Skandali i ilaçeve mbush 1 vit duke mbushur xhepat e ministrit dhe kodoshëve të tij

152
Në muajin maj 2015, 1 vit më parë, shpërtheu skandali me rimbursimin e ilaçeve, ku u arrestuan disa prej drejtuesve të lartë të cilët ende nuk kanë mbaruar punë me organet e drejtësisë. Opozita e quajti “supervjedhja me ilaçet e rimbursueshme” e cila kapte vlerën e mbi 7 milionë euro. Më 9 korrik 2015 kryeministri Rama, u detyrua të fliste lidhur me skandalin e rimbursimit të barnave. Ndonëse i njohu “meritën” qeverisë për zbulimin e kësaj afere korruptive, pranoi për herë të parë se “administrata e tij nuk është e painfektuar nga vullnetet negative të individëve për të përfituar nga sistemi”. Por historia e kontrabandës me ilaçet e shqiptarëve vazhdon edhe sot e kësaj dite. Duke ndjekur me kujdes disa prej proceseve duke nisur nga rimbursimi, furnizimi dhe shitja e ilaçeve në Elbasan, të krijohet bindja se historia e skandalit vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mjafton të takosh dhe të ulesh me qytetarët, kryesisht me pensionistët, apo ata që kanë sëmundje kronike në vite që duhej të përfitonin nga rimbursimi i ilaçeve. Pensionisti Sami V. ish-ushtarak u shpreh se “unë marr ilaçet e çdo muaji, marr ato më të lirat në çmim me recetë, por kam konstatuar se pavarsisht se në çmim më duket se paguaj njëlloj, sikur të kisha marrë ilaçe të shtrenjta, mua nuk më bëjnë efektin e duhur”.

 Kurse Meleqe H. një grua rreth të 60-tave u shpreh se “sipas ligjit çdo pensionist gëzon të drejtën që përmes sigurimeve shëndetësore, shteti të na rimbursojë paratë që shpenzojmë për të blerë ilaçet e nevojshme për çdo muaj, por nuk ndodh kështu mjekimi që duhet të marrë pensionisti është përcaktuar nga mjeku ku është vizituar dhe që i ka diagnostikuar sëmundjen, me ilaçet e caktuara nga mjeku, ndaj ne shkojmë tek mjeku familjes, dhe pastaj tek specialisti”. Pensionisti pasi shkon tek specialisti, ky i fundit përpilon listën e ilaçeve në përputhje me listën e ilaçeve që rimbursohen, kurse mjekja e familjes i mbush atyre recetën çdo muaj. Pensionisti me këtë recetë shkon tek farmacia që ka kontratë me sigurimet shëndetësore. Por në kushtet e varfërisë së shumicës së shqiptarëve, është e natyrshme që, në listë nuk do të përfshihen ilaçet e shtrenjta, por më të lirat në çmim. Por pikërisht këtu rinis edhe skema e vjedhjes. Në Elbasan ka qindra pensionistë që janë të detyruar të marrin ilaçe të tjera, që nuk figurojnë në listën e atyre që rimbursohen. Prej afro 1 muaji nga Ministria e Shëndetsisë ka ardhur një “urdhër” që u ndalon farmacistëve për të bërë zëvendësimin e ilaçeve me të tjera. Vetë farmacistët shprehen se “shkaku i këtij urdhëri mund të jetë fakti që të mos u lejohet atyre që të përfitojnë atë shtesë që paguanin pensionistët, por ata që dëmtohen nuk janë farmacistët, por pensionistët”.

 Pensionisti, në vend që të marrë falas të gjitha ilaçet, tani detyrohet që jo vetëm të mos përfitojë atë ndihmë, por edhe të paguajë të tjera nga xhepi. Rrjedhimisht nga “urdhëri” i Ministrisë Shëndetsisë po përfiton vetëm sekseri që shëtit me mjetin e tij të ardhur nga Tirana çdo ditë në pothuajse të gjitha farmacitë e Elbasanit, duke i furnizuar me ilaçe kontrabandë ato. Pensionistët në Elbasan, urdhëri i Beqajt i detyron të sakrifikojnë një pjesë të pensionit të tyre për të blerë ilaçet që u duhen, por edhe farmacistët kanë fitim të madh, sepse shesin shumë më tepër ilaçe për një pensionist, në krahasim me periudhën përpara daljes së tij. Përfitojnë edhe shumë kompanitë farmaceutike që importojnë ilaçe me çmime të ulëta, prej atyre që rimbursohen, ilaçe që janë prodhuar në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, dhe deri në Indi dhe Vietnamin e largët, dhe që futen kontrabandë tek ne. Të tilla fakte flagrante tregojnë se skandali me ilaçet e rimbursueshme nuk është mbyllur, por është thelluar, duke mbushur me miliona xhepat dhe thasët e fryrë të qeveritarëve. 

Alma Paparisto