Skandal në Berat, kinemaja e vetme shndërrohet në magazinë

1237
Sigal

HUMBJA E FUNKSIONIT/ 64 milionë lekë që u investuan për restaurimin e kinemasë “13 Shtatori” i mori lumi Osum

Institucionet kulturore në Berat po humbasin funksionin e tyre të vërtetë. Fatin e keq e ka pasur edhe kinemaja e vetme e qytetit, e cila ditët e fundit është përfshirë nga skandali, pasi pas rikonstruksionit me një fond prej 64 milionë lekësh flitet se ajo do të përdoret si magazinë, ku sipas të dhënave ajo është marrë nga një firmë private.

Situata

Qyteti i Beratit që nga viti 1956 ka patur tre kinema, dy nga të cilat ishin verore. Tashmë nga tre kinema që kanë ekzistuar qyteti nuk ka asnjë në funksionim. Ish-kinemaja që mbanë emrin “13 Shtatori”, simbolin e ditës së çlirimit të Beratit ka mbetur e bllokuar prej disa kohësh. Aktualisht nuk dihet se çfarë destinacioni do të marrë pasi ajo është boshatisur. Por nga të dhënat flitet se ajo është marrë nga një firmë dhe do të shfrytëzohet si magazinë. Kinemaja “13 Shtatori” është një nga më të mëdha në shkallë vendi, me rreth 900 vende. Kjo kinema ka vite që e ka humbur funksionin e saj të shfaqjes së filmave dhe aktiviteteve të tjera kulturore. Para disa vitesh Bashkia e Beratit ka bërë një tender prej rreth 64 milionë lekë për restaurimin e saj. Të gjithë qytetarëve të Beratit në atë kohë iu ngjall një shpresë se ajo do të vihej në punë dhe vënia e saj në funksion do të ndikonte për mirë tek moshat e reja. Por për çudi, kur përfunduan punimet dhe godina mori një pamje të bukur, bashkia e ndryshoi destinacionin e saj. Kinemaja u përshtat në zyra, të cilat u shfrytëzuan nga bashkia. Ky veprim preki shumë qytetarët e këtij qyteti, të cilët kërkonin që kinemaja t’i rikthehej aktivitetit të saj të mëparshëm. Aty, u vendosën zyrat e Drejtorisë së Taksave lokale të bashkisë, u vendosën zyrat e Policisë Bashkiake etj.. Por më pas me kalimin e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve të Beratit në dispozicion të bashkisë, bashkia me një urdhër i zhvendosi që të gjitha zyrat që ndodheshin në godinën e kinemasë, të kalonin në godinën e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve. Tashmë, kjo godinë ka mbetur e izoluar edhe pse për restaurimin e saj u harxhuan 64 milionë lekë, të cilat i mori ‘rrjedha’ e lumit Osum, pasi kinemaja ka mbetur e boshatisur dhe së shpejti pritet një fat akoma më i keq për të. Gradualisht, qytetit të Beratit çdo ditë po i hiqen institucionet përkatëse. Fatin e kinemasë e kanë pasur edhe ndërtesa të tjera, përmendim këtu Muzeu Historik që pas daljes se pronarit të godinës ai pushoi së ekzistuari, më pas u hoq nga funksioni merkatoja e vetme që kishte Berati dhe nuk dihet se kush institucion tjetër do ta ketë radhën. Qytetarët e pyetur nga “Telegraf”, shprehen se, një kinema në qytet do të ndikonte dhe në edukimin e brezit të ri. Të rinjtë që për momentin kanë mbetur nëpër loto e lojërat e fatit, që kanë rënë preh e alkoolit dhe të drogës do të shkonin në kinema për të parë filma apo aktivitete të tjera kulturore dhe nuk do të merreshin me të tilla gjëra.