Skandal në Berat, prej vitesh shpërndahej qumësht i pakontrolluar në çerdhe, kopshte dhe konvikte

630
Sigal

AKSIONI/ Flasin për “Telegraf”, drejtoresha e DSHP-së, Valbona Baxhija dhe specialisti i bujqësisë, Fredi Lalaj

Drejtoria e Shëndetit Publik (DSHP), Bashkia e Beratit dhe Drejtoria e Ushqimit kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët për të parandaluar tregtimin e qumështit, i cili ka përmbajtje të alfatoksinës. Tregtimi i tij është ndaluar në dyqane dhe personat që i shesin qumësht me bidonë nëpër lagjet e qytetit, nuk do t’i tregtojnë më në ato kushte. Burime nga DSHP-ja bëjnë të ditur se po kalohen në sitë të gjitha njësitë tregtare, madje grupi i kontrollit trepalësh ka ndaluar shitjen e qumështit nga banorët e zonave rurale, të cilët nuk kryejnë kontrolle për cilësinë e tij dhe mbi të gjitha e shesin nëpër bidonë, të cilët janë jashtë kushteve higjienike. Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Valbona Baxhija u shpreh për “Telegraf”, se, po merren masa për parandalimin e infeksioneve që mund të krijohen nga përdorimi i qumështit, i cili është i infektuar me alfatoksinë. Grupet e kontrollit po punojnë në të gjithë territorin për parandalimin e këtij fenomeni dhe njëkohësisht po merren masa që të kontrollohen edhe gjalpi, apo djathi, i cili prodhohet nëpër baxho.

Masat

Burime nga bashkia zbulojnë për “Telegraf” edhe skandalin e radhës. Sipas të dhënave bëhet e ditur se, është ndërprerë furnizimi me qumësht në kopshte, çerdhe dhe konviktet e shkollave të mesme në qytetin e Beratit. Më parë furnizimi i kopshteve e çerdheve, bëhej jashtë të gjitha kushteve. Qumështin që konsumonin fëmijët e vegjël e çonin disa persona me karrocë. Prej vitesh, qumështi nuk i ishte nënshtruar kontrollit nga specialistët, ishte pa dokumentet dhe nuk dispononte analizat përkatëse. Për momentin të gjitha mallrat e prodhuara janë bllokuar në njësit tregtare. Disa konsumatorë të revoltuar janë shprehur: Ne nuk po konsumojmë vetëm qumësht me alfatoksinë (hormone), por edhe ushqime të tjera si mishi, domatet, speci dhe frutat e ndryshme, të cilat fermerët i fryjnë aq shumë me hormone sa ato brenda një kohe shumë të shkurtër bëhen për t’u shitur. E gjithë kjo dozë e injektuar e hormonit shkon në organizmin e njerëzve. Madje, më e keqa është se këto produkte ushqimore i konsumojnë edhe fëmijët dhe dihet që organizmi i tyre i vogël nuk i përballon dot. Atëherë, pse heshtë Drejtoria e Bujqësisë përballë fermerëve, të cilët dhe vetë janë të ndërgjegjshëm se përdorin me doza të mëdha hormonesh në rritjen e prodhimit të zarzavateve dhe frutave.

Përdorimi i hormones

Specialisti i Bujqësisë, Fredi Lalaj shprehet për gazetën se, dihet nga të gjithë se fermerët përdorin doza të mëdha nëpër serat e tyre, ku kanë mbjellë perimet. “Drejtoria e Bujqësisë që ka një staf të specializuar për këtë punë duhet të ndërmarri aksione, por nuk merret vesh, pse i toleron këta fermer që të përdorin doza të mëdha tek zarzavatet. Këto veprime janë një krim i madh pasi po kërcënojnë seriozisht jetën e këtyre njerëzve, të cilët blejnë rrezikun me lekë. Ndërsa qumështin e merr hormonin nëpërmjet koncetratës, që e ushqen fermeri lopën. Ky veprim është i njohur”, ka thënë ai.