Skandali / “Emin Duraku”, dy akt-ekspertime të ndryshme brenda 24 orësh. Cili nga dokumentet është fals?

1168
Sigal

Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë është konsideruar një nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Por çudia me objektin shkollor është se në dy akt-ekspertime të Institutit të Ndërtimit, që mbajnë firmat në njërin rast të dy inxhiniereve, dhe janë sigluar nga drejtori Agron Hysenlliu, dhe në rastin e dytë të inxhinier Agron Hysenlliut, jepen përfundime të ndryshme.

Kështu në kontrollin e ushtruar në datën 3 dhjetor, me grup inspektimi inxhinieret Mimoza Kola dhe Joana Kaçorri, thuhet “plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë, (te 9 vjeçarja), plasaritje të thella të suvasë në katin e 3-të shtesë (9-vjeçarja)”.

“Dëmtim i parapetit në të gjithë godinën. Shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues (tek cikli i ulët).

Bordi i Shkollës dhe Stafi pedagogjik kërkojnë vendosjen e shkallëve të emergjencës.

Ka dëmtime në strukturë. Të pezullohet aktiviteti derisa të bëhen përforëcimet dhe të kontrollohen të gjithë elementët e nevojshëm konstruktivë, pasi të hiqen suvatë”.

Ky është dokumenti i akt-kontrollit të parë që është bërë në shkollën “Emin Duraku”, ku dy inxhiniere, kanë hartuar raportin që është firmosur edhe nga drejtuesi i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu.

Referuar këtij raporti, me shumë të drejtë prindërit nuk kanë pasur asnjë siguri lidhur me objektin që sot çeli dyert, referuar urdhërit të ministres së Arsimit, për nisjen e vitit të ri shkollor dhe kanë kërkuar nga drejtoria e shkollës të japë garanci.

Sikundër është raportuar, drejtuesit e shkollës gjatë gjithë ditës kanë folur për një tjetër akt-ekspertim, që e klasifikonte objektin si të sigurtë.

Pas shumë orësh është zbuluar ky akt-ekspertim i dytë, i cili mban datën 4 dhjetor, pra një ditë pasi grupi i inxhinierëve kanë dhënë konkluzionet e tyre, dhe që është marrë përsipër nga Agron Hysenlliu.

Ky i fundit duket se ka kryer vetë kontrollin, në rolin e inxhinierit, më pas e ka sigluar shkresën si drejtues i Institutit të Ndërtimit.

Në aktin e ekspertimit të bërë nga Hysenlliu thuhet “tra i dëmtuar në godinën e shtesës, në katin e 3-të, krisje e parapetit në të gjithë perimetrin, plasaritje diagonale në mure dhe korridore klasash në shtesë, shkëputje e godinave në pjesën e bashkimit.

Pjesërisht i pabanueshëm, shtesa e re e pabanueshme, deri në marrjen e masave. Të bllokohet aktiviteti në pjesën e re”.

Pra akt-ekspertimi i dytë duket se ka minimizuar problemin e konstatuar nga kontrolli i parë i ushtruar nga grupi i inxhinierëve.

Çudia është se bëhet fjalë për të njëjtën godinë, dhe referuar shkresave, kontrollet janë kryer në harkun e maksimumit 24 orë. Atëherë lind pyetja, çfarë ka ndodhur në 24 orë me objektin?

A mundet vallë që brenda 24 orësh nga kontrolli i parë te i dyti, të jenë kryer punime që të kenë përmirësuar gjendjen e godinës?

Me shumë gjasa nuk ka asnjë shans për një gjë të tillë. Atëherë çfarë ka ndodhur?

Referuar dy akt-ekspertimeve dhe faktit se kemi të bëjmë me të njëjtën godinë, atëherë njëri nga raportet në rastin më të mirë është ose i zmadhuar, ose i paplotë. Ndërsa në rastin më ekstrem, mundet që të kemi të bëjmë me një falsifikim.

Në akt-ekspertizën e parë janë dy inxhinierë që kanë kontrolluar objektin dhe puna e tyre, apo konkluzionet e dhëna prej tyre, janë sigluar ose pranuar nga drejtuesi i institucionit, në rastin konkret Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit të Ndërdimit.

Atëherë çfarë ka ndodhur 24 orë më pas që e kanë shtyrë Hysenlliun të bëjë një tjetër inspektim, duke marrë edhe rolin e inxhinierit?

Me shumë gjasa, Hysenlliu ka kryer inspektimin e dytë pas zhurmës dhe denoncimeve mbi pasigurinë e godinës. E nëse akt-ekspertiza e parë u publikua me datën 3 dhjetor, pra ditën kur është kryer kontrolli, akt-eskpertiza e dytë është publikuar me 5 ditë vonesë, çka ngre pikëpyetje të shumta.

Ndërkohë Hysenlliu shprehet se ka kërkuar restaurimin e objektit dhe më pas nisjen e mësimit.

Të dy dokumentet në fund mbajnë firmën e Hysenlliut me cilësinë e drejtorit, i cili duhet të ndajë mendjen se cilin nga këto dokumente do të cilësojë si përfundimtar dhe zyrtar.

Marrë nga Boldnews.al