Skandal, ministri Imami mbyll Repartin e Demontimit në Poliçan, e hap në Mjekës

612
Sigal

Zhvendosja e qëllimshme. Ministri i Mbrojtjes kërkon elektorat pasi është drejtues i Shtabit Elektoral në Qarkun e Elbasanit

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me një të rënë lapsit ka kryer një veprim shumë të ulët, ku për interesa partiake ai ka mbyllur Repartin e Demontimit në Kombinatin Ushtarak të Poliçanit dhe e ka transferuar atë në Mjekës të Elbasanit. Punëtorët janë tronditur, kur janë njohur me këtë vendim tepër diskriminues për jetën e tyre, pasi ata do të mbeten rrugëve dhe të papunë. Lajmin e bënë të ditur për “Telegraf”, një grup punëtorësh, të cilët janë shprehur se, ministri ka mbyllur Repartin e Demontimit në Poliçan dhe e ka zhvendosur atë në Mjekës të Elbasanit. “Ky veprim na ka tronditur pa masë. Qyteti ynë është një qytet që u ndërtua për interesat e sistemit komunist (në mes të maleve) dhe si i tillë nuk ka punë, edhe ajo pak punë që u hap për ne, ministri e zhvendosi në Elbasan. Ky është një krim i vërtet, pasi këtu u lanë pa bukë 200 familje”, u shprehën ata.

Qëllimi

Sipas punëtorëve që kontaktuan me gazetën mësohet se, zhvendosja e demontimit nuk është bërë pa qëllim, pasi ministri Imami është drejtuesi i Shtabit Elektoral në Qarkun e Elbasanit dhe si i tillë, për të fituar reputacion për momentin bëri këtë lëvizje. Ai mbylli repartin e demontimit të Poliçanit dhe e transferoi në Elbasan për të vetmen arsye që të punësojë një numër të madh punëtorësh për fushatë në Qarkun e Elbasanit. Punëtorët të shqetësuar u shprehën se, ministri Imami ka zbatuar një fjalë popullore “Hiqja Prenës dhe jepja Lenës”, por ne i themi ministrit tonë të dashur, po fëmijët tanë çfarë do të hanë? Burime nga kombinati bëjnë të ditur se, ministria ka lënë vetëm 5 për qind të demontimit. Atë të fishekëve dhe asgjë më shumë. Ndërsa granatat, predhat me dimensione të mëdha dhe municionet e rënda, do të demontohen në Elbasan. Tashmë punëtorët e ish-kombinatit, do të mbeten rrugëve të qytetit pa punë dhe pa bukë. Nuk është e lehtë që të rezistosh në një kohë që çmimet janë në stratosferë,- janë shprehur punëtorët. “Ne mendonin që po stabilizohej situata, pasi sado pak ekonomia jonë pati përmirësime, pasi kemi një jetë të tërë që vuajmë, por vjen një ditë e mallkuar dhe ato pak të ardhura që ne merrnim nga puna e demontimit, na i hoqën pa gjë të keqe”,- u shprehën punëtorët. “Për të fituar një pozicion në fushatë elektorale apo në Qeveri, ministrat tanë bëjnë gjëmën, nuk pyesin më për njerëzit e tyre, por vetëm e vetëm që të fitojnë reputacion, para shefit të tyre”, u shpreh një nga kuadrot e këtij kombinati, i cili ishte befasuar me veprimet e ministrit. Burime të sigurta brenda drejtorisë së Kombinatit Ushtarak në Poliçan bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf”, se, ky veprim është shumë i ultë, pasi me kalimin e kohës këta punëtorë ishin specializuar dhe me të ardhura po ushqejnë familjet e tyre. Por nuk të lë ministri i Mbrojtjes që të ushqehesh se, është vendosur drejtuesi i Shtabit Elektoral në Qarkun e Elbasanit dhe duhet të fitojë sa më shumë elektorat. Tashmë këta punëtorë po i shtohen armatës së madhe të papunëve dhe fukarenjve në këtë qytet. Është absurde që të kesh punën dhe të vijë një ditë ta marri tjetri pa u kuptuar fare, kjo është e pabesueshme, -janë shprehur disa specialistë. “Hallet tona nuk paskan të mbaruar. Ne kemi nga 50 vjet e më shumë që i jemi kushtuar kombinatit, duke filluar që nga prindërit tanë, që kanë punuar edhe në ndërtimin e tij.  Këtë duhet ta dijë mirë ministri”, u shprehën ata.