Skandal shtetëror me makinat rrangallë

700
Çudirat që shoqërojnë veprimtarinë shtetërore shqiptare, janë natyrë e dështimit, fiktivitetit, interesave, por edhe demagogjisë. Një nga rastet tipike të ditëve të fundit është mos zbatimi i një udhëzimi që zyrtarisht kishte fuqi ligjore, ekzekutive. Personazhi që përfaqëson këtë abuzim dhe çudi shtetërore, deri në skandal e turp për shtetin është Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili është vënë nën presionin e shtetit, për të bllokuar e mos zbatuar urdhrin e shtetit.
Skandali/ 1576 makina rrangallë të shtetit, bllokojnë urdhrin për gazrat
Konkretisht, skandali ka lidhje me Udhëzimin për bllokimin e “automjeteve që helmojnë mjedisin, udhëzim të cilin e ka lëshuar ministri Haxhinasto, dhe e ka bllokuar me një “porosi telefonike”… vetë… ministri Haxhinasto! Është fjala për bllokimin pa afat të udhëzimit për nxjerrjen jashtë qarkullimi të makinave ndotëse, të cilat tejkalojnë normat e lejuara të nivelit të gazrave, nivel që përcaktohet me testin e gazrave në kontrollin teknik të detyrueshëm të automjeteve. Pra, në 1 korrik 2015 nuk ka nisur testi i makinave sipas udhëzimit për nivelin e gazrave. Nuk dihet, se kur do të nis ky proces pastrimi “mbeturinash me rrota e motor” që ecin rrugëve e qendrave të banuara dhe helmojnë mjedisin shqiptar, por dihet fakti që ato janë në qarkullim edhe mes të Tiranës e këto ditë edhe në mes të plazheve dhe në oborret e spitaleve! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, këtë urdhër ministri Haxhinasto e ka transmetuar konfidencialisht e privatisht për bosët e firmës monopoliste të kontrollit teknik të automjeteve “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Shkak që është shtyrë zbatimi i këtij vendimi për eleminimin e automjeteve që nxjerrin gazra si oxhakët e “Kurum”, janë 1567 automjetet në gjendje rrangallë të administratës shtetërore të çdo niveli. Këto mjete, 40% e të cilave në inventar edhe prej shërbimeve të rëndësishme publike si policia, ushtria, institucionet etj, janë identifikuar si “viktima” të udhëzimit dhe rezultojnë si “mbetje” që duhen nxjerr nga qarkullimi. Kur kanë hartuar dhe kanë miratuar udhëzimin “Haxhinasto”, është ecur me mendimin që ky urdhër do të zbatohej vetëm për “makinat e popullit” e jo për makinat shtetërore, të cilat prej 20 vitesh nuk i nënshtrohen kontrollit teknik, ose bëjnë letra fiktive me urdhër të “shefave” të zyrave të shtetit. Por BE, mbështetur në faktin që 70% e automjeteve të administratës dhe institucioneve e ndërmarrjeve shtetërore (përveç makinave të zyrtarëve të lartë ët shtetit), janë prodhim deri i 15-20 viteve më parë, twrwsisht në gjendje “skrapi me rrota e motor” që prodhojnë ndotje gazrash e akustike, kërkoi nga shteti shqiptar, që zbatimi i urdhrit të bëhet pa asnjë dallim të automjeteve. Bllokimi u bë, mbasi shteti shqiptar nuk ka asnjë mundësi financiare për ta zbatuar udhëzimin, për shkak se nuk ka fuqi të ushqejë dot as jetimët e jo më të blejë mijëra automjete të reja për administratën shtetërore e shërbimet publike, me gjendje fizike e standarde ndotjeje sipas Direktivës Mjedisore Evropiane në Transportin Publik “2009/40/BE”. Ndaj dhe në heshtje, sikur “harroi”, bëri bllokimin e zbatimit të udhëzimit për nxjerrjen e automjeteve ndotëse nga qarkullimi. Çfarë ka ndodhur? Qysh prej datës 1 korrik 2015, duhej të ishte futur në zbatim Udhëzimi Nr. 1, datë 04. 03. 2015 i Ministrit të Transportit Edmond Haxhinasto, me objekt “Mbi disa ndryshime në Manualin mbi kontrollin teknik të mjeteve”, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 37, më datë 16 Mars 2015. Ky udhëzim u prezantua bujshëm, shoqëruar edhe me ultimatumin e Zv/kryeministrit Niko Peleshi, se në datën 1 korrik 2015, gjithë automjetet në Shqipëri do të kalonin në “filtrin” e seleksionimit dhe nxjerrjes jashtë qarkullimi, nëse nuk plotësonin normat e BE për nivelin e gazrave! Por, Udhëzim me Nr. 1, që duhej të niste zbatimin në datën 1 Korrik, nuk është zbatuar as 1… ditë! E bllokuan 1576 automjetet e administratës shtetërore. Bllokimi ka një pasojë të rëndë e cila vazhdon: 45% e ndotjes në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Shkodër shkaktohet nga pluhurat dhe helmet e shkaktuara prej automjeteve në gjendje “skrap”!
Fakti/ 20 vjet kolaudime fiktive, makinat “skrap” shkak i 55% të aksidenteve
Sipas raportit të ekspertëve teknikë të policisë së qarkullimit rrugorë dhe të ekspertëve privatë të shoqatave të qarkullimit rrugorë e të agjencive të sigurimit teknik të automjeteve, rezulton se në 10 vitet e fundit, një nga shkaqet kryesore të aksidenteve që ndodhin në rrugë është falsiteti në kolaudimin dhe kontrollin teknik. Fakti që kolaudimi i mjeteve ka qenë dhe vazhdon të jetë prej 25 vitesh monopol i vetëm, që 7 vite më parë ka kaluar nga dora e shtetit shqiptar në dorën e firmës monopol “Societe Generale de Surveillance” (SGS), ka krijuar dhe vazhdon të jetë burim fiktiviteti, përballë presionit shtetëror e të një kategorie përdoruesish mjetesh të “fortë”. Ky abuzim është real, konkret i konstatueshëm prej organeve të shfrytëzimit të mjeteve. Në të 14 qendrat monopol që funksionojnë në 12 qarqet e vendit, shërbimi kolaudimit të mjeteve, rezulton me probleme serioze. Edhe pse kohët e fundit, imazhi i kolaudimit po duket sikur ka ndryshuar me “mos lëshime në kontrollin e mjeteve”, avazi vazhdon. Nga investigimet që ka bërë gazeta “Telegraf”, rezulton se qindra makina në ditë, kalojnë në pikat e kontrollit teknik të automjeteve, pa u kontrolluar, duke marrë letra e firma formale, kundrejt pagesave plus nën dorë, ose me urdhra e shoqëri personale. Kjo situatë konstatohet në berat, Gjirokastër, Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Dibër e Kukës, ku kontrollet bëhen edhe në kafene, edhe me letra të dërguara me zarfa. Sipas raportit të policisë së shtetit dhe agjencive të sigurimeve, afro 55% e aksidenteve rrugore, kanë ndodhur për shkak të automjeteve në gjendje teknike “skrapi”, por që në letra kanë vulat dhe firmat e kolaudimit. Këtë raport skandaloz, policia e shtetit ia ka deklaruar në një takim edhe zotit Alex Michael, drejtor i kompanisë koncesionare zvicerane monopol të kolaudimit “Societe Generale de Surveillance” (SGS), që realizon kontrollin e automjeteve në Shqipëri. Por kjo histori vazhdon ende. Por historia e automjeteve “skrap” që qarkullojnë në rrugë e mjedise publike me burim aksidentesh e helmesh prej gazrave që prodhojnë, vazhdon edhe pas 1 korrikut 2015, për shkak të mos zbatimit të udhëzimit, që nxirrte nga qarkullimi edhe mijëra mjete të administratës shtetërore.
——————————————————————-
Ja 3 fazat e Udhëzimit Nr. 1, datë 04. 03. 2015, që është bllokuar
FAZA E PARË: data 1 Korrik-31 Dhjetor 2015
Do të fillojë (duhej të fillonte), zbatimi i normave të lejuara plus shtesat respektive, të përcaktuara në udhëzim, të nivelit të gazrave në testin e gazrave në kontrollin teknik të detyrueshëm. Automjetet që tejkalojnë këto nivele të elementëve ndotës nga gazrat, do të marrin rezultat negativ të kontrollit teknik të detyrueshëm.
FAZA E DYTË: Data 1 Janar 2016-31 Qershor 2016
Do të bëhet aplikimi i normave të lejuara plus gjysmën e shtesave respektive, të përcaktuara në udhëzim, të nivelit të gazrave në testin e gazrave në kontrollin teknik të detyrueshëm dhe automjetet, që nuk plotësojnë këto nivele të elementëve ndotës nga gazrat, do të marrin rezultat negativ të kontrollit teknik të detyrueshëm.
FAZA E TRETË: Data 1 Korrik 2016 e në vazhdim
Do të aplikohet zbatimi rigoroz i normave të lejuara të elementeve ndotës nga gazrat e automjeteve në përputhje të plotë me direktivën evropiane 2009/40/BE. Pas kësaj date, asnjë automjet nuk do të mundet të kalojë me rezultat pozitiv kontrollin teknik të detyrueshëm, nëse ka nivelin e elementëve ndotës, mbi vlerat limit të lejuara dhe të përcaktuara në direktivat e BE.
———————————————————————————
Ja disa nga kriteret e seleksionimit të automjeteve, sipas standardeve të BE”
Sipas Udhëzimit Nr. 1, datë 04. 03. 2015, në Manualin “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore”, ndryshon norma sasiore që përcakton arsyen për dështim, në kontrollin e sistemit të shkarkimit të gazrave të makinave. Kështu, për mjetet rrugore të regjistruara nga 1 janar 1980 deri më 1 korrik 2008, deri tani nuk e kalon testin kur treguesit mesatarë të matjeve të gazrave të shkarkimit të motorit janë më të larta se 2.5 m-1 në rastet e motorëve diezel me aspirim normal dhe 3.0 m-1 në rastet e motorëve “Diezel turbo” (të mbi-ushqyer). Nga data 1 korrik 2015 deri më 31 dhjetor 2015, kjo normë ngrihet me 40%. Ndërsa për mjetet e regjistruara pas 1 korrik 2008, aktualisht nuk kalohet testi kur treguesit mesatarë të matjeve të gazrave të shkarkimit të motorit janë më të larta se 1.5 m-1, por me udhëzimin që hyn në fuqi më 1 korrik 2015, norma e lejuar shtohet me 60%. Normat e lejuara të shkarkimit të gazrave plus shtesën janë të vlefshme për periudhën 1 korrik deri 31 dhjetor 2015. Nga 1 janari deri 30 qershor 2016, normës së BE-së i shtohet vetëm 1/2 përqindjes së aplikuar gjatë gjashtëmujorit paraardhës. Kurse, normat e lejuara të shkarkimit të gazrave sipas Direktivës së BE-së të 2009-s (pa shtesa), janë të vlefshme për periudhën pas 1 korrik 2016. Me pak fjalë, në fazën e parë, normat e BE-së aplikohen me tolerancë 10% deri në 60% më tepër, në fazën e dytë përgjysmohet kjo diferencë dhe në fazën e tretë, nuk ka më tolerancë për makinat që nuk kapin standardet e BE-së. Nëse do të zbatohet udhëzimi “Haxhinasto”, dalin nga qarkullimi 60% e automjeteve zjarrfikëse, gjysma e të cilave janë prodhim i vitit 1960, dalin nga qarkullimi 40% e makinave të policisë së shtetit, të shërbimit mjekësor, të KESH, të administratës publike etj., numër i të cilave siç e thamë arrin në 1576 makinat shtetërore rrangallë!
———————————————–
Vazhdon skandali i denoncuar më 25 janar 2015 nga “Telegraf”/ 1100 makina shtetërore, 15 vjet pa kolaudim e pa siguracion
Po vazhdon skandali i denoncuar prej gazetës “Telegraf” në shkrimin e datës 25 janar 2015 me titull: “1140 makina zjarrfikëse, auto-ambulanca, policie, bashkie, ushtrie e të shërbimit qeveritar, 15 vjet pa kolaudim dhe pa siguracion”. Dy ditë më parë, sipas burimeve të “Telegraf” në kompaninë e kontrollit të automjeteve “Societe Generale de Surveillance” (SGS), mësuam se mjetet e shëndetësisë, ushtrisë, policisë, pushtetit lokal, të shërbimit qeveritar, të SHISH e të ministrive, vazhdojnë të jenë pa siguracione, pa kolaudime. Sipas informacionit, shumica e automjeteve me “status” pronë shtetërore, nuk janë as të kolauduar, as të siguruar! Shteti del në rrugë dhe kërkon zbatimin e ligjit, kërkon “letrat” e siguracionit e të kolaudimit, por del me makina shtetërore që nuk i kanë të kolauduara e të siguruara. Sipas të dhënave, janë 1140 makina zjarrfikëse, ambulanca, policie, automjete shërbimi ministrie, ministrash, deputetësh, shefash policie, prefektësh, gjeneralësh, makina shërbimi bashkie, ushtrie dhe të shërbimit qeveritar për trupin diplomatik, të cilat kanë qysh përpara 10-15 vjetësh që kanë bërë kolaudim teknik dhe siguracion. Psh në Tiranë dhe në rrethe janë pa kolaudim dhe pa siguracion të gjithë automjetet e shërbimit “Zjarrfikës”, automjetet e shërbimit “Auto-ambulancë”, që shërbejnë në spitale e urgjenca. Janë pa kolaudim teknik e pa siguracion, gjithë automjetet e shërbimit policor e madje dhe ato të shërbimit të qarkullimit rrugor. Janë pa kolaudim teknik e pa siguracion, gjithë makinat e shërbimeve publike të bashkive e komunave, që nga policitë bashkiake, makinat e pastrimit të plehrave e deri të shërbimeve funerale të bashkisë, INUK, SHISH, OSHEE e KESH, etj.
————————————————————————
Statistikë alarmante, nga 540 mijë automjetet që qarkullojnë në Shqipëri
1.Në 100% të rrugëve nacionale në Shqipëri, vazhdojnë të lejohen të qarkullojnë 447 mijw mjete transporti shërbimesh rurale e vetiake jo motorike dhe mjete motorike mallrash e madje karroca me kuaj, që kanë standarde e “kod” qarkullimi vetëm lëvizje në rrugë jo nacionale, rurale, ose për anekse dytësore e tretësore brenda dhe midis qendrave të banuara, përgjatë autostradave e rrugëve nacionale.
2.Në Shqipëri, 80% e shoqërive të transportit të udhëtarëve me autobusë, furgonë taksi, nuk kanë as parqe shërbimi teknik dhe as sektor të drejtimit teknik të mjeteve.
3.Në rrugët e Shqipërisë afro 45% e mjeteve totale të transportit të njerëzve si autobuzë, minibusë, furgonë, vetura, taksi që qarkullojnë aktivisht, janë mjete vit prodhimi, që duhet të kishin dalë nga qarkullimi përpara 20 e 30 vitesh.
4.Aktualisht, në rrugët e Shqipërisë, 55% e mjeteve të transportit të mallrave që janë në qarkullim, janë si vit prodhimi dhe kohë përdorimi, që sipas kushtit teknik ligjor të prodhuesit dhe standardit ligjor teknik shqiptar, duhet të kishin dalë jashtë përdorimi që 15-20 vjet më parë.
5.Aktualisht, 35% e autobusëve urban e inter-urban të licencuar, që qarkullojnë përditë dhe shërbejnë me kohë të plotë në transportin e njerëzve brenda qarqeve e në të gjithë vendin, sipas kushtit teknik të prodhuesit dhe gjendjes faktike teknike, duhet të kishin dalë jashtë përdorimit që 20-25 vite më parë.
6.Aktualisht, 40% e furgonëve të licencuar si shërbim taksi nga pushteti vendor për transport udhëtarësh zonal ndërqytetës e rrjet kombëtar, rezultojnë të kenë kaluar me 15-20 vjet kohën e përdorimit për përdorim transporti udhëtarësh dhe 10-15 vjet kohën teknike për transport mallrash.
Sigal