Skandali/ 1140 automjete, nga të cilat zjarrfikëse, ambulanca, makina policie, bashkie, ushtrie, SHISH dhe shërbimit qeveritar,

504
Sigal

Vetëm 16 deputetë, 2 ministra, 3 prefektë dhe 4 drejtorë policie i kanë të siguruara e të kolauduara automjetet, ndërsa të “Parkut të delegacioneve” nuk sigurohen e nuk kolaudohen prej 20 vitesh

Nëse qeveria synon të vazhdojë “aksionin me goditje të përqendruar” për zbatimin e ligjit, ky aksion duhet të nisë së pari brenda institucioneve të shtetit. Siç dihet, qeveria nisi dhe po vazhdon goditjen ligjore ndaj hajdutëve dhe debitorëve (popull) të energjisë elektrike duke i prangosur, gjobitur e duke i lënë pa energji deri sa ata të shlyejnë detyrimet. Por nuk po vepron me të njëjtin “kamxhik” edhe ndaj institucioneve e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët janë debitorë të energjisë. Qeveria nisi dhe po zbaton aksionin e shkatërrimeve të ndërtimeve pa leje, por nuk po zbaton ligjin për shtetarët që kanë ndërtuar dhe për ata që i kanë lejuar këto ndërtime me letra anti-ligjore. Qeveria ka menduar të nisë aksionin kundër atyre që nuk kanë shlyer sigurimet shoqërore, por nuk po vepron ndaj atyre drejtuesve që nuk i kanë paguar e madje që i kanë zhdukur fondet e sigurimeve. Qeveria ka menduar të nisë aksionin për punësimin “në të zezë” për sigurinë ushqimore, për vjedhjen e ujit, për shërbimin shëndetësor ilegal, për informalitetin në tregje, çmime, dogana, tatime, patenta, leje qarkullimi, vjedhje makinash, siguracione e kolaudime makinash… Këto janë ndërhyrje që duhen bërë sepse janë detyrime ligjore për zbatim. Por ka fakte e skandale, që tregojnë se është vetë shteti i pari, që “punon” në informalitet, që nuk zbaton detyrimet që rrjedhin prej ligjeve që kërkon të zbatojë populli. Dje, erdhi në gazetën “Telegraf” një informacion i cili denoncon një skandal ligjor, teknik e financiar që ka për autor institucionet dhe krerët e shtetit, lidhur me kolaudimin dhe siguracionin e makinave të shërbimit publik ndaj komunitetit, ndaj institucioneve dhe vetë krerëve të lartë të institucioneve shtetërore. Sipas informacionit, shumica e automjeteve me “status” pronë shtetërore, nuk janë as të kolauduara, as të siguruara! Shteti p.sh, të del në rrugë e të kërkon letrat e siguracionit e të kolaudimit, duke të “zënë rrugën” për kontroll, por del me makina shteti që nuk i ka të kolauduara e të siguruara. Sipas informacionit të ardhur nga burime brenda shërbimit të kolaudimit, automjetet e shërbimit publik pronë shtetërore nuk shkojnë për kolaudim, as për të bërë formalisht pagesën vjetore sipas detyrimit ligjor. Po kështu, këto automjete rezultojnë të jenë edhe të pa siguruara. Pas investigimit që bëri gazeta “Telegraf” pranë disa institucioneve e shërbimeve shtetërore, pranë disa agjencive të sigurimeve dhe pranë të vetmit shërbim të kolaudimit të automjeteve (monopol), rezulton se automjetet shtetërore e ato të shërbimit publik pronë shtetërore, rezultojnë pa siguracion dhe pa kolaudim teknik. Sipas të dhënave, janë 1140 makina nga të cilat, zjarrfikëse, ambulanca, makina policie, automjete shërbimi ministrie, makina ministrash, deputetësh, shefash policie, prefektësh, gjeneralësh, makina shërbimi bashkie, ushtrie dhe të shërbimit qeveritar për trupin diplomatik, të cilat kanë mbi 15 vjet që rezultojnë të kenë bërë kolaudim teknik dhe siguracion. P.sh, në Tiranë dhe në rrethe janë pa kolaudim dhe pa siguracion të gjithë automjetet e shërbimit “zjarrfikës”. Janë pa kolaudim teknik dhe pa siguracion të gjithë automjetet e shërbimit “auto-ambulancë”, që shërbejnë në spitale e urgjenca. Janë pa kolaudim teknik dhe pa siguracion të gjithë automjetet e shërbimit policor e madje dhe ato të shërbimit të qarkullimit rrugor. Janë pa kolaudim teknik e pa siguracion, gjithë makinat e shërbimeve publike të bashkive e komunave, që nga policitë bashkiake, makinat e pastrimit të plehrave e deri të shërbimeve funerale të bashkisë. Janë pa kolaudim teknik dhe pa siguracion gjithë automjetet e shërbimit pyjor, mjedisor, bankar e deri tek automjetet me sigla shërbimesh institucionesh shtetërore, madje edhe autobusë e minibusë të ekipeve të ndryshme sportive. Janë ka kolaudim teknik e pa siguracion edhe mjetet zyrtare e të rënda që shërbejnë pranë INUK. Janë pa siguracion e pa kolaudim gjithë mjetet e shërbimit të SHISH, OSHEE e KESH, deri tek makinat e shefave. Sipas informacionit që disponon gazeta “Telegraf”, rezulton se automjetet zyrtare i kanë të siguruara e të kolauduara vetëm 16 deputetë, 2 ministra, 3 prefektë dhe 4 drejtorë policie. Shtetarët e tjerë, madje deri në nivele drejtorë qarqesh, nëpunës “dere” kryeministrie, parlamenti, ministrie, prefekturash e qarqesh qarkullojnë me automjete pronë shtetërore, të pasiguruara e të pa kolauduara. “Epidemia” e automjeteve shtetërore, që në Shqipëri qarkullojnë pa kolaudim teknik e pa siguracion, ka përfshirë edhe automjetet e “Parkut të delegacioneve” (siç i thonë), që u shërbejnë diplomatëve të huaj gjatë vizitave dhe qëndrimit në Shqipëri, automjete këto, që sipas informacionit tonë nuk sigurohen e nuk kolaudohen prej afro 20 vitesh.

Përparim HALILI