Skandali, ja si u zhvatën miliona euro të terminalit të ri të trageteve

609
Sigal

Financimi i projektit, kredi 32 mln euro nga BERZH dhe BEI. KLSH gjeti abuzime me 200 mijë euro. Mekanizmi dhe firmat që përfituan

 Behar HOXHA

 Vjedhja e parave të shqiptarëve përmes gjoja “koncesioneve” vazhdon të mbetet skandali më i paparë në 23 vitet e tranzicionit në Shqipëri. Padyshim nuk bënte përjashtim edhe Porti Detar më i madh i vendit, atje ku vjedhja është kryer me forma dhe metoda nga më të paskrupulltat që ka parë ndonjëherë historia e këtij vendi. Por le të ndalemi tek terminali i ri i trageteve, i cili nuk ka mbushur mirë vitin që është inauguruar. Koncesioni terminalit të trageteve është paraprirë me skandale mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre me kredi evropiane për Shqipërinë. Kontrolli i Lartë i Shtetit më 3 qershor 2013 kërkon të nxirren “përgjegjësitë për supervizorët e punimeve “DIWI Consult GmbH” (Esen, Gjermani) dhe “Safege-Scoç Wilson” (Bruksel, Belgjikë), lidhur me certifikimin e punimeve të pakryera, përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve (grupi i ndërtimit “VEGA”) në shumën 46 493 euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 euro”. Të huajt mbyllin sytë kur shohin shqiptarët të zhvatin paratë e Evropës, kredi të marra nga qeveria e Shqipërisë… Në vitin 2006 BERZH i ka dhënë qeverisë shqiptare një hua prej 14 milionë euro si ndihmë për financimin e një terminali të ri tragetesh dhe rehabilitimin e dy kalatave për përmirësimin e shërbimeve të udhëtarëve dhe mallrave. Projekti u bashkë-financua me BEI-n/ EIB (Banka Evropiane e Investimeve/ European Investment Bank). Kjo e fundit akordoi si hua edhe 18 milionë euro , në total 32 milionë euro veç financimit nga qeveria shqiptare. Realizimi i projektit, hartuar nga kompania “Royal Haskoning” me seli në Amersfoort, Holandë, u krye në dy faza. Faza e parë përfshiu sheshin e hyrje-daljeve, së bashku me pikat e kontrollit policor dhe doganor të auto-veturave dhe faza e dytë ndërtimin e terminalit si dhe sheshin e hyrje-daljeve të kamionëve, me pikat përkatëse të kontrollit. Puna për ndërtimin e terminalit të ri të Trageteve filloi me 16 qershor 2008 dhe përfundoi me 31 maj 2012. Kontraktuesi i realizimit të punimeve ishte kompania sllovene SCT d.d. dhe, nga tetori 2010 e në përfundim, kontraktues i objektit është kompania shqiptare “Vega”. Ish- kryeministri Sali Berisha e ka përuruar më 11 korrik 2012 terminalin e ri të trageteve të Portit të Durrësit. Në ceremoninë e përurimit Berisha shoqërohej nga ministra , deputetë dhe përfaqësues të organeve të pushtetit vendor . “Inauguruam terminalin e pasagjerëve me një vlerë prej rreth 22 milionë euro, me arkitekturë dhe teknologji të avancuar”, – deklaroi asokohe ish-kryeministri. Por shirat kanë nxjerrë në dritë faktin se terminali i trageteve pas 3 muajve , ka futur ujë në pjesën më të madhe të tij. Çatia e tij duket se nuk e ka përballuar sasinë e madhe të reshjeve dhe ka nisur të pikojë. Për pasojë nga terminali janë larguar aparaturat kompjuterike të operatorëve të kompanive të lundrimit, të doganës dhe APD-së, të cilat u vunë në rrezik nga lagështira. Investimi i realizuar për terminalin e pasagjerëve u mirëprit si nga udhëtarët ashtu edhe nga autoritet portuale që operojnë në portin e Durrësit. Ndërsa çatia e godinës pikon drejt e në kokat e udhëtarëve të bën përshtypje fakti sesi një investim i këtyre përmasave është marrë në dorëzim pa u kolauduar. Punonjës të policisë dhe të doganës thonë se gjatë netëve kur fortunali përfshin portin, situata bëhet tragjikomike. Udhëtarëve u duhej të mbajnë çadrat hapur brenda në terminal, sepse shiu që bie jashtë derdhet mbi kokat e tyre. Punonjësit e doganës thanë se ishin detyruar të tërhiqnin të gjitha aparaturat e tyre nga zyrat që kanë brenda në terminal, sepse çatia që pikonte, i rrezikonte ato si dhe dokumentacionin shkresor. Të njëjtën situatë kanë përjetuar edhe punonjësit e sporteleve të policisë kufitare brenda në terminal, të detyruar t’i hiqnin nga aty kompjuterët. “Janë mbi 30 të çara nga ku pikon uji i shiut në të gjithë sipërfaqen e çatisë sepse gjen të çara”, – tha një punonjës i policisë. Këtë realitet e konfirmojnë edhe punonjësit e lokaleve brenda terminalit të pasagjerëve. APD pas 4 muajve nga inaugurimi, i gjendur nën presionin e mediave ka kërkuar ngrirjen e fondit prej 3 milionë eurosh të garancisë nga firma fituese e tenderit “Vega”. Por historia e koncesionit të terminalit të trageteve ka edhe të tjera skandale. Më 3 qershor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit pas përfundimit të auditimit mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare të projektit “Ndërtimi i terminalit të trageteve në portin e Durrësit”, ka bërë publik raportin ku vihet në dukje se janë certifikuar punime të pakryera përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve në shumën 46 493 euro, si dhe është rënduar kostoja e projektit me 150 262 euro. Auditimi përfshin periudhën 1 gusht 2009-28 shkurt 2013. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar dhe kërkuar që Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU) të marrë masa për të nxjerrë përgjegjësitë për supervizorët e punimeve “DIWI Consult GmbH” (Esen, Gjermani) dhe “Safege-Scoç Wilson” (Bruksel, Belgjikë), lidhur me certifikimin e punimeve të pakryera, përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve (grupi i ndërtimit “VEGA”) në shumën 46 493 euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 euro. Bie në sy fakti që kompania prestigjioze gjermane “DIËI Consult GmbH” është e familjarizuar me Shqipërinë, ka një filial me seli në Tiranë “DIËI Albania shpk” në “Sky Tower”. KLSH-ja ka kërkuar të merren masa për të bërë të mundur kryerjen e auditimit financiar për regjistrat dhe llogaritë financiare të projektit, bazuar në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, për fondet e akorduara nga kreditë, në zbatim të marrëveshjes së BEI, të ratifikuar me ligjin nr. 9691, datë 8.3.2007. Të merren masa për të siguruar burimet financiare për punimet shtesë të certifikuara dhe të regjistruara si të papaguara, të cilat janë kosto shtesë e projektit dhe në bazë të nenit 6 të marrëveshjes së BEI-it duhet të sigurohen nga pala shqiptare. PIU të marrë masa që interesat e akumuluar të maturuar të shumave të huas së BEI, të përdoren për llogari të projektit dhe jo të xhirohen në llogaritë e Qeverisë në Bankën e Shqipërisë, pasi shkresa nr. 641/1 prot., datë 6.3.2008, e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit është në kundërshtim me nenin 6 të Marrëveshjes së BEI-it. PIU të marrë masa për të plotësuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në nenin 3 të Marrëveshjes së BERZH-it, për të paraqitur raportet periodike për projektin, çdo tre muaj, brenda 30 ditëve pas përfundimit të periudhës së raportimit deri në përfundimin e projektit, një tabelë progresi, bazuar në planin kohor të zbatimit të projektit, që tregon progresin e secilës pjesë të projektit dhe përfshin një grafik për shpenzimet faktike dhe ato të planifikuara. PIU të marrë masa që në të ardhmen, nëse është i nevojshëm rialokimi i fondeve të huave dhe ndryshimi i skemës së financimit për projektin “Ndërtimi i terminalit të trageteve”, të japë argumentet e duhura dhe arsyen pse duhet të bëhet rishpërndarja e fondeve. Grupi ndërtimor “VEGA”, z.Aleksandër Gavoçi, i cili kishte pasur më përpara eksperienca në aktivitete të tjera private, vendosi të themelojë një kompani ndërtimi të quajtur VEGA. Ky vendim gjithashtu u influencua nga një numër i madh pronash të trashëguara nga familja. Fillimet e VEGA-s datojnë që në 1999. Në atë kohë, kompania ishte kryesisht e përqendruar në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale në pronat private të aksionarit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Sipas sajtit të kompanisë, “VEGA” ka fituar tenderët publikë për ndërtimin e seksioneve rrugore Damës-Tepelenë dhe Memaliaj-Tepelenë, lotet 1 dhe 2 të autostradës Kukës-Morinë dhe për segmentin Milot-Fushë-Krujë, shtrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës; terminalet e trageteve Sarandë e Durrës, kalatën 10 Durrës dhe kalatën 120 ml të Shëngjinit. Kompania është anëtare edhe e DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri. Punonjës të kompanisë gjermane të supervizimit “DIWI Consult” janë punësuar tek “VEGA”.