Skandali, mbi 40 hektarë tokë, vila edhe pallate nga politikanët në toka bujqësore

104

Masakër urbane të toka bujqësore

Shkatërrimi nisi në vitin 1998. Pronarë të pjesës dërmuese të objekteve janë pushtetarë

Mbi 40 hektarë tokë bujqësore, janë verifikuar zyrtarisht si të zëna me vila, pallate e lokale luksi në zonat bregdetare, por edhe ish-NB, me pronarë ish-pushtetarë dhe pushtetarë aktualë. Burime konfidenciale nga ZRPP dhe IMTB, deklaruan se, “hektarë të tëra tokë bujqësore në zonat bregdetare dhe ish-NB Durrës, janë pushtuar por edhe  po pushtohen  nga vila 3-4 katëshe,  pallate, lokale e objekte luksi, me pronarë emra ish-ministrash, ish-deputetësh dhe pushtetarësh aktualë që ligjërisht mund të quhen vetëm ndërtime pa leje”.  Por edhe  hapësira  të tjera po shfrytëzohen për të përvetësuar, veç truallit për ndërtime, edhe mijëra ton argjilë për industrinë e çimentos, dhe të ndërtimit nga grosistë me lidhje të ngushta biznesi me politikën- deklaroi një burim zyrtar. Por  shqetësimi  për tjetërsimin dhe pushtimin e trojeve bujqësore dhe  tokave në bregdet janë bërë  sot një shqetësim edhe për organet e drejtësisë. Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës Bujqësore në një studim të kryer  gjatë vitit 2013, ka arritur të zbulojë prona me emra pushtetarësh të cilët prej vitit 1998 kanë tjetërsuar me veprime antiligjore origjinën e dhjetëra e qindra hektarëve tokë bujqësore, por është ndaluar  të publikojë e penalizojë subjekte dhe individë që u kanë shkaktuar këto skandale me tokat bujqësore. Në shkallë qarku, Durrësi  ka të regjistruar zyrtarisht 36 mijë ha tokë bujqësore, por dhjetëra hektarë figurojnë nën pronësinë e  njerëzve të politikës. Në këto sipërfaqe, vetëm gjatë 10 viteve të fundit,  është konstatuar se janë dëmtuar 25 ha tokë, pasi mbi të janë ndërtuar shtëpi banimi, vila, objekte luksi pa leje. Ndërsa para kësaj periudhe janë zënë qindra hektarë të tjerë, ku janë ndërtuar mijëra banesa pa leje, por që janë aktualisht në proces legalizimi. Gjithashtu, rreth 4 ha tokë bujqësore po shfrytëzohet për nxjerrjen e lëndëve inerte dhe në 4 ha të tjerë, një subjekt ka ngritur prej vitesh biznes për nxjerrjen e argjilës për çimento. Ndërkohë edhe  nga përmbytjet e bëra në vitet e shkuara  janë dëmtuar  dhjetëra ha tokë. Për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin “Për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore” duhet të merren masa penalizuese, ku përfshijnë gjoba me vlerë 500 mijë deri në 1 milion lekë, si dhe procedime penale në organin e akuzës. Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në bashkëpunim me Policinë Pyjore, me Tatim-Taksat, Policinë e Rendit dhe pushtetin vendor do të nisin nga puna për zbatimin e masave administrative për shkelësit e ligjit. Shumë shpejt do të bëhen publikë edhe emra që figurojnë si pronarë me tapi në tokat bujqësore të NB-ve dhe ato në bregdetin e Durrësit.

  -Mbi 40 hektarë tokë bujqësore, janë verifikuar zyrtarisht si të zëna me vila, pallate e lokale luksi në zonat bregdetare, por edhe ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, me pronarë ish-pushtetarë dhe pushtetarë aktualë.

 -Në këto sipërfaqe, vetëm gjatë  10 viteve të fundit, është konstatuar se janë dëmtuar  25 ha tokë, pasi mbi të janë ndërtuar shtëpi banimi, vila, objekte luksi e banesa pa leje, por që janë aktualisht në proces legalizimi.

  -Gjithashtu, rreth 4 ha tokë bujqësore po shfrytëzohet për nxjerrjen e lëndëve inerte dhe në 4 ha të tjerë, po tokë bujqësore një subjekt ka ngritur prej vitesh biznes për nxjerrjen e argjilës për prodhim çimentoje

KRRTRSH, “lupën”  për zonat turistike

 Është abuzuar me projektet e fshatrave turistike

 Është prekur zona e gjelbër dhe janë shkelur kushtet turistike në ndërtim . Zona turistike në jug të bregdetit të Durrësit do të bëhet objekt i një rishqyrtimi për të vendosur përfundimisht mbi perspektivën e zhvillimit të turizmit. Masterplani që do të shqyrtohet ka në plan të parë ecurinë e ndërtimeve të hotelerisë dhe zhvillimet në këto 15 vitet e fundit. Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golemi dhe Karpen janë brezi që do të jetë pjesë e gjykimit të specialistëve, të cilët kanë shfaqur edhe shqetësimin për dëmtimin e kurorës së gjelbër si pasojë e keq orientimit nga njësitë e qeverisjes vendore. Në një pjesë të këtyre projekteve të zhvillimit perspektiv masterplanet janë hartuar disa vite më parë, por për shkak të politikave të zhvillimit të turizmit në gjatësinë e bregdetit nga Plepat e Durrësit  deri në Karpen të Kavajës është kërkuar rishqyrtim në këndvështrim të ri. Masterplani që përfshin zonën përgjatë bregdetit Golem-Karpen është bërë disa herë objekt debatesh e ndryshimi për shkak të pleksjes së interesave të shumta dhe kjo ka dëmtuar qasjen për një orientim të saktë dhe perspektiv. Fillimisht është saktësuar nëse këtë gjatësi brezi rëre godinat të kishin lartësi kati deri në 4 kate plus papafingo, por realisht ka ndodhur krejt ndryshe. Hapësira e gjelbër është tkurrur deri në limitet më të skajshme, kurse investitorët kanë shkelur në jo pak raste kondicionet turistike të zonës. Për këtë shkak autoritetet që menaxhojnë hapësirat turistike të bregdetit janë detyruar të bllokojnë dhënien e lejeve të ndërtimit dhe lejeve për shesh ndërtimi. Në vendin e quajtur Pishat e Buta në Golem janë prerë qindra e mijëra pisha. Më së shumti KRRTRSH  e re, duhet  të ndalet në studimin e masterplanit që kaplon gjatësinë prej 7 km vijë bregdetare nga Përroi i Agait deri në Karpen. Për të shpëtuar rrënimin e mëtejshëm dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të komplekseve të mëdha akomoduese për pushues KRRTRSH do të duhet të vendosë për fatin e mëtejshëm të projekteve. Edhe pse nuk është folur lidhur me fatin e disa pallateve, bizneseve dhe aktiviteteve të ngritura në mënyrë abuzive, ato do të jenë pjesë e shqyrtimit kritik për të hapur rrugën e orientimit perspektiv të vijës bregdetare. Në total bëhet fjalë për studimin e një zone me sipërfaqe prej 960 hektarësh. Këtu janë ndërtuar fshatra turistikë, hotele, motele e vila, por ngjitur me to janë lartësuar edhe pallate që variojnë nga 5 deri në 7-8 kate duke e shtyrë zonën drejt zhvillimit si zonë e banuar në të gjitha stinët.

 INFORMACION

-Dëmtime të shumta të kurorës së gjelbër, si pasojë e keq orientimit nga njësitë e qeverisjes vendore janë konstatuar tek Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golemi dhe Karpen.

-Në Golem janë prerë qindra e mijëra pisha. KRRTRSH  e re, duhet të ndalet në studimin e masterplanit që kaplon gjatësinë prej 7 km vijë bregdetare nga Përroi i Agait deri në Karpen.

-Në një sipërfaqe prej 960 hektarësh, janë ndërtuar fshatra turistikë, hotele, motele e vila, por në ngjitur me to janë lartësuar edhe pallate që variojnë nga 5 deri në 7-8 kate.