Skandali i përgjimeve, kreu i SHISH në zyrën e Llallës

450
Në vijim të hetimeve mbi pajisjen “IMSI Catcher” për dyshimet se zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë shpërdoruar detyrën, prokurori i përgjithshëm ka thirrur në një takim të beftë kreun e Shërbimit Informativ Visho Ajazi Lika, kryeprokurorin e Tiranes Petrit Fusha dhe kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj. Takimi ka zgjatur një orë dhe për shkaqe të sekretit hetimor nuk hidhet dritë mbi se çfarë kanë diskutuar zyrtarët e lartë. Por domethënëse shihet prania në këtë takim përveç kreut të shërbimit sekret edhe e kreut të Krimeve të Rënda, Hajdarmataj. 
Ndërkohë, grupi hetimor – thanë burimet – po përgatit shkresën për të kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas deklaratës së drejtorit të pezulluar të policisë, Çako, i cili ka shpjeguar se në një rast pajisja është përdorur për të përgjuar Vladimir Gjutën. Ne kemi informacione – thanë burimet – se kjo pajisje është futur në paraburgim me një automjet nga i dyshuari Entiol Xhelilaj e për këtë asrye do të kërkohen librat hyrës e dalës në të gjitha burgjet, sikurse mbahen të sekuestruar edhe librat e hyrje-daljeve edhe në repartin e GOS në Tiranë. 
Gjatë ditës, prokuroria i dërgoi Gjykatës së Tiranës kërkesat për verifikim të masave të shpallura në mungsë ndaj Artion Dukës, shef i forcave operaionale dhe Entiol Xhelilaj, shef përgjimesh në këtë sektor. Të dy ata janë nën masën e arrestit të shtëpisë, masa e verifikimit është caktuar për t’u zhvilluar të premten në orën 12. Drejtori i përgjithshëm i policisë, aktualisht i pezullaur, ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit përmes avokatit Maks Haxhia.
Sigal