Skandal në Elbasan, 250 zyrtarë nuk dorëzojnë deklaratën e pastërtisë

470
Plot 250 zyrtarë të qarkut të Elbasanit, drejtorë, zv/drejtorë, shefa sektorësh, kryetarë të Njësive Administrative, këshilltarë të Këshillave Bashkiake të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Prrenjasit, e Peqinit dhe zyrtarë të cilët e kanë detyrim ligjor të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, nuk e kanë respektuar afatin e caktuar. E thënë shqip, ata kanë patur probleme dhe kanë akoma probleme me ligjin, ndaj edhe nuk kanë patur guximin të ulen dhe plotësojnë formularin e dekriminalizimit. Rrjedhimisht ata duhet të shkojnë para ligjit, dhe ajo që është më kryesore, duhet të largohen nga detyra, pasi kanë kriminalizuar edhe zyrat e shtetit ku militojnë. Sipas një drejtuesi kompetent në një nga institucionet në Elbasan ardhur nga LSI mësohet se “pavarësisht paralajmërimeve nga unë ata nuk largohen, sepse janë miq, farefis dhe kodoshët e politikanëve, ministrave dhe deputetëve, prej të cilëve kanë marrë edhe garancinë se nuk do i gjejë gjë. 

Procesi i zbatimit të ligjit të dekriminalizimit tashmë ka hyrë në fazën më delikate, pasi ka përfunduar afati dorëzimit të deklaratave, pas të cilit do ti hapet rruga verifikimit të tyre. Çdo formular vetëdeklarimi duhet të regjistrohet në regjistër me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet në rrugë elektronike. Strukturat e veçanta të shtetit brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit, duhet të bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre, si edhe ata që de facto e de jure e refuzuan atë. Në çdo rast, organi përgjegjës për administrimin merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet, kurse publikimi është i detyrueshëm nëse kërkohet. Kurse brenda 5 ditëve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës evidenton funksionarët publikë që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit, dhe e trajton “si refuzim për të deklaruar përfshirjen e tij në vepra penale kriminale ose jo”. Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organet e shtetit përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit, janë të detyruar të verifikojnë të dhënat e deklaruara nga personi dhe kryen të gjitha veprimet dhe procedurat e parashikuara, kurse organet e hetimit raportojnë tek Prokuroria e Përgjithshme për funksionarët publikë. 

KQZ nga ana e saj ka ngritur një strukturë të posaçme për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit, si dhe krijimin e një regjistri të veçantë, ku do të regjistrohet çdo formular vetëdeklarimi i paraqitur. Sipas ligjit, “funksionarët publikë detyrohen të kryejnë vetëdeklarimin dhe ta depozitojnë pranë organit kompetent atë” dhe në rast se provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Në respekt të ligjit duhet thënë, se të 250 zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve të qarkut të Elbasanit, pas skadimit të afatit të dorëzimit të këtij formulari, duhej të kishin dorëzuar detyrën, si masa e parë administrative dhe ndoshta duhet të shkojnë edhe në ndjekje penale për “mosdeklarimin e veprave kriminale që kanë kryer”. Sipas ligjit, çështja e tyre duhet t’i përcillet për shqyrtim nga organet gjyqësore, të cilat vendosin konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji”.
Sigal