Skandali i investimeve me rrugët Aksi Korcë- Ersekë: Lotit të Parë po i çahen muret, në dy lotet e tjera nuk punohet

785
Sigal

Rruga Korçë – Ersekë: Lotit të Parë po i çahen muret, në dy lotet e tjera nuk punohet

Nga Vepror Hasani

Një vit më parë, në qershor të vitit 2019, kur përfundoi loti i parë i rrugës Korçë – Ersekë, 17.6 kilometra, dy ministrat pjesëmarrës në përurimin e përfundimit të kësaj pjese rruge, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali premtuan vazhdimin e punimeve edhe për dy lotet e tjera me qëllim përfundimin sa më shpejt të rrugës, mirëpo që nga ajo ditë e deri më sot, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, punimet në lotin e dytë ende nuk kanë filluar, për lotin e tretë nuk bëhet fjalë, ndërsa muret mbrojtës anësorë të rrugës (pjesa e përfunduar), kanë filluar të çahen, gjë që tregon se punimet përveçse nuk janë kryer sipas standardeve bashkëkohore, tashmë po shndërrohen në burim aksidentesh të mundshme për drejtuesit e mjeteve dhe të udhëtarëve që udhëtojnë në këtë rrugë. Banorët e qarkut Korçë, (jo vetëm të qyteteve që përfshin kjo rrugë: Korçë, Ersekë, Leskovik, por edhe banorët e fshatrave), që prisnin të kishin më shumë vizitorë dhe turistë me mbarimin e rrugës, mbetën tejet të zhgënjyer. Sigurisht, për gjendjen e alarmante të mureve mbrojtëse është vënë në dijeni edhe firma kontraktuese e ndërtimit të rrugës, por aktualisht, askush nuk di të thotë nëse muret mbrojtëse do të ndërtohen nga e para, apo do të gjendet ndonjë ndërhyrje tjetër, që logjikisht arnimet duken të pamundura.

 

Përurimi i Lotit të Parë

 

Ditën e përurimit të lotit të parë, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha: “Ky është loti i parë; qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë me optimizimin e buxhetit edhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit; sepse ne jemi duke i hapur të gjitha kantieret e reja gjatë këtij viti, besoj se vitin tjetër do të jetë e mundur dhe fillimi i lotit tjetër për Ersekë, gjë që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë. Programet e qeverisë shqiptare për infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë, dhe ne atë që kemi thënë do ta bëjmë realitet, që në krye të katër viteve do të përfundojmë të gjitha kantieret e hapura, dhe do të mbyllim çdo vepër që po hapim tani, që Shqipëria të ketë një rrjet të vërtetë rrugor me të gjitha parametrat që duhen”.
Ndërsa ministrja Spiropali, në një takim me banorët e Kolonnjës u bëri me dije se shumë shpejt do të fillonte ndërtimi i lotit të dytë Korçë –Ersekë, por në të vërtetë kjo gjë nuk ndodhi. Tashmë qarkullimi në këtë rrugë është bërë edhe më i vështirë edhe më pak i sigurt. Fondet për ndërtimin e kësaj rrugë shkojnë mbi 2 miliardë lekë.

 

Dy lotet e tjera

 

Dy lotet e tjera, që nga Qafa e Qarrit, ku aktualisht ka ngecur rruga e deri në qytetin e Ersekës, janë bërë edhe më të vështira nga sa ishin më parë, sepse nisur nga premtimi që kjo rrugë do të përfundonte, mbeti edhe pa mirëmbajtje, në një kohë kur kësaj rruge mirëmbajtja i kishte munguar prej vitesh. Për pasojë, gjatë stinës së verës drejtuesit e mjeteve përballen me gropa në gjithë gjatësinë e rrugës, me mungesë asfaltit, me pluhur, me defekte të mjetit, dëmtim të amortizatorëve, gomave etj. Po kaq e lodhshme, kjo rrugë, mbetet edhe për të moshuarit dhe fëmijët dhe shumë më tepër se kaq për të sëmurët, që nisen në drejtim të spitalit të Korçës; kurse gjatë dimrit, rruga shndërrohet në tmerr për të gjithë drejtuesit e mjeteve, sepse bora e madhe që bie në këtë qafë mali, erërat e forta që fryjnë, temperaturat e ulëta, pjerrësia e rrugës dhe rrëshqitja bëhen të papërballueshme dhe të frikshme, pasi me daljen nga rruga mund të përfundosh vetëm në përrenj.

 

Edhe pjesa e përfunduar me probleme

 

Tashmë edhe pjesa e përfunduar, (loti i parë), ka probleme. Defektet e saj nisën kohë më parë. Prej shpateve të kodrave, për shkak të mungesës së rrjetave mbrojtëse, gurët rrokulliseshin mbi rrugë. Për drejtuesit e mjeteve çdo gur i rrëzuar ishte një e papritur, pasi në këtë segment rruge makinat ecin me shpejtësi më të madhe. Vendosja e masave të sigurisë së rrugës është detyrim i kompanisë kontraktuese, e cila mban përgjegjësi deri në dorëzimin e plotë të saj. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, filloi edhe çarja e mureve mbrojtëse. Dëmtimi i tyre është i dallueshme në gjithë pjesën e rrugës, ku mbrojtja sigurohet prej mureve të betoni. Nëse nuk vihet dorë në kohën e duhur, nuk është çudi që edhe muret të shemben mbi asfalt, pasi pesha e dheut mbi muret mbrojtëse, rrezikon t’i zhvendosë ata; dhe sado e vogël të jetë zhvendosja, parametrat e tyre nuk do të jenë më ato që kërkon një rrugë që është e rrezikuar nga shpatet në të dy anët e saj. Ndërtimi i rrugës nisi në vitin 2013, ka vetëm 14 muaj që përfundoi. Pjesa më e vështirë e saj u bë me tri korsi; dy në ngjitje dhe një në zbritje, me qellim përballimin e kushteve atmosferike që ka zona: borën e madhe dhe temperaturat e ulëta. Tashmë gjithë rruga Korçë – Ersekë mund të konsiderohet e pasigurt, ndërsa nuk po flitet më për vijim të punimeve në dy lotet e tjera.