Skandal në Berat, kompanitë e huaja kërkojnë të pinë gjakun e fundit të qytetarëve

601
Sigal

DËSHTON PROJEKTI/ Kërkohet me dhunë taksa për parkimin e automjeteve, boshatiset bulevardi i qytetit

Në Berat edhe rrugët janë privatizuar. Nisma e ndërmarrë nga ana e Bashkisë për të dhënë hapësirat publike me koncesion firmës private duket se nuk ka rezultuar e suksesshme dhe kjo është evidente fill pas vënies në funksion të këtij projekti.

Situata

Vijëzime me bojë ngjyrë blu filluan që herët (por projekti ka nisur të zbatohet para një muaji), kur Këshilli Bashkiak mori një vendim me Nr. 39 datë 29.10.2010 për parkimin me kontratë në këtë qytet. Bashkia bëri tenderin dhe fituese u shpall një firmë e huajë serbe. Bashkia përcaktoi dhe akset rrugore, ku firma të kryente vijëzimet e parkimeve të makinave, të cilat janë katër akset kryesore të qytetit, ajo e aneksit të lumit, Bulevardi Republika, sheshi qendrore së bashku me rrugën që lidh stadiumin e vjetër me qendrën si dhe bulevardin në lagjen “Çelepias” nga Kinoklubi deri në hyrje të qytetit. Por firma nuk ka zbatuar kriteret e vendosura nga bashkia, sepse ajo pa të drejtë ka zaptuar dhe pronat publike, madje ka hequr dhe tabelat e vendosura nga bashkia, ku shkruhej ndalohet parkimi. Ajo që është më e keqe është fakti se kjo firmë në mënyrë të padrejtë ka hequr të gjitha tabelat, që tregonin ndalimi parkimi dhe kështu qytetarët janë çoroditur. Heqjen e tabelave ata i kanë zëvendësuar me vijëzimet të jashtëligjshme, por si mundet që kjo firmë të privojë qytetarët beratas nga e drejta për të parkuar në hapësirat publike, hapësira të cilat i takojnë me të drejt, sepse çdo përdorues makine paguan të gjitha detyrimet e caktuara me ligj. Një veprim i tillë s’është gjë tjetër veçse një skandal i radhës që bëhet nga firma e huaj serbe, që kërkon medoemos të pijë edhe gjakun e fund të qytetarëve.

Konfliktet

Firma që ka fituar tenderin për parkimet me pagesë nga Bashkia e Beratit, ka një muaj që ka filluar nga puna për mbledhjen e taksave, pas vijëzimet me bojë blu, nëpër të gjitha rrugët dhe bulevardet e qytetit. Me fillimin nga puna të firmës shumë drejtues automjetesh nuk kanë reaguar mirë pasi nuk kanë pranuar që të paguajnë parkimin kundrejt një shumë prej 500 lekë të vjetra për një orë, sepse sipas tyre nuk duhet të zihen të gjitha hapësirat publike. Por me këmbënguljen e inspektorëve të firmës “Metro Parkim”, ata janë detyruar që të paguajnë ose në të kundërtën janë larguar me dhunë. Kështu me fillimin e pagesës të parkimit të automjeteve është ‘pastruar’ dhe sheshi qendrore në qendër të qytetit. Disa inspektorë të firmës janë shprehur për gazetën se “ne jemi të detyruar që të zbatojmë ligjin, sipas rregullave, kështu që çdo makinë që do të parkohet brenda vijës blu do të paguaj për aq orë sa do të qëndroj aty”. Sipas inspektorëve bëhet e ditur se firma operon edhe me kontrata për të gjithë ata që duan të presin abone. Në shumë raste, ku drejtuesit e mjeteve nuk janë bindur inspektorëve të firmës, menjëherë ka shkuar në ndihmë grupi i gatshëm i policisë dhe ai i firmës.