Skandal në urgjencën e Sarandës, mjekët shikojnë teserat politike

706
Sigal

Doktoresha Venera Guri i trajton pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore me arrogancë dhe  mospërfillje

Nuk e imagjinoja që mjeku të katandisej një leckë për të fshirë dyshemetë politike të lerosura si mos më keq. Por ndodhin pa tregohen. Pata një rastin tim, ku për shkak të një reaksioni nga përdorimi i ilaçeve për hernie diskale, gruaja ime, pëson çrregullime në aparatin tretës sa gjendja e saj e rënduar na detyroi t’i drejtohemi urgjencës së spitalit civil të Sarandës. Mjeku i shërbimit, Rahim Proda, bëri çfarë kishte të mundur për uljen e efekteve të reaksionit, duke na dhënë edhe këshilla dhe kura përkatëse dhe për këtë i përcjellim falënderimet vet mjekut, drejtorisë së spitalit dhe vet mjekut dhe shefit Niko Kuri. Por e nesërmja, pra dita e djeshme (dita e hënë) pavarësisht kurës, solli përkeqësime tek pacienti në fjalë (gruaja ime), kryesisht me simptomat e dhimbjes së kokës deri në padurueshmëri. Gjendja shëndetësore e rënduar na detyroi të paraqitemi sërish në urgjencë, ku për fatin tim të keq i takoi shërbimi mjekes Venera Guri. Pse e them për fatin tim të keq? Për vet faktin se si gazetar tek gazeta “Telegraf” në numrin e ditës së hënë kam botuar shkrimin “Çfarë po ndodh me Këshillin Bashkiak të Sarandës”, lidhur kjo me mbledhjen e fundit të këtij këshilli, ku në shkrimin tim përmendej edhe mjeken në fjalë, si këshilltare, sepse e tillë është. Kështu prej saj, doktoreshës Venera Guri mora në këmbim një arrogancë dhe një mospërfillje në radhë të parë si qytetar që kisha shkuar për problemin shëndetësor, e jo më si gazetar. I habitur nga kjo sjellje mendova mjerë qytetarët e thjeshtë seç heqin nga këta mjekë dhe ky mendim më erdhi nga një sjellje tjetër arrogante, me asgjë të përbashkët me misionin human të mjekut, ku një pacient i pickuar nga gjarpri mbahej pa shërbimin dhe ndihmën mjekësore nga kokëfortësia e mjekes Venera dhe të afërmit kërkonin ndërhyrje mjekësore, ose transportin për në Tiranë. Një sjellje e pahijshme dhe vetëm protestat e familjarëve bënë të mundur transportin drejt Tiranës në orët e pasdites kur mjekja la shërbimin. Me fjalë nuk tregohet stresi dhe vështirësitë e hequra paraditen e së hënës në Urgjencën e Spitalit civil të Sarandës. Pse kjo sjellje e kësaj bluze të bardhë? Në një kohë që shkrimi im për Këshillin Bashkiak nuk inatosi as mjekun Rahim Proda-këshilltar, as shefin e spitalit Niko Kuri -këshilltar, as drejtorin e shërbimit spitalor-këshilltar Arben Vogli, por meritojnë respekt për trajtimin dhe përkujdesjen. Atëherë pse kjo këshilltare mjeke veproi kështu?! Sedra e saj dhe lënia e profesionit për të provuar notin në detin politik po e ashpërson rolin e saj edhe pse në këtë rol të dytë, sërish do të ketë të bëjë me qytetarë të “sëmurë” nga hallet sociale.  Po ata ku do ta ngrenë zërin vallë?!