Skandali, hajdutja e Postës Novoselë, punonjëse në Doganën e Vlorës

520
Sigal

Shteti i shtrëngon lakun të përmbyturve të fshatit Bishan. Punonjësja e postës ka përvetësuar paratë e tyre, OSHEE i nxjerr debitorë

  “Mirë gomari që na ngordhi, po nuk na lenë as mizat rehat”. Kjo është shprehja popullore që parashtron më së miri situatën problematike në të cilën ndodhen banorët e fshatit Bishan në komunën Novoselë të Vlorës, ende nën pushtetin e ujit. Këta banorë fatkeqë, të cilët kanë humbur gjithçka kanë ndërtuar me mund e me djersë për shkak të një kapriço të natyrës, sot duhet të përballen edhe me pretendimet e OSHEE-së. Përtej fatkeqësisë së humbjes së shtëpive, bagëtive e pasurive të tyre, OSHEE i ka nxjerrë debitorë, duke i kërkuar të ripaguajnë fatura, të cilat i kanë paguar një herë. Banorët e fshatit Bisham, jo vetëm që nuk po e ndjejnë dorën e ngrohtë të qeverisë, por po ndjejnë që t’u shtrëngohet laku çdo ditë e më shumë. Po, si qëndron problemi i tyre?

 Një histori, përtej fatkeqësisë

Banorë të fshatit Bishan, padrejtësisht, janë quajtur debitorë nga OSHEE, edhe pse në librezën e tyre të energjisë konstatohet se janë pagues të rregullt dhe nuk kanë lënë asnjë detyrim mujor pa paguar. Ata shprehen se OSHEE Vlorë, në mënyrë të padrejtë e të paligjshme, u kërkon të ripaguajnë konsumin e energjisë nga viti 2007 e në vijim. Banorët e fshatit Bishan pretendojnë se OSHEE i ka nxjerrë debitorë pikërisht në periudhën kur në Zyrën Postare të Novoselës, ku ata paguajnë faturat e energjisë elektrike, ka punuar znj. Liza Myeti. Çuditërisht, OSHEE në vend që këtë detyrim t’ia kërkojë Postës, apo më saktë punonjëses së postës, ia kërkon qytetarëve duke i nxjerrë ata debitorë, edhe pse kanë paguar rregullisht për këtë shërbim. Gjithashtu, bëhet e ditur se një nga “debitorët”, banor i Bishamit ka ripaguar, edhe një herë faturat e energjisë për biznesin e tij, pasi kërcënohej me shkëputje të energjisë elektrike, gjë që do të sillte për pasojë shkatërrimin e biznesit të tij. Por OSHEE nuk mban përgjegjësi për veprimet e veta. Nëse vërtetohen pretendimet e këtij banori të fshatit Bishan, a do ia kthejë OSHEE paratë e tij, apo do i përvetësojë, duke ndjekur shembullin e punonjëses së postës?! Madje, madje, situata ka degjeneruar më tej, pasi për t’i shpëtuar arrestimit të tyre nga forcat e policisë (për shkak të faturave të papaguara), “debitorët” janë detyruar të fshihen, edhe pse pa faj.

Mënyr Beqiri

Z. Beqiri është një nga banorët e Bishanit, të cilin OSHEE e ka quajtur me të padrejtë debitor. Ai tregon se për periudhat që i kërkohet të paguajë nga OSHEE, ka qenë punonjësja e Zyrës Postare Novoselë, znj. Liza Myeti, e cila ka nënshkruar dhe vulosur librezën e energjisë. Z. Beqiri ka vënë në dispozicion librezën e tij të energjisë elektrike, e cila vërteton pretendimet e tij.

Llazar Aliaj

I njëjtë me bashkëfshatarin e tij është dhe pretendimi i z. Aliaj. OSHEE i kërkon atij të ripaguajë detyrimin, pikërisht për periudhat kur pagesat i bënte te punonjësja e Zyrës Postare Novoselë, Liza Myeti. Z. Aliaj përpos librezës së tij të dritave, ku duket qartë se ai është një pagues i rregullt i energjisë elektrike, ka vënë në dispozicion edhe pasqyrën e debisë së tij nga OSHEE, ku faktohet se punonjëse e Zyrës Postare Novoselë ka qenë pikërisht znj. Myeti për periudhën kur qytetari është quajtur debitor ndaj OSHEE-së.

Dervish Balili

Një tjetër emër që i bashkohet problemit të mësipërm. Ndërsa libreza e dritave vërteton se ka paguar rregullisht energjinë elektrike, OSHEE e ka nxjerrë debitor në periudhën kur detyrimet energjetike ia ka besuar punonjëses së Zyrës Postare Novoselë, znj. Liza Myeti.

 

Kush është znj. Liza Myeti?

Sipas banorëve të fshatit Bishan, znj. Liza Myeti ka qenë punonjëse në Zyrën Postare Novoselë. Çuditërisht, këta banorë kanë rezultuar debitorë sipas OSHEE-së, pikërisht në kohën kur kjo ka punuar në këtë zyrë postare dhe ka firmosur e vulosur librezat e tyre të dritave. Banorët e Bishanit, sipas dokumentacioneve bazë, siç është libreza e dritave, rezultojnë të jenë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Ata e quajnë të turpshme dhe të pandershme kërkesën e OSHEE-së për të ripaguar energjinë që e kanë paguar një herë tashmë. Banorët e Bishanit akuzojnë znj. Liza Myeti se ka përvetësuar paratë e tyre, duke mos i derdhur në OSHEE dhe për këtë ata rezultojnë debitorë me pa të drejtë. Ata kërkojnë që OSHEE t’i kërkojë këto para, pikërisht nga ajo që i ka përvetësuar me pa të drejtë, znj. Liza Myeti. Sipas banorëve të fshatit, znj. Myeti është proceduar penalisht për vjedhje në vitin 2010 dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Madje, për ironi të fatit, kjo zonjë, jo vetëm që nuk është ndëshkuar për hajdutërinë e saj, por është promovuar (graduar), duke u punësuar në Doganën e Vlorës. “Tashmë, ajo është në vendin e duhur për të bërë para (vjedhur), se “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, thonë banorët e Bishanit, të cilët nuk dinë ku të përplasen me hallin e madh që i ka zënë.

Avokati i Popullit në mbrojtje të “debitorëve” të OSHEE-së dhe Lizës së postës

 Avokati i Popullit, z.Igli Totozani gjatë vizitës së tij në zonat e përmbytura në Novoselë, në Fitore dhe në Bishan, u njoh edhe me shqetësimet e banorëve. Banorët e Bishanit, përveçse shprehën shqetësimet për humbjet e tyre për shkak të përmbytjes, e njohën edhe me pretendimin e OSHEE-së për të ripaguar energjinë, edhe pse, sipas librezës së dritave, rezultojnë pagues të rregullt të energjisë. Në komunikim me ta, z. Totozani u premtoi mbështetje të plotë dhe shqyrtim sa më të shpejtë të rastit të paraqitur nga ata.