me këtë vendim, në bazë të Ligjit Nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ai ka regjistruar pronën “tokë arë” në Hipotekën Tiranë, në datën 20 qershor 1997 me nr. regjistri hipotekor 262 2 dhe ka marrë certifikatën e pronësisë. E ndërsa nisi të rrethonte pronën e fituar me ligj dhe me regjistrim të rregullt po ligjor, një grup prej 10 “pronarësh” të tjerë të zonës Ndroq, i zaptojnë pronën dhe vendosin “gardhin e tyre”. Nuk po flasim për konfliktet e krijuara, por për skandalin që 10 shtetasit e tjerë, janë pajisur me certifikatë pronësie për të njëjtën pronë, prej të njëjtës zyrë hipotekore, prej të njëjtit sportel të zonës kadastrale, vetëm një muaj pas certifikatës së lëshuar më parë! Prej 17 vitesh qytetari shkon çdo javë në zyrën e hipotekës Tiranë i shoqëruar edhe me avokatë të rregullt, por nuk i jepet asnjë zgjidhje. Dhjetë pronat i kanë 20 pronarë, mbi certifikata mbivendosjeje. Dje, shtetasi Mansaku që hipoteka Tiranë i ka vendosur pronarë të tjerë mbi pronësinë, ishte përsëri në hipotekë. Nuk e pranonte askush, duke i thënë: “Ik o xhaje, nuk merremi më me ty, ec mos na mërzit, shko në gjykatë…”. I detyruar prej shpërfilljes dhe pamundësisë për të takuar drejtuesit e hipotekës, në datën 12. 11. 2014 iu drejtua me një letër drejtorisë së Hipotekës Tiranë. Prej drejtuesve të Hipotekës, në datën 15. 11. 2014 iu kthye përsëri në zarf, e pahapur letra që kishte dërguar ai, në krye të së cilës ishte ngjitur një copë pusullë ngjyrë jeshile, shkruar kështu: ”Apliko në sportel”.(faksimile e letrës). Ky nuk është rasti i vetëm. Me letra të tilla të kthyera mbrapa të pahapura, të futur në zarf tjetër prej hipotekës, kishin edhe 10 qytetarë të tjerë, madje pa asnjë shënim. Qytetarët nuk dinë ku të gjejnë zgjidhje. ankohen deri tek Kryeministri e Presidenti dhe nuk u përgjigjet askush. Ajo që vazhdon të jetë prezent në shërbimin hipotekor është fakti, që “banda” zyrtare e drejtuesve dhe punonjësve të hipotekës Tiranë, që paguhet nga taksat e shqiptarëve dhe nga milionat e aplikuesve në këto zyra e ka kthyer këtë shërbim publik ka në një krim pronësor, arkivor, dokumentar, ligjor, social e financiar.

Qytetarët thonë: “Mjerë kush vjen në hipotekë…”

Prej 3 ditësh kemi bërë një vëzhgim në mjediset e Hipotekës Tiranë, për të parë se çfarë ndodh në 5 sportelet e kësaj hipoteke. Qytetarët që paraqiteshin tek sporteli i kontaktit të parë, ose siç i thonë ende “Tek Zefi” (edhe pse ka shumë muaj që është larguar), silleshin vërdallë pa marrë certifikatat, gjendjet juridike të pasurive të tyre, ose rifreskimet. Nga brenda sportelit jepej përgjigja shabllone: Nuk ka dalë akoma, pyet tek sporteli i zonës tënde”. Në sportele nuk jepej fare përgjigje, aq sa punonjësit silleshin sikur nuk dëgjonin, ose kur jepej përgjigje pa ngritur kokën, përsëriteshin refrenet: “E dinë ata lartë, ne e kemi çuar dosjen, gjithsesi dil njëherë nga java tjetër”. Në “sallën e torturës” së Hipotekës Tiranë, të cilës i thonë “salla e pritjes dhe shërbimit ndaj popullit”, populli përcillej me zvarritje afatesh, me falsifikime dosjesh, me mos përgjigje të sakta ligjore e administrative, duke i detyruar të kalonin në konflikte fjalësh kërcënime, presione, akuza për korrupsion, deri në ofendime banale ndaj punonjësve të hipotekës, të cilët sillen si “pronarë” të këtij shërbimi. Në atë sallë të tmerrshme, ku ka pasur edhe raste konfliktesh fizike mes qytetarëve e punonjësve të hipotekës, bashkohen gjithë hallexhinjtë e lodhur, të tallur prej këtij institucioni. Qytetarët tregojnë, se çfarë bëjnë “horrat” dhe delenxhinjtë e hipotekës Tiranë me pasuritë e tyre dhe me afera korruptive për të kryer shërbime që i njeh ligji. Por edhe në mjediset e jashtë hipotekës dhe në kafenetë e populluara me hallexhinj, dëgjon gjithë “historitë” dhe “poshtërsitë” e bëra me pronat e qytetarëve prej zyrtarëve dhe punonjësve “batakçinj” të kësaj hipoteke mynxyrë e “llum” korrupsioni dhe abuzimesh, shërbim që deri 10 ditë më parë komandohej nga kunati i zv/kryeministrit Niko Peleshi, shkarkuar nga detyra për pisllëqe me procedurat e regjistrimeve. Sot po publikojmë deklarime të disa qytetarëve për shërbimin skandaloz në të 5 sportelet e hipotekës Tiranë.

Sporteli Nr. 1

 A. Danaj: Mjerë ata që shkojnë në hipotekën e Tiranës. Na është bërë gangrenë regjistrimi i pasurive. Plot 18 muaj më sorollatën, sa u detyrova pagova një avokat të merrej me atë punë, se u çmenda, u bëra me strese. Tallen, të mashtrojnë, të zhdukin dosjet, të ndryshojnë hartat, të kërkojnë ryshfet ne “marifet” duke të vonuar.

Q. Daka: Kam 3 vjet që më sjellin vërdallë për një ndarje pasurie. Më thonë: Hajde sot, hajde nesër, shko në komisionin e pronave, merr vërtetim nga arkiva, bëj hartë të re, bëj aplikim të ri. Kam bërë 12 herë aplikim dhe nuk po marr dot certifikatën.

 Sporteli Nr. 2

 Y. Komnini: Kam 2 vjet që lodhem për një certifikatë ndarje pasurie. Pothuajse jam përditë këtu. Në sportel më thonë është dosja lart, në zyra nuk më pranon njeri. Nuk po mundem ta marr dot. Jam krejt në rregull me ligjin dhe me dosjen. Më kapi një sekser e më tha: O zotëri, ta zgjidh unë hallin. I dhashë letrat dhe ai hyri brenda zyrave andej nga hyn administrata, sikur të ishte drejtori. S’kisha rrugë tjetër, u lodha psikologjikisht me këta pisa.

A. Ballaj: Mos më pyet fare se çfarë halli kam. Hipoteka më është bërë si “varrezë” ku jam kallur për së gjalli. 7 vjet kam në këtë hipotekë dhe nuk gjej zgjidhje për një mbivendosje prone, e kemi katër vetë të njëjtën pronë.

Sporteli Nr. 3

D. Hoxha: Provoje të aplikosh në hipotekën Tiranë dhe e mëson të vërtetën se çfarë bëjnë këta hajdutë e të korruptuar që punojnë këtu. Më kanë falsifikuar hartën dhe më kanë ndryshuar aktin e dhurimit të pasuritë. Kam ardhur 328 herë këtu në sportel dhe nuk gjej zgjidhje. Këta duhen shporrur.

F. Shehu: Kam aplikuar 6 muaj më parë për një ndarje pasurie. Më thanë do përsëritësh letrat nga fillimi. I bëra letrat. Më thanë që duhet të presësh sa të verifikohen kufizimet. Prita 7 muaj. Pas 7 muajve më thanë se do aplikosh nga fillimi, por pasi të marrësh një akt të ri noterial. Na plasën buzën këta plehra.

Sporteli Nr. 4

V. Shehu: Mos e pyet se çfarë ndodh këtu! Batërdia ndodh, maskarallëku ndodh, hajdutëria ndodh. Nuk guxon t’i pyesësh se të hidhen për fyti me tersëllima e për inat të vonojnë për procedurat. Më kanë zhdukur pronën. “Nuk ekziston dosja”, më thonë, nuk i hapim dosjet e përpara vitit 1997 se e ndalon ligji, thonë! Janë të pacipë, të korruptuar, hajdutë e falsifikator pronash, duhen çuar përpara ligjit urgjent.

M. Fejzo: Na lodhën, na shkatërruan psikologjikisht dhe financiarisht. Hipoteka është gropë septike korrupsioni e krimi me pronat tona. Nuk gjejmë dot askund mbështetje për të na zbatuar ligjin. Kam 9 muaj që kam aplikuar për hipotekim shtëpie dhe nuk po bëhet. Edi Rama duhet të ndërhyjë urgjent ta pastrojë këtë moçal të qelbur korrupsioni nga këta zyrtarë të pështirë e të neveritshëm.

Sporteli Nr. 5

A. Mansaku: Kam 17 vjet që më kanë bërë mbivendosje prone me 10 të tjerë edhe pse unë kam certifikatën, por edhe atyre u është dhënë certifikatë 1 muaj pas meje. Më thonë: “Shko në gjyq”! Jam i moshuar dhe ndihem i lodhur, se e kanë nisur këtë siklet që më ka hapur hipoteka që në moshën 45 vjeç e sot jam 62 vjeç

Xh. Bejo: Ehuuuuu, mos të sjelltë halli këtu se këta të detyrojnë t’i vrasësh. Kam 5 vjet që lodhem në këto zyra e sportele për të regjistruar një tokë të ligjshme dhe nuk ma regjistrojnë. Nuk duan t’ia dinë fare, as për ligj e as për të drejtë prone. Marrin dosjet, marrin edhe lekët që paguajmë, falsifikojnë edhe letrat dhe na sjellin vërdallë me vite.

Përparim HALILI