Skandal në Berat, CEZ nuk pranon ankesat nëse nuk paguhet energjia e mbifaturuar

51

Pensionisti, Jashar Toska: “Kurrë nuk i kam harxhuar 260 mijë lekë. Ja çfarë më thonë tek Zyra e Kujdesit të Klientit”

Në Berat vazhdon ende seriali i abuzimeve me faturat e energjisë elektrike. Faturistët e CEZ-it nuk po kursejnë as pensionistët e invalidët, të cilëve po u mbifaturojnë energji, të cilën realisht nuk e kanë konsumuar.  Jashar Toska, 68 vjeç, pensionist dhe njëkohësisht invalidë ka një muaj që sorollatet nga drejtuesit e CEZ për të zgjidhur një padrejtësi që i është shkaktuar nga kjo ndërmarrje. Atij i ka ardhur një faturë e fryrë, të cilën nuk mund ta paguajë, sepse nuk e ka harxhuar atë energji, por kjo nuk u intereson punonjësve të CEZ, të cilët e detyrojnë të kryejë pagesën ose në të kundërt ata nuk i shikojnë sahatin nëse ka apo jo të drejt që po e ngre këtë ankesë. Jashar Toska i ndodhur në kushte të vështira ekonomike, shprehet për gazetën se ka një muaj që po sorollatet nëpër zyrat e CEZ-it dhe nuk po ia zgjidh njëri hallin që pa drejtësisht i është bërë. “Brenda tre muajve faturat në total më kanë ardhur 260 mijë lekë të vjetra, kur unë në banesë jetoj vetëm me bashkëshorten tim dhe kam vetëm një televizor, një lavatriçe dhe frigorifer dhe asgjë më shumë. Madje, unë gatuaj edhe me gaz për të kursyer energjinë elektrike. Për muajin shkurt, mars dhe prill mua më kanë ardhur faturat 260 mijë lekë. Muaj prill ka qenë rekordi, ku fatura ka ardhur 130 mijë lekë të vjetra. Menjëherë, u kam kërkuar sqarime drejtuesve të CEZ-it në Berat, por kam një muaj që vijë vërdallë dhe askush nuk ma zgjidhë këtë problem. Sikur dhe furrë buke të kisha nuk do të harxhoja kaq shumë energji. Jemi befasuar me këto veprime abuzive që bënë CEZ me ne abonentët. Unë jam pensionistë dhe njëkohësisht invalidë dhe marrë vetëm 140 mijë lekë të vjetra pension, ku 50 mijë lekë të vjetra unë i marrë ilaçe dhe me ngelën 90 mijë lekë. Ku t’i gjejë unë lekët që të shlyejë faturat që ata i plotësojnë sipas interesave të tyre. Kam shkuar tek drejtori ai më pa faturat dhe kërkojë nga punonjësit e tij që të zgjidhet ky problem dhe kaq u bë. Kam shkuar tek Zyra e Kujdesit të Klientit, kam biseduar me shefat, por ata më kanë kthyer si përgjigje se, ‘duhet ta paguajë, se vetë i kam harxhuar’, por kjo nuk është e vërtet. Mos të rëntë halli se këta nuk të zgjidhin punë, e marrin rrogën kot. Tre ditë më parë drejtuesit e Zyrës së Klientit më kanë thënë që të plotësojë një formular dhe më kërkuan që të kryej pagesën dhe më pas ata të vijnë për të parë sahatin. Po, ku t’i gjejë këto lekë, pra. Sahatet janë të bllokuar dhe janë të kyçur vetëm faturistët i kanë çelësat le të vijnë dhe së bashku me mua të shohim sahatet. Por edhe këtë kërkesë të bërë prej meje ata nuk e pranojnë, se e dinë që unë kam të drejt dhe për të mbrojtur veten e tyre, shpikin lloj –lloj gjërash, por ai që e pëson në fund jam vetëm unë dhe xhepat e mi”,- tha Toska.