Skandali i mishit të infektuar/ Kafshë mebrucelozë dhe turbekuloz hidhen në landfillin e Lushnjes. Lopët e sëmura bëhen sallam për burgjet

647
Sigal

Mishi i lopëve të sëmura bëhet sallam dhe shërbehet në burgje. Ja denoncimi i plotë

 

Skandali/ Kafshë me brucelozë dhe tuberkuloz hidhen në landfillin e Lushnjes

 

Punonjësit e Bashkisë hedhin organet e kafshëve të ngordhura pranë banesave të qytetarëve

 

Një rast skandaloz u publikua në Lushnje, ku në landfillin e këtij qyteti hidhen kafshë të sëmura me brucelozë dhe tuberkuloz, duke rrezikuar shëndetin e një lagjeje të tërë. Disa banorë të lagjes “18 tetori” në Lushnje ankohen se në landfill hidhen lopë dhe mbetje të lopëve të prekura nga bruceloza dhe tuberkulozi. Lopët groposen pak, ndërkohë të brendshmet mbulohen me plehra. Gazetarët e emisionit investigativ Fiks Fare biseduan me shoferin e një fadrome që punon në landfill, i cili thotë se të brendshmet i mbulon ai vetë dhe banorët nuk dinë asnjë gjë, se po ta dinë nuk i lejojnë. Madje, para disa ditësh, ai vetë ka groposur tre lopë.  Disa pamje të xhiruara tregojnë mbetje të kafshëve, të pambuluara, të cilat janë hedhur kuturu në landfill. Ndërkohë, disa metra më larg, disa fëmijë luanin afër këtyre mbetjeve, duke rrezikuar të merrnin ndonjë virus. Emisioni investigativ transmetoi edhe disa pamje të xhiruara nga vetë banorët, në të cilat duket mjaft qartë se të brendshmet e lopëve, nuk janë groposur, por janë hedhur në mes të plehrave. Pak ditë më parë, sipas banorëve, disa lopë të ngodhura nga sëmundja e brucelozës dhe tuberkulozit, janë groposur shumë afër shtëpive. Sipas banorëve, automjete të bashkisë kanë ardhur në landfill, kanë hapur një gropë të vogël dhe kanë hedhur kafshët e ngordhura.

“Këtu sjellin lopë të ngodhura, zorrë dhe plënca. Unë e kam 20 metra larg shtëpinë. Çunin e çoj në Tiranë, se ka infeksione nga këto mbeturinat këtu. Zorrë e plënca i bie gjithmonë thertorja këtu. I kanë sjellë para 4-5 ditësh. Vjet kur ngordhnin qentë bashkia, vinte dhe i hidhte këtu. Vijnë qentë dhe zhgërrysin, vijnë e luajnë qentë dhe e nxjerrin” thotë Merita, një nga banorët e që banon në atë lagje. Sipas saj, lopët e sjella në landfill, janë të ngordhura. “Hodhën dy kova dhe’ dhe ikën. Mbetjet i sollën me një zetor të vjetër, ishte i bashkisë. Vijnë qentë dhe i hapin. Edhe afër shtëpisë sime gjen lëkura që i marrin qentë” thotë ajo.

Shoferi i fadromës pranoi se para disa ditësh në landfill janë hedhur të brendshme kafshësh që kanë ngordhur nga sëmundjet. Ai u shpreh se mbetjet i sjellin nga thertorja. “Ato i mbuloj unë. Ata nuk i dezinfektojnë. Nuk dinë gjë banorët, se po ta dinë banorët i dalin përpara” thotë ai. Më tej shton se para disa ditësh, thertorja ka dërguar në landfill 3 lopë. “Sjellin vazhdimisht mbeturina, firma që ka landfillin e ka me qira, po e thirrin te bashkia dhe s’kanë nga ia mbajnë. Zorrët dhe plëncat i mbuloj unë në plehra. Po kështu hedhin edhe mbetje spitalore, shiringa, shishe” përfundon ai ai.

Veterineri i Bashkisë Lushnje thotë se bruceloza dhe tuberkulozi janë sëmundje ngjitëse. “Nëse prek 1, duhet të eliminohet e gjithë tufa. Ka pasur probleme dhe sëmundje pas viteve 90′. Lopët e sëmura kanë ardhur nga fshati Tragjas i Vlorës, janë 60 krerë. Mbeturinat i kemi çuar në landfill, të brendshmet, kokat dhe këmbët” thotë ai.

***

Bisedë me punonjësin e Landfillit, Lushnje

Fiksi – Na fikën me këta vaksinimet.

Punonjësi i landfillit – Ka probleme bagëtia, brucelozë? Izet Kasa quhem unë. Punoj traktorist tek plehrat e Lushnjes dhe këtu vijnë me therje tek thertorja dhe vijnë e i groposin. Ja, para 5–6 ditësh, erdhën e groposen tre koka.

Fiksi – I sjellin të therme?

Punonjësi i landfillit – I bien të therme edhe të rrjepura.

Fiksi – Edhe këtu paska filluar?

Punonjësi i landfillit- Po, unë i gropos.

Fiksi – Te…

Punonjësi i landfillit – Te mbetjet. Firma nuk ka të drejtë t’i lejojë kërmat atje, firma e pastrimit. Thotë unë e kam me qira (fushën) plehrat. I ka marrë paratë bashkisë. Nuk i tregonte. Sherr e shamatë. Mbasanej vemë e bisedojmë me njëri-tjetrin thonë. Po ç’punë ke ti, i thotë ai atij të firmës, se u qelb vendi. I thotë, ç’punë ke ti? Po të bëhet vonë. Ti je në zyrë këtu. Ja u rregullua muhabeti. Dhe i sjellin. Vijnë këto me sëmundje, vijnë e shoqërohen me fadromë në vete, bashkë me doktorin e bashkisë. Kurse, këto plënca që vijnë, i marr unë përpara i gropos. Ato groposen, po prap shesh është. Një ti hedh ca dhe sipër e ec.

Fiksi – Po kështu dezinfektim i hedhin?

Punonjësi i landfillit– Jo, jo.

Fiksi – I fusin direkt në tokë!?

Punonjësi i landfillit– Po.

Fiksi – Rrezik këtu hedhin edhe ilaçet e spitaleve, këtu tek ju?

Punonjësi i landfillit – Edhe ato vijnë këtu.

Fiksi – Mbetjet e spitalit?

Punonjësi i landfillit – Po, po edhe ato vijnë, me shishe e shiringa. Të shtunën sollën mbetje që i groposa unë, mbetje të thertores. Të mërkurën, mbas ca ditësh erdhën lopë. Thashë unë, si ka mundësi, kur erdhi fadroma përpara që do të hapte gropën.

Fiksi – Sa veteriner ka bashkia?

Punonjësi i landfillit – Tre janë, dy në thertore një në qendër.

Fiksi – Si i kanë lënë banorët me i gropos o vëlla?

Punonjësi i landfillit– Ku merr vesh banori, ku merr vesh banori.

Fiksi – I sjellin në mënyrë të fshehtë si duket?

Punonjësi i landfillit– Po të fshehtë, po të hapet muhabeti, se do vijnë u dolën para, vijnë gazetarët e të gjitha.

***

Bisedë me veterinerin e Bashkisë Lushnje

Fiksi – Doktor si je? Do të pyes për problemin e brucelozës, di gjë ka këtë vite ka probleme?

Veterineri i Bashkisë Lushnje – Për brucelozën duhet të bësh vaksinën. Vaksina mbulon brucelozën zotëri, nuk ka mjekime bruceloza. Bruceloza po u shfaq, aty je i detyruar të shuhet tufa komplet, do shuhet tufa komplet. Sepse një e sëmurë në tufë, pretendohet se është shumë ngjitëse ajo, shumë ngjitëse edhe kalon në karantinë. Paguan shteti në rastet e brucelozës. Problem ka dhe ka pasur miku im.

Fiksi – Që janë shfaqur dhe tani?

Veterineri i Bashkisë Lushnje – Po jo ore, probleme të brucelozës në Lushnje kanë qenë.

Fiksi – Ka qenë edhe më përpara?

Veterineri i Bashkisë Lushnje – Të paktën në periudhën e demokracisë dhe këtej. Se më përpara nuk është njohur asnjëherë bruceloza në kohën e monizmit. Sepse i nënshtroheshin vaksinave në mënyrë…

Fiksi – Takova njërin që punon tek mbeturinat më tha kena gropos ça je duke marrë në Lushnje më tha mua, tani i kena gropos.

Veterineri i Bashkisë Lushnje – Po, po kanë ardhur nga Vlora, kanë ardhur nga Vlora. Të shtunën u groposën, a të shtunë a të diel, diçka e tillë. Edhen nga Tragjasi i Vlorës. Erdhën 60 krerë nga Tragjasi i Vlorës.

Fiksi –Edhe i groposet aty?

Veterineri i Bashkisë Lushnje – Mbeturinat, të brendshmet e lëkurat, këmbët e të gjitha çfarë janë kokat.

Mishi i kafshëve me brucelozë dhe tuberkuloz shkon në burg. Veterineri: Bëhet edhe sallam!

 

Pas problematikës së hedhjes së lopëve dhe të brendshmeve të tyre në landfillin e Lushnjes, gazetarët e Fiks Fare shkuan në thertore, e cila administrohet nga një subjekt privat. Në këtë thertore qëndrojnë edhe dy veterinerë të Bashkisë Lushnje. Kudret Gjyshja thotë se “nëse në certifikatë diagnoza është brucelozë dhe ne jemi të detyruar ta shkruajmë në raport brucelozë”. Sipas tij, të brendshmet, zorrët, mëlçi, mushkëri, veshka, shpretkë, këmbë dhe kokë, duhet të groposen. “Ne i groposim me komision nga AKU nga inspektoriati veteriner dhe një punonjës këtu. Gropa nuk dezinfektohet. Gropa bëhet e thellë, dy metra e gjysmë. Këto hidhen në landfill të bashkisë në Lushnje, që e ka miratuar bashkia” thotë ai. Z.Gjyshja thotë se në landfill janë hedhur vetëm konfiskate. “Jo lopë, absolutisht. Nëse do të ishin hedhur lopë, raporti duhet të dilte nga ne. Ne edhe kur i groposim i bëjmë me procesverbal. S’bëhet llaf për lopë të groposura” thotë ai, ndryshe nga sa deklaron shoferi i fadromës së landfillit. Sipas veterinerit, nëse mbetje të këtyre lopëve hidhen në ambient të hapur, ka rrezik të përhapet sëmundje, pasi bruceloza dhe tuberkulozi janë viruse.  Ndërkohë, pyetjes se çfarë ndodh me mishin e lopëve të sëmura, veterineri thotë se ai konsumohet. “Dyqanet dhe konsumatori njoftohen se në raport është shkruar gjithçka. Në dyqane nuk shitet absolutisht. I çohet qendrave të rihabilimit. Por, ky mish ka kusht. Duhet zier  para se të konsumohet. Është raporti që e ka të identifikuar se çfarë ka mishi. Raportin e ka institucioni, jo kuzhinieri” thotë veterineri. Ndërkohë, ai thotë më tej se mishi nuk shkon në dyqane mishi, por shkon në burgje. Një punonjës tjetër i thertores thotë se mishi i lopëve të sëmura bëhet sallam.