Skandali i radhës me Ministrinë e Shëndetësisë kërcënon jetën e shqiptarëve

732
Një ankesë e bërë në zyrën e Avokatit të Popullit nxjerr në dritë një tjetër skandal me Ministrinë e Shëndetësisë, mungesën e aparaturave për matjen nga rrezatimi jonizues i antenave celulare. Ankesa është bërë nga shtetasja O.S. në cilësinë e përfaqësues së disa banorëve të një pallati në rrugën “Stefan Kotelli” lagja nr. 4, Korçë. Ajo është ankuar në disa institucione, për vendosjen e 3 antenave të kompanive celulare në tarracën e pallatit. Ankuesi O. S. i ishte drejtuar edhe Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi, Komisionit të Mbrojtjes nga rrezatimi në Ministrinë e Shëndetësisë, por nga përfaqësues të saj i është thënë se kjo zyrë nuk dispononte aparatura për të bërë matjet. Por nuk është kjo e vetmja ankesë që është bërë nga qytetarët. Edhe në qytete të tjera dhe sidomos në Tiranë janë bërë dhjetëra ankesa, por asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk është përgjigjur, pa le më pastaj të marrë masa për parandalimin e rrezikut vrasës për shqiptarët.

Avokati i Popullit thotë se është e papranueshme që deri tani Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimi (ZMR) është lënë pa aparatura matje të rrezeve jojonizuese. Sipas tij, nuk mundet që të neglizhohen disa investime apo parashikime buxhetore, të cilat luajnë rol bazik në funksionimin e strukturave përgjegjëse për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese, duke mos ofruar kështu cilësinë dhe standardet e kërkuara të këtij shërbimi të përcaktuara me ligj.
Kreu i kësaj zyre, Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqja, ku i kërkon marrjen e masave të shpejta për parashikimin e blerjes së aparaturave për matjen e rrezatimit jojonizues, të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë efektive nga ana e zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet, në buxhetin e përcaktuar për ISHP-në, mundësisht brenda këtij viti ose maksimalisht për vitin 2017.

Sigal

Antenat celulare “mbijnë” si kërpudhat

Edhe pse prej kompanive celulare, antenat që montohen në mjediset e banuara, konsiderohen “pajisje pune ndihmëse normale”, në fakt ato janë burime sëmundjesh të rënda, deri me pasoja fatale për jetën e njeriut. Antenat celulare nuk janë thjeshtë kulla metalike që thithin dhe shpërndajnë valë elektromagnetike, por bëhen burime të drejtpërdrejta që shpërndajnë rrezatim në mjedisin ku ndodhen. Qytetarë dhe mjekë, por edhe specialistë mjedisorë, deklarojnë se antenat celulare janë të rrezikshme dhe nuk duhen lejuar të vendosen brenda dhe pranë qendrave të banuara, përkundrazi sipas monitorimit të efekteve të tyre, distanca e lejuar për t’i vendosur, duhet të jetë deri në 10 kilometër larg qendrave të banuara. Në Shqipëri, ato vazhdojnë të vendosen mbi pallate banimi, mbi qendra prodhimi, shkolla, spitale, brenda majave të larta në parqe publike kudo ku kanë interes kompanitë.