Skandali i koncesionit të Rrugës së Kombit ndëshkon Kosovën dhe favorizon Serbinë

493
Si shumë koncesione të tjera, edhe koncesioni për mirëmbajtjen e rrugës Durrës-Kukës shoqërohet me hije të forta dyshimi dhe që flet për afera korruptive mes drejtuesve të lartë të dikasterit të Transporteve dhe kompanisë fituese. Gazeta disponon dokumente zyrtare, që provojnë se pas propozimit të Ministrisë së Transporteve, qeveria do të miratojë një tarifë të paktën 25 për qind më të lartë edhe se sa tarifa maksimale e propozuar nga konsulenti ndërkombëtar, i cili ka hartuar strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri. Në strategjinë e përgatitur nga kompania “Egnatia Odos” dhe “Euroconsultants” me kërkesë të qeverisë shqiptare, është sugjeruar që tarifat e pagesës në rrugët e Shqipërisë të mos kalojnë 0.035 euro për kilometër ose e thënë ndryshe 3.5 euro për 100 kilometra si niveli maksimal i përballueshmërisë nga qytetarët. “Konsulenti përkrah që shtesa e ngarkesës e krijuar në buxhetin e familjes nga norma e tarifimit më pak se 0.035 euro për kilometër është krejtësisht e përballueshme. Normat ndërmjet 0.01 – 0.025 euro për kilometër mund të konsiderohen të përballueshme nga familja mesatare shqiptare”, thuhet ne dokumentin që disponon gazeta. Por në koncesionin për “Rrugën e Kombit”, përkatësisht në segmentin Milot-Morinë, qeveria ka vendosur një tarifë kalimi 5 euro për një gjatësi totale prej 114 kilometrash. Kjo do të thotë se tarifa në këtë rrugë do të jetë 4.3 euro për 100 kilometra ose 25 për qind më shumë nga niveli maksimal, që ka rekomanduar konsulenti ndërkombëtar. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht në rrugën Milot-Morinë, trafiku ditor luhatet nga 5 mijë deri në 10 mijë mjete në ditë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga konsulenti, vendosja e një tarife prej 0.035 euro për kilometër do të ulë me gati 12 për qind fluksin e lëvizjes në këtë rrugë duke patur pasoja jo vetëm për turizmin, por edhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës duke favorizuar kështu Serbinë.
Përzgjedhja e turqve për koncesionin
Ministria e Transporteve njoftoi se ka përzgjedhur kompaninë fituese për autostradën Milot-Morinë, që është kompania turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”. Kjo kompani paraqiti ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 euro. Kështu, kjo kompani do të marrë me koncesion këtë aks për 30 vjet, duke vendosur një taksë për automjetet që do të kalojë. Taksa që do të duhet të paguajnë autoveturat do të jetë 5 euro për çdo makinë. Kjo tarifë konsiderohet tepër e lartë nga qytetarët, të cilëve u duhet të udhëtojnë në atë rrugë, duke pasur parasysh edhe tarifat në vendet e tjera të rajonit. Ndërsa, për banorët përreth zonave që ndodhen përgjatë kësaj autostrade, Ministria e Transporteve po punon që kalimi të jetë falas ose me një tarifë të vogël simbolike, të cilët do të pajisen me kartë. Sa u përket automjeteve të shërbimeve, të tilla si autobusët, furgonët, kamionët që kryejnë këtë aks disa herë në ditë, kjo pjesë ende nuk është negociuar me kompaninë turke. Në muajt shtator-tetor 2016 pritet që të diskutohet kontrata mes Ministrisë dhe kompanisë për të bërë kategorizimet e sakta për automjetet dhe çmimet respektive. Tarifat për këtë kategori, pra për autobusët e kamionët do të jenë më të larta se 5 euro, por kufiri i saktë mbetet se do të përcaktohet në shtator-tetor nga bisedimet. Pas vendosjes së këtyre tarifave, aplikimi i pagesës për këdo që do të kalojë në autostradën Milot-Morinë do të fillojë 6 muaj më vonë.
Sigal