Skandali: 40% e hekurit nuk jep siguri në rast tërmetesh

751
Përballë deklaratës me firmë e me vulë: “Jemi në rregull me ligjin dhe me aktivitetin”, që një javë më parë Kompania “Kurum” ka dërguar në Gazetën “Telegraf”, shoqëruar edhe më kërcënimin “Mbyllni gojën, ose do t’ju çojmë në gjyq”, lidhur me dosjet e zeza të krimit të kësaj kompanie abuzatore që gazeta ka publikuar e do të vazhdojë të publikoj pa asnjë tërheqje përballë presionit që i bëhet, sot po publikojmë faktin, që vërteton atë që ka denoncuar gazeta “Telegraf”, që “Kurum” e zhytur në skandale ekonomike financiare, madje deri krime me mjedisin dhe me cilësinë e sigurisë së prodhimit të saj të hekurit e çelikut, është një kompani e privilegjuar dhe e mbrojtur nga duartë e pista të shtetit shqiptar për çdo abuzim. Pa bërë asnjë koment, po publikojmë sot, një procesverbal të mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe Tregtisë, data 28 qershor 2010, ku është thirrur për raportim kompania “Kurum” e cila pranon faktin se prodhon dhe shtet hekur, i cili në masën 40% nuk jep siguri qëndrueshmërie në rast tërmetesh. Anëtarët e komisionit parlamentar që kanë drejtuar këtë mbledhje dhe ata që kanë diskutuar “me zë” dhe “pa zë”, rezulton se janë pjesë e një falsiteti në mbrojtje dhe tolerim të kompanisë “Kurum”, jo vetëm për cilësinë dhe sigurinë e hekurit me të cilin janë ndërtuar pallatet në Shqipëri e Kosovë, por edhe për tregun e skrapit, për TVSH, për sigurimet shoqërore të punonjësve,. Për pagat, për krahun e lirë të punës të “skllevërve” shqiptarë dhe pagat e larta të punonjësve turq që punojnë në Elbasan të cilat deri 3-4 herë më të larta se të shqiptarëve, për mjedisin e helmuar etj. Po publikojmë pjesën e parë të kësaj mbledhjeje pa asnjë ndryshim: 
Drejton mbledhjen:
Jemin Gjana, kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Seancë dëgjimore me përfaqësues të kompanisë “Kurum” 
Marrin pjesë: Jemin Gjana, Ilir Bano, Ardian Turku, Bedri Hoxha, Besnik Dushaj, Rrahim Çota, Gëzim Dibra, Ismail Hoxha, Eduard Shalsi, Artan Gaçi, Blendi Klosi, Kreshnik Çipi, Selami Xhepa dhe Fatos Tusha.
Mungojnë: Ardian Kollozi, Hazir Gashi, Sybi Hida, Dashamir Tahiri, Osman Metalla, Gjok Jaku, Besnik Baraj, Ilir Beqja, Ndue Kola dhe Sadri Abazi.
Të ftuar: 
Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”.
Kybilaj Ençare, përfaqësues i kompanisë “Kurum”.
Alban Bala, konsulent i kompanisë “Kurum”.
Haxhihasan Saraçi, përfaqësues i kompanisë “Kurum”.
Hapet mbledhja….
Miratohet procesverbali.
Jemin Gjana: Sot, ne do të dëgjonim raportimin e ministrisë së Integrimit, lidhur me projekt-strategjinë kombëtare për pronësinë industriale dhe intelektuale, por u detyrova që të bëj një ndryshim në kalendar, sepse ditën e premte zëvendësministri i Mjedisit më kërkoi që të ndalohet diskutimi, sepse Departamenti i Strategjive në Këshillin e Ministrave, pasi e ka shqyrtuar, ka disa vërejtje, që lidhen me plotësimin e mëtejshëm të standardeve dhe direktivave. Gjithashtu, ai i ka kërkuar ministrisë së Integrimit që të rishqyrtojë disa prej këtyre çështjeve. Mua më duket e arsyeshme që ata të bëjnë këto përmirësime, me qëllim që drafti që do të shikojmë, të jetë i tillë, që të plotësojë edhe këto çështje.Ai material qëndron, mund të mos sjellin draftin e plotë, por vetëm ndryshimet. Në momentin që ata do ta sjellin, ne do ta vendosim në kalendar për ta rishqyrtuar. Për arsye të këtij ndryshimi, unë përshpejtova seancën dëgjimore me kompaninë “Kurum”, e cila i është drejtuar komisionin tonë për një gjë të tillë, lidhur me aktivitetin dhe investimet e reja të kësaj kompanie në Elbasan, si edhe për problemet me të cilat ata përballen, si për shembull ato që kanë të bëjnë me tregjet, me cilësinë e prodhimit për tregun vendas dhe pse jo edhe mundësitë e eksportit të produkteve made in Albania. Zoti President i kompanisë, komisioni është i interesuar të dijë edhe çështje që janë sensitive, për të cilat besoj se ju jeni të angazhuar, por edhe vete komisioni, opinioni është i interesuar të dijë për përpjekjet që bëhen krahas investimeve për të rritur produktin dhe cilësinë e tij, ndikimin e këtyre investimeve të rritura në raport me punonjësit, me përmirësimin e kushteve të punës. Do të ishim të interesuar që të kishim informacion edhe për një prej problemeve, që është diskutuar disa herë në komisionin tonë, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë për “Kurum”, por për një sërë biznesesh, të cilat me aktivitetin e tyre kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis. Nuk është vetëm “Kurum” në Elbasan, por ka edhe industri të tjera, për të cilat ne jemi shumë të interesuar të dimë se çfarë projektesh e angazhimesh kanë, lidhur me përmirësimin e situatës mjedisore nga aktiviteti edhe i kompanisë tuaj në këtë qytet, i cili në trashëgiminë e hershme të tij, ka pasur dhe ka jo pak probleme. Fjala është për zotin Zeki Kaya. Pastaj kolegët do të kenë hapësirën e duhur për të bërë pyetje që lidhen me aktivitetin tuaj, por edhe ne do të jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi shqetësimeve tuaja, për t’i përcjellë ato në instancat e duhura, për aq sa janë kompetencë e komisionit që mbulon aktivitetet prodhuese në Shqipëri, edhe të bizneseve, si edhe veprimtaritë e tyre.
Flet përpara deputetëve Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”
Zeki Kaya, President i kompanisë “Kurum”: Faleminderit, zoti kryetar, si edhe anëtarë të këtij komisioni! Ky është një moment eksepsional për ne, sepse jemi në Parlament përballë komisionit për të paraqitur… 
Jemin Gjana: Zoti Kaya, nëse doni të flisni anglisht, mund të flisni edhe pastaj bëjmë përkthimin. 
(Zoti Zeki Kaya ka folur anglisht dhe është përkthyer nga konsulenti i kompanisë, Alban Bala.)
Zeki Kaya: Aktualisht kompania “Kurum” është në fazën përmbyllëse të një investimi të cilësisë botërore për prodhimin e çelikut me veti të shtuara të rezistencës sizmike, një teknologji e dy-tri vjetve të fundit që u shpik praktikisht në kërkim ndaj sfidave që u hasën prej lëkundjeve të rënda të tërmetit. Kompania “Kurum” nuk është më një kompani lokale, por globale, duke qenë se përmbyll nevojat e 40 për qind të tregut rajonal. Ndërkohë që Serbia prej katër vjetësh, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, në mënyrë tradicionale, dhe Greqia dhe Italia, së fundmi, janë blerës të produktit, kompania po konsideron seriozisht vendet mesdhetare me synim kryesor Spanjën. Po flasim për një nga investimet më moderne në pikëpamjen e petëzimit. Bëhet fjalë për një uzinë të re petëzimi me vlerë 16 milionë euro të investuara tashmë dhe brenda muajit shtator pritet realizimi dhe inaugurimi i punimeve për prodhim. Në pikëpamjen mjedisore kompania po riadreson në tërësi impaktin e saj, duke kaluar nga përdorimi i solarit drejt përdorimit të gazit, gjë që do të revolucionarizojë ndjeshëm çdo impakt të prodhuar. Po flasim për një politikë investimesh në periudhën e zezë të krizës, për ç’arsye? Kompania kërkon ndihmën e këtij komisioni, siç kërkon ndihmën e çdo niveli të vendimmarrjes në Shqipëri, për të mbështetur produktet made in Albania që të zgjerojnë praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare. Në qoftë se më lejoni dua të shtoj dy elemente informative në lidhje me arsyet që e çuan kompaninë “Kurum” në këtë investim, të cilat besoj se janë shumë të rëndësishme për t’u konsideruar nga komisioni. Vetëm në prill të vitit 2010 “Neë York Times” dhe “La Republika” botuan bashkë me shtypin shqiptar, një artikull për një një studim të bërë nga Universiteti i Kalifornisë drejtuar nga Profesor Belham, ku praktikisht Tirana renditet, kur them Tirana bëhet fjalë për Shqipërinë, sepse praktikisht në nivel global është një rajon i ngushtë, një prej 9 qendrave më të kërcënuara nga tërmetet. Në katër dekadat e ardhshme, duke filluar nga tërmeti i fundit i rëndë, tërmetet e rënda konsiderohen 7 shkallë Richter e lart, parashikohet të ndodhë një tërmet tjetër i të njëjtës amplitudë. Siç thotë Luigi Bignani, shkaku kryesor i këtyre fatkeqësive masive natyrore është cilësia e ulët e ndërtimit në qytete të mbipopulluara, ku praktikisht nuk është lënë më asnjë rrugë shpëtimi. Bëhet fjalë për një kurth vdekjeprurës që e kemi ndërtuar vetë. Dihet që Shqipëria ka një veprimtari të konsiderueshme sizmike në Ballkan. Për dijeninë e komisionit vlen të kujtoj se Instituti i Gjeoshkencës sot nuk ka përfaqësues në asnjë nivel KRRT-je.
(Ndërhyrje nga salla.)
Kjo ka lidhje me zgjedhjen për investim të një çeliku të qëndrueshëm ndaj efekteve sizmike. Unë thjesht dua të nënvizoj faktin që kemi 200 mijë ndërtime të reja prej vitit 1990, ku 30 për qind e tyre janë të nivelit 7 deri në 9 kate, dhe më pak se 10 ose 15 për qind e tyre kanë prezantuar një studim sizmik të realizuar në terren. Grupi i njerëzve që kërcënohet nga një goditje tërmeti serioze është sot 1,2 deri në 1,5 milionë banorë, kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Për këto arsye, duke qenë se ende ndërtojmë mbi një manual ndërtimi të vitit 1989, duke qenë se praktikisht viti 2010 tregoi një intensifikim të veprimtarisë sizmike, vendimi i kompanisë, në analizë të përgjithshme për të investuar në këtë drejtim u mbështet mbi një studim tregu të riskut mbi baza reale. Dua ta mbyll këtu duke ju falënderuar shumë për vëmendjen!
Jemin Gjana: Fjalën e ka zoti Tushe.
Fatos Tushe: Falemnderit, zoti kryetar!
Kam dy pyetje për drejtuesit e firmës “Kurum”. Teknologjia që ju përdorni, sa e ka ulur apo rritur shkallën e ndotjes në drejtim të komunitetit? Edhe pse në parim e dëgjova, dua ta di konkretisht me shifra. Së dyti, cilat janë masat që janë shtuar në lidhje me sigurimin teknik për garantimin e jetës së punonjësve? 
Faleminderit! (Ndërhyrje nga salla)
Jemin Gjana: Mbarojmë një herë me pyetjet. 
Fjalën e ka zoti Ardian Turku. 
Ardian Turku: Meqenëse u paraqit nga ana e presidentit të kompanisë fakti që tashmë kompania me produktet e saj është hapur në tregun rajonal dhe synon edhe më gjerë, dua të pyes për cilësinë e produkteve që ata nxjerrin, sa këto produkte janë të certifikuara në tregun ndërkombëtar nga institucionet përkatëse? Së dyti, për produktin që ka të bëjë me përmirësimin e hekurit për ndërtime apo të çelikut me parametra antisizmikë, dua të pyes: a është një teknologji e re që po investohet, apo po me teknologjinë ekzistuese nxirret një zë plus? Lidhur me investimet që janë bërë, që kapnin vlerën disa milionë euro, dua që kompania të ndajë faktin sesa nga këto para të investuara, që quhen investime, kanë shkuar në blerjen e territoreve, në zgjerimin e territorit të kompanisë në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit dhe sa kanë shkuar për përmirësimin e teknologjisë për këto produkte të reja, por edhe për përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja dhe cili është efektiviteti i këtyre masave të marra? 
Jemin Gjana: Fjalën e ka zoti Klosi.
Blendi Klosi: Nga kompania u fol shumë për një produkt të ri antisizmik dhe gjithashtu u dhanë edhe të dhëna mbi rrezikun shumë të madh që ka Shqipëria nga tërmetet në të ardhmen. Gjithashtu, nga kompania u tha që ju përfaqësoni 45 për qind të tregut vendas. 
Alban Bala: Të tregut rajonal.
Blendi Klosi: Më keq akoma, të tregut rajonal.
Atëherë i bie që 45 përqindshi i deritanishëm ka probleme sizmike. Pra, qytetarët duhet të kenë frikë nga produktet e deritanishme, meqenëse nuk ka dalë ende në treg produkti antisizmik?
Jemin Gjana: A ka pyetje të tjera? 
Nuk ka. 
Fillojmë me përgjigjet?
(Përkthyesi Alban Bala, flet pa mikrofon)
Së pari, duhet të kemi mirëkuptimin se hekuri i përdorur në ndërtim është njëri prej elementeve, i cili nuk është i vetmi që na shpëton dhe që na çon në katastrofë. Çështjet lidhen me vendin ku ndërtojmë, me projektin dhe me konstruksionin. Njëri prej elementeve që besoj se ka ndikim në përballimin e flukseve sizmike është edhe çështja e hekurit që përdoret, se mund të përdorim hekur të mirë, por përdorim çimento të keqe ose mund të ndërtojmë në vende, që nga pikëpamja gjeologjike janë vende ku nuk duhet të ndërtohet etj.
(Ndërhyrje nga salla.)
Pra as nuk na gropos, por as nuk na shpëton, por është një faktor. 
Zoti Bala, në mënyrë të përmbledhur, a mund t’u jepni përgjigje pyetjeve? 
Flet përkthyesi zyrtar i kompanisë “Kurum”
Alban Bala: Atëherë, në mënyrë të përmbledhur, përgjigjet e zotit Kaya përfshijnë faktin që investimi i ri do të garantojë maksimumin e masave për mbrojtjen e mjedisit me ato teknologji të vlefshme që janë sot në botë, si në Japoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo tjetër, do të përdoret edhe në Elbasan. Diferenca midis teknologjive të aplikuara atje dhe në Elbasan, është se këtu nuk ka gaz natyror të lëngshëm. Për këtë arsye kompania do të përdorë LBG-në që gjithsesi mbetet një prej formave më mbrojtëse ndaj mjedisit. Për sa i takon pritshmërisë publike, synimi ynë ka qenë që t’i adresojmë ata në mënyrë pro aktive. Prioritetet tona duhet t’u përgjigjen atyre të publikut. Ne do të shtojmë vendet e punës duke garantuar që ato të jenë të sigurta, si dhe do të zhvendosim prodhimin drejt platformave të reja inovative. Elbasani ka qenë kuzhina e metalurgjisë. Infrastruktura është përdorur dhe duhet të përdoret për produkte novatore. Vështirësia më e madhe është tek transformimi i infrastrukturës së vjetër, nga modeli populist në modelin e ekonomisë kompetitive. Investimet fillestare në Elbasan janë të paktën 40% më të shtrenjta se në çdo vend tjetër të rajonit, gjithashtu dhe rinovimi teknologjik ka një kosto të paktën 2 milion euro për çdo segment të tij. Kompanitë në këtë drejtim presojnë fort, që kur t’i japin këto lloj platformash, t’i shohin të zbatuara, sepse ka të bëjë edhe me sekretin industrial. Gjithsesi, sot çdo gjë është e kompjuterizuar dhe është një investim, i cili do të jetë i shtrenjtë, por i qëndrueshëm për 20 vjetët e ardhshme. Në lidhje me pyetjen e zotit Turku, ne nuk e kemi blerë tokën, por në fabrikën ekzistuese kemi futur teknologjinë, nuk jemi zgjeruar në këtë drejtim. Zgjerimi ynë në këtë pikëpamje ka qenë krijimi i një qendre të re të përpunimit të skrapit. Është duke ardhur nga Gjermania një makineri për ndarjen automatike të skrapit në pjesën metalike, e cila do të digjet në furrnaltë, dhe në pjesën tjetër që do të thërrmohet në nënprodukte të riciklueshme. Kjo, gjithsesi, drejtpërdrejt, do të ketë 40 për qind ndikim në ndotje. Zoti Kaya ka kënaqësinë t’ju ftoj në ceremoninë e inaugurimit. Për sa i takon teknologjisë së re, zoti Kaya, tha se si prodhues ne jemi të monitoruar nga sistemi gjerman TYF, kemi ISO 9001 prej shumë vitesh, dhe po aplikojmë standardin DIN, që do të thotë se në pikëpamjen e çertifikimit teknologjik, kompania ka maksimumin e standardizimit të mundshëm, pra janë teknologji që janë pranuar dhe kanë gjetur terren në Japoni, Kinë, Turqi, përgjithësisht në vendet ku ka pasur fatkeqësi. Italia, gjithashtu pas asaj që ndodhi në Aquila, ka sot një prodhues me këtë teknologji. Gjithashtu zoti Kaya tha se s’kemi pse të vonohemi më tej, ndërkohë që praktikisht prania e këtyre teknologjive po zgjerohet në mënyrë globale, dhe ne jemi në një rajon që është i ndjeshëm në rrafshin sizmik. Fjala është për krijimin e një platforme të diskutimit paraprak për parandalimin sizmik dhe ne duam të investojmë pas një imazhi të inovacionit dhe të sigurisë. 
(vijon nesër) 
Sigal