Skandal në Librazhd, shkolla në rikonstruksion, mësimi caktohet në barakë

492
Sigal

Ja firma që po gllabëron lekët e shkollave. Prindërit braktisin procesin mësimor. Enigmë fati i 150 nxënësve

Prej tre ditësh nuk bëhet mësim në Gurshpatë të Librazhdit, Komuna Polis. Firma që kishte marrë për rikonstruksion shkollën nuk ka përfunduar punimet që duhet t’i përfundonte me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Rreth 150 nxënës janë pa mësim që prej tre ditësh. Prindërit kanë braktisur procesin mësimor nuk dërgojnë fëmijët në shkollë, sepse për kryerjen e mësimit janë gjetur dy barake jashtë standardit për tu zhvilluar mësimi.

Kontrata  

Rreth 150 fëmijë në arsimit 9-vjeçar në fshatin Gurshpatë të Komunës së Polisit në rrethin e Librazhdit nuk zhvillojnë mësim prej tre ditësh, sepse nuk ka përfunduar rikonstruksioni i shkollës më ta madhe të kësaj zone. Një kontratë e lidhur më datën 27.9.2012 midis Komunës Polis dhe firmës “Shqiponja 06”, për rikonstruksionin e shkolle, ka pasur si fond 140 milion lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare. Sipas kontratës shkolla duhej të përfundonte në afatin kohor të 120 ditëve nga dita e lidhjes së kontratës. Punimet për rikonstruksionin e saj filluan sipas procedurës së rregullt, por siç shikohet dhe  nga ankesat e banorëve puna ka filluar nga muret rrethuese dhe ndërtesa është totalisht e shkatërruar, në të shikon vetëm një punëtor. Banorët e fshatit janë të irrituar për mos përfundimin e punimeve të kësaj shkolle, punime që sipas tyre kanë filluar që prej tetë muajve e që janë zvarritur dhe sot nuk bëhet as mësim. Stina e dimrit po afron dhe gjendja bëhet edhe më problematike për fëmijët e kësaj zone. Madje, shumë herë banorët e zonë, këshilltarët e komunës, kanë ngritur dhe dilemat e tyre që në fillim për mënyrën e tenderimit të kësaj shkolle dhe sot siç shikohet lë për të dëshiruar.

Banorët

Banorët shprehen për “Telegraf” se, do të vazhdojnë të bojkotojnë procesin mësimor dhe nuk do të dërgojnë fëmijët në shkollë deri në përfundimin e godinës. Ambientet e caktuara nuk janë të përshtatshme për mësim, është një barake më llamarinë që e përdorin fshatarët për bazën ushqimore për dimër. Banorët thonë për gazetën se: “Firma shumë mirë mundet të kishte filluar me rikonstruksionin e godinës, pasi të kishte përfunduar rikonstruksionin e saj, mund të merrej me muret anësore”.

Firma

Gazeta “Telegraf”, në datën 10 dhjetor 2012, ka hedhur dyshime për mënyrën e tenderimit të kësaj shkolle një tender i paracaktuar, ku firma fituese “Shqiponja 06” nuk është e rregullt dhe fituesi është  selektuar. Kanë qenë tre subjekte që kanë marrë pjesë në tender “Bajrami” shpk me 119 milionë lekë, “Aldok” 134 milionë lekë dhe “Shqiponja 06” me 141 milionë lekë dhe fituese është “Shqiponja 06” me vlerën e lekëve më të lartë se të tjerat, kur sipas ligjit duhej të fitonte vlera më e ulët. Pra kontrata është lidhur me operatorin “Shqiponja 06” shpk me Nr. NIPT K77524602L, me vlerën e ofertës 14.110.420 (katërmbëdhjetë milionë e njëqind e dhjetë mijë e katërqind e njëzet) leke, ku është hedhur dyshim dhe për certifikatën ISO 9001-2008. Kjo firmë ka bërë dhe mjaft punime të tjera në këtë komunë që askush nuk e di se si kanë përfunduar.

Këshilli i komunës nuk njeh problemin

Pra siç shikohet edhe nga fotoja gjen vetëm muret dhe nxënësit që vazhdojnë të qajnë se duan të bëjnë mësim dhe prindërit që do të përshkallëzojnë protestën dhe do të bojkotojnë mësimin në një kohe të pacaktuar nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje sa më parë. Sipas Ndriçim Qytykut bëhet e ditur se, “ne, nuk dimë se çfarë është bërë. Jam anëtar i këshillit dhe as që është shtruar në këshillë farë ky problem. Firma punon me ritme të ngadalta. Ka filluar punën nga muret, në vend që të fillonte nga ndërtesa”. Banorët i kërkojnë strukturave shtetërore që të hetojnë për këtë skandal.