Skandalet e “Kurum”, janë më të helmatisura se 230 mijë m3 tym e 60 mijë ton skorje “vrasëse”

803
Pas shumë ditë heshtjeje përballë skandaleve të investiguara e të publikuara me shkresa zyrtare në Gazetën “Telegraf”, dje kompania “Kurum” ka dërguar në gazetë një reagim (esse edhe kërcënuese për gjyqe), lidhur me një cikël shkrimesh të botuara në gazetën tonë. Gazeta “Telegraf”, ka bërë denoncime publike lidhur me aktivitetin e “Kurum”, jo me fjalë por me fakte shkresore, ligjore, fotografike e zyrtare për abuzime, skandale ekonomike-financiare, mjedisore, për shpërfillje të ligjeve të shtetit, për përfitime e afera me firmë e vulë të bosëve të shtetit shqiptar, për koncesione e privatizime mafioze sa “për 1 copë bukë” e madje edhe falas, për shkatërrim të investimeve strategjike, për abuzime pronësore me qytetarë, pronarë, institucione e kontraktues shqiptarë, për blerje e rimbursim skrapi me letra fiktive, për kontrabandë skrapi me letra false deri në Kosovë, për paga punonjësish me 2-3 borde, për mos shlyerje sigurimesh shoqërore për 40% të punonjësve ilegalë që përdor, për vrasje punëtorësh në furra për shkak të mungesës së sigurisë dhe kushteve teknike të punës, për aktivitet helme kancerogjene për punonjësit, për fikje filtrash gjatë punës (sepse harxhojnë shumë energji), për 571 milionë lekë borxhe energji të pa paguar, për sigurime shoqërore me pagë minimale, kur punëtorët paguhen deri në 3-4 herë më tepër, për import skrapi me radioaktivet 56 herë më të lartë se norma e lejuar që sillen nga Serbia, Bullgaria, Maqedonia e Rusia, për blerje anijesh në gjendje skrapi nga Mali i Zi me letra false të futura në Portin e Durrësit e të kapura nga policia e shtetit, për fitim tenderësh skrapi korruptiv si monopol skrapi në Shqipëri, për prodhim të pa deklaruar hekuri, të gjetur në magazina nga tatimet me gjoba 2.3 milionë dollarë, për vazhdim aktiviteti antiligjor edhe pse është bllokuar nga shteti për ndotje ekstreme mjedisi me pasojë helmimin e jetës së 3278 km2 mjedis dhe 434 mijë banorëve të Qarkut Elbasan, për “vrasje” të florës, faunës, bujqësisë, blegtorisë, tregut ushqimor, mjediseve të shkollave, çerdheve e kopshteve të fëmijëve, “karbonizim” të parqeve dhe gjithë mjedisit, madje edhe për deformim e “vrasje” të jetës qysh në barkun e nënave… me “helmin katran të zi” që aktiviteti i “Kurum” nxjerr prej 23 vitesh nga oxhaqet ku shkrin aferat me emrin skrap dhe prodhon krimin financiar me emrin hekur e çeliqe, pa përmendur aktivitete të tjera, që “Kurum” i bën me “letra bixhozi” si poker, në pazar të pisët me bosët e shtetit shqiptar, të cilët i ka futur dhe prej 23 vitesh po “i ngroh me bakshishe” në furrat e korrupsionit që zhvillon. Gazeta “Telegraf” ka investiguar dhe disponon 126 dosje skandalesh me bazë krimin ekonomik, financiar, ligjor, shtetëror e ndërshtetëror në lidhje me skrapin dhe tregun e hekurit, që kanë si objekt privilegjet shtetërore ndaj kompanisë “Kurum” dhe krimet që ka bërë e vazhdon të bëjë “Kurum”, që prej ditës së parë kur ka rindezur furrat e ish-Metalurgjikut, brenda të cilit është futur me aferë shtetërore korruptive (sipas letrave zyrtare). Sot, po publikojmë të plotë reagim-kërcënimin e kompanisë “Kurum” ndaj gazetës “Telegraf”, firmosur nga përfaqësuesi i saj ligjor, zoti Yusuf Sezai Kurum. Kujtojmë, se vetëm pak ditë më parë, pas nisjes së publikimit të “dosjeve të zeza” kompanisë “Kurum”, prej kësaj kompanie ka dhënë dorëheqje administratori i saj, që bënte “letrat” e skrapit e të prodhimit, madje edhe të prodhimit të gëlqeres, të rafinerisë së Cërrikut, të uzinës së Oksigjenit, të bazës së skrapit në Durrës edhe të 4 HEC-ve, por edhe… të shumë transaksioneve e aferave të tjera të pista, që besojmë se përfaqësuesi ligjor i “Kurum”, zoti Yusuf Sezai Kurum i ka në dosjet e tij, si përfaqësues ligjor. Në vijim, gazeta Telegraf, do të publikoj me dokumente zyrtare, të gjithë dosjet e “Kurum”, pa u tërhequr nga kërcënimet e bëra, mbasi duke depozituar në prokurori gjithë dosjet dhe duke i provuar opinionit, faktin që aktiviteti i 23 vjeçar i kompanisë “Kurum” në Shqipëri është më i helmatisur se 130 mijë m3 tym “vrasës” që kjo kompani hedh çdo vit mbi Elbasan dhe më kancerogjene se 60 mijë ton skorjet e skrapit që hidh çdo vit në lumin Shkumbin, rrjedha e të cilit i shpërndan deri në bregdet… Sa për kujtesë, Gazeta “Telegraf” nuk tërhiqet përballë një “Sulltani” me emrin “Kurum”, që ka bërë “pashallëk” pasuritë kombëtare shqiptare dhe që po helmon 3278 km2 mjedis dhe 434 mijë banorë të qarkut Elbasan.
Ja reagimi i Kompanisë “Kurum”: Me skrapin dhe me aktivitetin tonë, jemi të pastër…”
Në gazetën Tuaj “Telegraf”, për ditë me radhë dhe së fundmi në datën 10.07.2015 janë publikuar artikuj të ndryshëm dhe larg realitetit për kompaninë “Kurum International” SHA. Për të informuar publikun në mënyrë të drejtë, e gjejmë të arsyeshme të bëjmë shpjegimin sa më poshtë:
“Kurum International” SHA është një shoqëri tregtare dhe realizon aktivitetin e saj në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Për aktivitetin e tij “Kurum International” SHA është pajisur nga shteti shqiptar me të gjitha lejet dhe licencat.
Tregtimi dhe blerja e skrapit është një ndër veprimtaritë e “Kurum International” SHA. Firma jonë nuk ka asnjë gjobë të papaguar ndaj institucioneve shtetërore. Nëse ka patur, nga ana jonë është ndjekur rruga administrative dhe gjyqësore e ankimit të tyre.
Firma jonë nuk detyron askënd t’i shesë skrap asaj. Të gjithë subjektet që paraqiten pranë Kurum International” SHA për shitje të materialeve skrap janë të licencuara nga ana e shtetit shqiptar dhe vetë “Kurum International” SHA asnjëherë nuk ka pranuar të marrë skrap jashtë kuadrit ligjor.
Për këtë arsye, thëniet Tuaja në artikullin e datës 10.07.2015 dhe ato të mëparshme janë të pavërteta dhe nuk mund të qëndrojnë. I konsiderojmë shpifëse dhe fyese për të prishur imazhin e “Kurum International” SHA. 
Pra, nuk është e arsyeshme që Ju pa bërë kërkime të arrini në konkluzione të paqena. Do të kërkonim nga ana Juaj ndalimin e lajmeve fyese dhe denigurese ndaj “Kurum International” SHA, pasi në të kundërt do të na detyroni të ndërmarrim dhe ne hapat tona ligjore. Në bazë të nenit 10 të Ligjit Nr. 7756 datë 11.10.1993 (i ndryshuar), kërkojmë nga ana Juaj ta publikoni në gazetën Tuaj këtë përgënjeshtrim, konkretisht në faqe të parë siç keni vepruar deri me tani me lajmet e rreme.
Sigal