Skandal në ‘Albkontrol Sh.a’ në Rinas, emërime pa diplomë, abuzime në tendera

1245

Në ish-ANTA, emërime nëpunësish pa diplomë dhe skualifikimet e kompanive që kanë çmime rreth 200 milionë më të ulëta

Babëzia që po njollos përditë dhe më shumë ëndrrën e Rilindjes. Ëndrra e madhe e shqiptarëve për të rikthyer paqen, qetësinë dhe drejtësinë mbështetur në premtimet dhe programin e Rilindjes, u kurorëzua me votën plebishitare të 23 Qershorit 2013. Kjo votë ishte besimi dhe mbështetja që një popull i jep të zgjedhurve të vetë me qëllimin e vetëm që ai, të mos rri i bllokuar në vendimmarrje, por të vendosë po të jetë nevoja, edhe me forcën e kartonit. Më qartësisht, kjo votë do të thotë që, Parlamenti ka të drejtën ligjore të ndërmarrë të gjitha nismat për të ndryshuar akte të vendosura nga paraardhësit e tij dhe që ligji për zhbërjen e tyre i kërkon shumicën absolute të votave. Por që kjo reformë të ketë jetëgjatësi, duhet bërë nga njerëz me mendime, ideale dhe nivel juridik, teknik dhe profesional. Duhen njerëz të ndershëm në krye pasi këta njerëz do të zgjedhin pasuesit e tyre apo ata që quhet në gjuhën e përditshme përbëjnë stafin e ngushtë dhe më tej specialistët. Sa më objektive dhe transparente të jenë këto emërime, aq më e suksesshme do jetë reforma administrative, e cila do konvertohet në mirëqenie dhe siguri për qytetarët. Këta qytetarë janë jo vetëm ata 1 milion që votuan të Majtën, por mbarë shqiptarët, sipas shprehjes së Rilindësve të vërtetë, “pa dallime bindjesh, krahine dhe ideje” . Këto ditë ka pasur shumë reagime në lidhje me aktivitetin dhe pakënaqësitë e punës gjatë këtyre 6 muajve të të emëruarve të koalicionit të Majtë. Një situatë e tillë është ndeshur këto ditë edhe në ALBCONTROL SH.A, ose ajo që deri para pak kohësh njihej si ANTA (Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror sh.a), me adresë në aeroportin “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Drejtues i këtij institucioni është emëruar Belinda Balluku, ish-shefja e zyrës së marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës. Dhe për të gjithë shqiptarët që ndoshta nuk u kujtohet ajo dilte në ekrane për publikun vetëm dy herë në vit. Një herë me rastin e “Netëve të Bardha” dhe herën e dytë, kur njoftonte kryeqytetasit për ditën e 16 shtatorit Konferencës së Pezës. Pavarësisht se, lidhjet e saj dhe të njerëzve të saj nuk kanë të bëjnë fare me të Majtën, përsëri shansi i ra kësaj zonje për të “përfituar” poste drejtuese nga votat e 1 milion të Majtëve. Dihet se ajo përmend shpesh emra të mëdhenj, por kjo nuk ka të bëjë me këta të fundit, pasi ka shumë raste, kur dikush të çon për punë, për të punuar dhe të tjerët abuzojnë në emër të atyre që kanë iniciuar emërimin në këto poste. Sigurisht që ka shumë histori dhe ne do t’i trajtojmë me transparencë në vëmendje të qytetarëve dhe taksapaguesve. Por çfarë është shoqëria ALBCONTROL SHA , ose ish-ANTA për ata që e njohin me këtë emër? ALBCONTROL është shoqëri tregtare e kufizuar dhe e veçantë në llojin e aktivitetit të vetë në Shqipëri, kjo për shkak të aderimit në “Konventën Ndërkombëtare të EEROCONTROL”-it. Republika e Shqipërisë aderon në “ Konventën Ndërkombëtare të EEROCONTROL”-it për bashkëpunimin dhe sigurinë e navigimit ajror të 13 Dhjetorit 1960, amenduar nga protokolli shtesë, i nënshkruar në Bruksel, më 6 korrik 1970, i cili është amenduar nga protokolli i 21 Nëntorit të vitit 1978, të gjitha këto të amenduara nga protokolli i nënshkruar në Bruksel më 12 shkurt 1981. Vendi ynë aderon në “Marrëveshjen shumëpalëshe për pagesat e rrugës” të 12 shkurtit 1981. Madje, Republika e Shqipërisë aderon në protokollin që konsolidon “Konventën Ndërkombëtare të EUROCONTROL”-it dhe amendamentet e saj, hapur për nënshkrime në Bruksel më 27 Qershor 1997. I gjithë ky aktivitet i ALBCONTROL SHA ( ish-ANTA) funksionon në bazë dhe mbështetje të ligjit Nr.8821 datë 15 tetor 2001 dhe që ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare datë 26 tetor 2001. Shoqëria ushtron aktivitetin mbi standardet ndërkombëtare të Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë (ISO 9001:2008), Sistemit të Menaxhimit të Mjedisit (ISO 14001:2004), Sistemit të Menaxhimit të Kujdesit të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OHSAS 18001: 2007), Sistemit të menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (ISO 27001:2005), si dhe Sistemit të Menaxhimit të Shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit (ISO 20000-1:2011). Por le t’i kthehemi procedurave dhe aktivitetit të kësaj shoqërie, e cila sikurse theksuam prej muajsh të tërë ka në krye si titullare, Belinda Ballukun. Në gazetën “Telegraf” ka mbërritur një informacion në lidhje me procedurat e një prokurimi publik apo sikurse quhet në gjuhën e përditshme TENDER. Objekt i këtij prokurimi ka qenë rrethimi me mur mbrojtës dhe rikonstruksioni i objektit në Porto Romano, pikërisht aty ku ndodhet një Radar i shoqërisë ALBCONTROL SHA (ish-ANTA). Sipas procedurave kërkesa për tenderim i është bërë Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe kjo e fundit ka bërë njoftimin përkatës. Në kohën e përcaktuar tenderi është zhvilluar me pjesëmarrjen e disa firmave të ndërtimit. Komisioni i tenderit i ngritur me urdhër të Kryetares së Entit Prokurues të ALBCONTROL SH.A, Belinda Balluku ka verifikuar procedurat dhe në fund, çuditërisht, ka marrë vendime, të cilat sipas përfaqësuesve ligjorë të firmave në tender, ka qenë i njëanshëm dhe ka shkelur rëndë të drejtën e barazisë. Sipas përfaqësuesve dhe pjesëmarrësve, janë skualifikuar pa të drejtë disa firma, të cilat kanë paraqitur ankimimin e tyre për këtë masakër që po i bëhet të drejtës. Njëri nga pjesëmarrësit deklaroi se, “erdhëm dhe u paraqitëm në tender duke shpresuar tek drejtësia dhe s’e menduam se Rilindja do triumfonte. Por këtu ka muaj që marrëzia nuk njeh kufij. Gjithçka bëhet në konspiracion dhe se ne, besojmë se drejtësia shpejt apo vonë do të bëjë që duart e pudrosura me helmin e babëzisë, një ditë -madje të shpejtë, siç duket- do japin llogari”. Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të shtetarëve të ndryshëm, pale kryeshtetarëve, pasi njollos me qëllim imazhin e tij në këmbim të marrëzisë dhe babëzisë që nuk po njeh kufij. Tenderi sipas këtyre burimeve është fituar me një vlerë rreth 660 milionë lekë. Ndërsa firma të skualifikuara, janë ato që kanë ofruar një çmim afërsisht 400 milionë lekë… NO KOMENT…. për më tej… Organet e drejtësisë, hetimit dhe ato të kontrollit duhet urgjentisht të inspektojnë dhe të vënë para përgjegjësisë, cilindo drejtues të lartë që me ndërgjegje dhe në mënyrë të turpshme kërkon të abuzojë me gjakun, djersën dhe fukarallëkun, ku është katandisur ky popull. Sigurisht, ka shumë e shumë gjëra të tjera të rënda, ku pushtetarët flenë në luks, udhëtojnë dhe fluturojnë në çdo cep të globit, kurse hallexhinjtë s’kanë lekë të blejnë ilaçet, ndërsa spitalet janë kthyer në vende, ku sikurse thotë një shprehje e urtë popullore “Po të bjerë miu thyen kokën”. Është skandaloze ta mendosh që në një institucion sikurse është ALBCONTROL SHA (ish-ANTA) janë gjetur në punë njerëz, që sipas raportit të vetë Kontrollit të Brendshëm, kanë këtë nivel profesional dhe arsimor, që është turp ta mendosh. Ja disa nga CV-të e pjesëmarrësve: – U kontrollua dosja 55. me urdhër emërimi 357. Student kontrollor në Div. Operacional. Dosja ka këto mangësi: Nuk ka përshkrim pune, nuk ka diplomë të shkollës së lartë, diploma e shkollës mesme është e panoterizuar, nuk ka vërtetim vendbanimi. Një tjetër dosje ka këtë problematikë: Vrojtues Meteorologjie: Është pa arsim të lartë.

Një tjetër Dosje: Ndihmës magaziniere, emërohet bibliotekare në Divizionin e Sigurisë dhe nuk ka diplomë të shkollës mesme dhe shkollës lartë të noterizuar.

Një tjetër dosje e kontrolluar: Specialist i prokurimeve, në përshkrimin e punës përcaktohet të ketë dy vjet punë në fushën përkatëse dhe duhet të ketë mbaruar arsimin e lartë dega Drejtësi, Ekonomik ose Inxhinieri. Nuk ka asnjë nga këto degë, por ka mbaruar Shkenca Sociale. Ka dhe raste të tjera pa fund dhe se shumica e tyre janë fëmijë dhe të afërm të funksionarëve të lartë të pushtetit të sotëm dhe të djeshëm. Ne do vazhdojmë të pasqyrojmë raste të tjera që kanë të bëjnë pikërisht me institucionin që drejtohet nga Drejtorja Belinda Balluku.