Skandali i ilaçeve nuk u denoncua nga Anti-Korrupsioni në Kryeministri

655
Skandali i rimbursimit të ilaçeve, sipas burimeve të djeshme të gazetës “Telegraf” të marra prej zyrës së hetimit të skandalit në fjalë, po konfirmohet se e ka “rezidencën” vetëm në Zyrën Anti-Korrupsion të Kryeministrisë, ideuar dhe realizuar prej shefit të kësaj zyre, ekzemplarit Ergys Hoxha, personazhit që ka në duar dhe drejton gjithë “fijet” e krimit ekonomik në energji, në shëndetësi, arsim, në miniera, në polici, ushtri e madje deri në ndërmarrjet e ujësjellësit, duke përdorur në mënyrë abuzive edhe emrin e kryeministrit Edi Rama, me qëllim për të pasur liri abuzimi. Pikërisht prej interesave dhe shefit të korruptuar të zyrës shtetërore anti-korrupsion Ergys Hoxhës, ka nisur skandali edhe me rimbursimin e ilaçeve, denoncuar edhe prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tashmë objekt debati e provë faktike, që po trajtohet edhe prej institucioneve drejtuese të BE, të cilët gjenden përballë dilemës, nëse duhet të hapin “portën” e negociatave përfundimtare integruese me Shqipërinë.
Fakti/ 1245 denoncime, që u zhdukën prej Zyrës Anti-korrupsion
Ka një fakt të plotë e të konfirmuar tashmë, që nuk kërkon shumë koment. Në Zyrën Anti-Korrupsion në Kryeministri, nëpërmjet “Postës Anti-korrupsion”, të hapur 4 muaj më parë, kanë mbërritur 1245 denoncime, të bëra në lidhje me rimbursimin fals të ilaçeve me receta fiktive, të lëshuara nga mjekët që përfitonin në bashkëpunim me ”bosët” e farmacive e të depove farmaceutike, të lidhur me shtetarët dhe shefat e shëndetësisë, fije që shkonin deri tek ministri Ilir Beqja, kishin ndërtuar skemën e përfitimit financiar nëpërmjet falsifikimit të recetave, me objekt rimbursimin e ilaçeve që as hynin në Shqipëri dhe as shiteshin në farmacitë ku dërgoheshin recetat false, të lëshuara me vulat dhe firmat e mjekëve që bënin këtë biznes të pisët, vlera e të cilit arrinte në 7 milionë lekë të reja në farmacinë me kapacitet më të vogël. Skandali ka përfshirë 73 ilaçet e sëmundjeve të rënda deri kancerogjene, ndër to edhe insulinat, të cilat përbëjnë konsumin me të madh prej pacientëve të çdo grup moshe, kryer si abuzim në 8 qarqe, në 21 rrethe dhe 47 qytete e 145 komuna. Por denoncimet e bëra në Zyrën Anti-korrupsion, janë zhdukur nga shefi i Zyrës Anti-Korrupsion në Kryeministri, “trimi” që ushtroi edhe dhunë mbi Policinë e Shtetit, në momentin që u kap me makinë me targa false. Pas fshehjes së 1245 denoncimeve të bëra nga farmacistët dhe mjekët, të cilëve u ishin marrë vulat prej ISKSH, me urdhër të ministrit Beqja, gjoja për t’u pajisur me vula të reja, ka nisur krimi me ilaçet, duke i përdorur ilegalisht e abuzivisht për të realizuar skemën e korrupsionit vjedhjes së vlerave të rimbursimit të ilaçeve, e cila deri dje ka kapur shifrën 8.9 miliardë lekë. Kreu i Zyrës Anti-Korrupsion Ergys Hoxha, jo vetëm që nuk i ka bërë prezent 1245 denoncimet për këtë aferë korruptive, por edhe i ka zhdukur, duke bashkëpunuar me bosët e farmacive që kryenin krimin e rimbursimit fiktiv. Cili ishte rezultati i fshehjes së krimit? 
Raport fals i zyrës Anti-Korrupsion
Raporti i hartuar dhe i publikuar nga Zyra Anti-Korrupsion në Kryeministri, paçka se prej shefit të kësaj zyre Ergys Hoxha, thuhet se e ka miratuar edhe kryeministri Rama, gjithë përmbajtja e këtij raporti është “vepër” e kreut të kësaj zyre. Raporti është hartuar me akuza false për farmaci që nuk kanë asnjë lidhje me krimin e rimbursimit të ilaçeve. Në këtë raport nuk janë publikuar farmacitë reale që kanë abuzuar me rimbursimet false, jo se kreu i Zyrës Anti-Korrupsion Ergys Hoxha nuk i dinte dhe nuk i di, por sepse ka vepruar me klientelizëm, me synimin e plotë për të mos publikuar emrat e farmacive që janë pronë dhe biznes individual e në grup të shtetarëve dhe shefave të mjekësisë shqiptare, farmaci këto që edhe pse dihen se janë epiqendra e krimit të rimbursimit të ilaçeve, vazhdojnë aktivitetin e tyre jashtë kontrollit të shtetit. Në raportin e paraqitur, janë deklaruar numër i vogël farmacish gjoja “abuzatore”, por me shifra të mëdha abuzimesh të sajuara në vlera financiare rimbursimesh., duke mos pasqyruara përmasat reale në miliarda lekë rimbursime që kanë bërë farmacitë e shtetarëve. Sipas burimeve që disponon gazeta “Telegraf”, në Tiranë janë 100 farmaci që kanë vlerë rimbursimi mujore deri në 7 milionë lekë. Pikërisht këto vlera rimbursimi të këtyre farmacive nuk janë deklaruar asnjëherë, përkundrazi janë fshehur dhe vazhdojnë të bëhen me receta false prej tyre. Janë farmaci që nuk kontrollohen prej vitesh, mbasi janë pronë dhe biznes i bosëve të shtetit, të cilët përdorin fuqinë për t’i shpëtuar kontrollit të aktivitetit që kryejnë. Kreu i zyrës antikorrupsion në kryeministri është bërë palë me to, jo si sekser, por si përfitues prej abuzimit të tyre, duke mos i pasqyruar në raport. Ka një fakt tjetër skandaloz: mjekët të përfshirë në skandal, kanë ushtruara një veprimtari abuzive me recetat e rimbursimit të ilaçeve dhe këta janë mjekët e lagjeve, të cilët kanë plotësuar recetat fiktive për gjoja ilaçe të rimbursuara të cilat i dërgonin në farmacitë që realisht kanë kryer krimin e rimbursimit fiktiv, duke lëshuar receta false rimbusimi me emrat e të afërmve të tyre, të cilët i regjistronin si të sëmurë për efekt përfitimi ilaçesh me rimbursim pa ilaçe! Një mjek familjeje në lagje, në njësi bashkiake, mesatarisht ka firmosur e vulosur 3000 receta në muaj. Bëni llogarinë dhe del se sa është abuzimi me rimbursimin. Në Tiranë, janë 437 mjekë familjeje të cilët kanë të drejtën për të lëshuar receta rimburisimi ilaçesh, në 479 farmaci. Ka ardhur momenti, që pas skandalit të publikuar, prokuroria të nis hetimet, për të zbardhur të vërtetën, duke hetuar veprimtarinë e rimbursimit të ilaçeve në 100 farmacitë të cilat kanë abuzuar realisht me rimbursimin e ilaçeve. Këto farmaci, nuk figurojnë në raportin fals të hartuar prej kreut të Zyrës Antikorrupsion në Kryeministri, tutorit të korrupsionit Ergys Hoxha. Shtrohet pyetja: A janë kontrolluar realisht këto 100 farmaci pronë e ministrit Beqja, të klanit të tij, të familjarëve të tij, të ministrave, deputertëve dhe familjarëve të tyre, të drejtuesve të ISKSH dhe DDRSKSH? Nëse po, kur janë kontrolluar, çfarë ka rezultuar dhe përse nuk janë pjesë e raportit fantazmë ”Ergys Hoxha”? Nga burimet e Gazetës “Telegraf”, rezulton se këto farmaci dihet që ushtrojnë veprimtari abuzive me rimbursimin dhe që janë epiqendra e këtij skandali të rëndë shtetëror, por nuk janë kontrolluar, madje, ka informacione, që për to hartohen raporte kontrolli sikur janë në rregull me ligjin, ose sikur nuk ekzistojnë fare në veprimtarinë e tyre të tregut të ilaçeve edhe pse ekzistojnë dhe veprojnë realisht. Mendojmë se ka ardhur koha, që KLSH të nis një aksion kontrolli për të zbardhur të vërtetën e veprimtarisë abuzive të këtyre farmacive që kanë realizuar skandalin e rimbursimit fiktiv të ilaçeve, të cilat në raportin shtetëror të Zyrës Antikorrupsion në Kryeminsitri, nuk janë publikuar qëllimisht prej kreut të saj Ergys Hoxha, si aferë klienteliste dhe fshehje e krimit real. 

Ja 8, nga 193 farmacitë që duhet të ishin në raportin anti-korrupsion
1. “Kami”
2. “Geni-Lori”
3. “Kolis”
4. “Nikol 1”
5. “Nikol 2”
6. “Skuraj”
7. “Gledis”
8. “Lindi”
Sigal