Skandal nga “gjella e tepsisë vetëm”/Zgjedhjet në spitale, pranohen e favorizohen militantë dhe familjarë të shtetarëve

Katër vite më parë, ditën që qeveria “Rilindja-1” hyri në zyrat e qeverisë, kryeministri Rama deklaroi dhe garantoi shqiptarët, se asnjë familjar ministri, deputeti dhe zyrtari të lartë, nuk do të emërohej në poste drejtuese në administratën dhe shërbimet shtetërore! Realisht ndodhi e kundërta, mbasi postet drejtuese iu dhanë vetëm familjarëve të tyre! Kjo histori po vazhdon edhe me shtetarët e rinj të pushtetit “Rilindja-2”, të cilët janë vërsulur për të mbajtur dhe zaptuar poste drejtuese në shërbimet publike për familjarët e tyre, natyrisht atje ku “bëhen lekë”. Ky sulm për të mbajtur ose kapur postet drejtuese, po ndodh këto ditë me zgjedhjet për drejtuesit e spitaleve qendrore të Tiranës e qarqeve dhe pas tyre edhe të rretheve. Nëse shikon listën emërore të 75 personave që kanë hyrë në fazën e dytë të konkurrimit për drejtues spitalesh qendrore në Tiranë dhe të atyre që kanë kaluar në fazën përfundimtare, konstaton edhe “familjarë krevati”, të titullarëve të lartë të shëndetësisë në qendër dhe qarqe, shumica të emëruar së fundi në kabinetin qeveritar “Rilindja-2”! Dhe çudia qëndron në faktin, se komisioni qendror, që do të përcaktojë “drejtorët fitues” është me anëtarë dhe drejtues nga kupola e shëndetësisë! Nuk themi që familjarë ministrash, zv/ministrash, deputetësh, diplomatësh, prefektësh, sekretarësh e këshilltarësh kryeministror apo ministror, të mos futen në konkurset për drejtues shtetëror! Por, emërimi i familjarëve të shtetarëve, qoftë edhe me konkurse, sikur vjen “erë nepotizëm” dhe nepotizmi lëshon “erë korrupsion”, që nuk luftohet, por mbrohet, sidomos kur bashkëshortët dhe familjarët janë shefa, vartës, kontrollues dhe të kontrolluar të njëri-tjetrit, siç ka ndodhur dhe po ndodh në shumë raste! Megjithëse ka pasur shumë reagime, në dy fazat e para të konkursit, komisionet nuk i larguan, por i “certifikuan” për vazhdimin e garës familjarët e shtetarëve. Shenjat tregojnë, se ata do të shpallen “fitues me meritë” si drejtues të spitaleve ku garojnë! Reagimet për këtë garë pushtet nepotik brenda shëndetësisë, kanë shkuar deri tek kryeministri. Nëse këtë nuk e ndalojnë interesat familjare dhe shoqërore të shtetarëve të lartë, duhet ta ndaloj ligji “për konfliktin e interesave”, sipas të cilit, brenda një sektori, familjari i titullarit të sektorit deri në nivelin e tretë të administratës, nuk mund të pranohet as për aplikim administrative e as me konkurs, për më tepër kur pranimi ose emërimi, bëhet në raporte vartësie mes familjarëve që jetojnë “nën një tavan”! Ky ligj është në fuqi, madje ka edhe një “Kod Etik”, të miratuar nga Qeveria “Rama-1” 4 vite më parë e të përsëritur edhe 40 ditë më parë, i cili duhet zbatuar pa u bërë fakt për rrjet nepotizmi dhe familjariteti në postet drejtuese në sektorin e shëndetësisë!