Skandal me trojet, Prefektura anulon tapitë e paligjshme

478
Sigal

Kanë përfituar tokë deputetë e qeveritarë, persona që nuk parashikohen në ligj, probleme në Durrës e Krujë

Prefektura e Durrësit ka anuluar të gjitha tapitë e paligjshme, që i përkasin periudhave 2009 deri 2013. Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefekturës së Durrësit, ka anuluar  mbi 30 tapi, të cilat rezultojnë të jenë dhënë në mënyrë të paligjshme. Prefektura ka bërë të ditur se, gjatë vitit të kaluar ka pasur shumë denoncime nga persona të ndryshëm lidhur me padrejtësitë, për të cilat ata pretendojnë se, u janë bërë në ndarjen e tokës. Komisioni ka kaluar në ballafaqim me ligjin dhjetëra ankesa dhe më pas ka dërguar në terren edhe specialistët. Këta të fundit kanë parë në komuna e në bashki, pranë zyrave të kadastrave të gjithë dokumentacionin, për të cilin ka pasur edhe vërejtje dhe më pas ka marrë vendim për shfuqizimin e titullit të pronësisë. Një burim zyrtar nga Prefektura u shpreh për “Telegraf”se, “në Qarkun e Durrësit ka  shumë probleme që lidhen me dhënien  tokë në kundërshtim me ligjin 7501 të vitit 1991 “Për tokën”, për rastet e shfuqizimit të të drejtës së pronës është vënë re se, përfituesit e kanë marrë atë sipërfaqe tokë në mënyrë abuzive dhe po zbulojmë se, personat që kanë përfituar janë njerëz me pushtet, deputetë e qeveritarë”. Kjo situatë ka detyruar Komisionin e Verifikimit të Titujve të Pronësisë, pranë Prefekturës së Durrësit të ndëshkojë pas zbulimit përfituesit e paligjshëm të trojeve. Komisionet e ndarjes së tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave në  shumë raste kanë vepruar ndryshe nga çfarë ka parashikuar ligji “Për tokën”, duke u dhënë tokë edhe personave që nuk parashikohen në ligj, ose duke shpërndarë diku me shumë e diku më pak tokë për  frymë. Prefektura ka bërë të ditur se, jo të gjitha komisionet e ndarjes së tokës kanë raste të tilla, ndërkohë që, fenomeni ka prekur Durrësin, Krujën dhe më pak në njësitë të tjera, ndërkohë që, fillimisht mbi 30 tituj pronësie janë zhvlerësuar dhe asnjë nga përfituesit e paligjshëm nuk ka reaguar. “Në rast se përfituesit e padrejtë apelojnë për të kundërshtuar vendimin e Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, atëherë ne dosjen e kalojmë për organet e gjyqësorit për të vërtetuar zbatueshmërinë e ligjit nga ana jonë”,-ka thënë  burimi pranë Prefekturës. Nga  këto 30 dosjet e para i kanë kaluar në dispozicion të organit të Përmbarimit, ku gjenden 27 ha tokë, e cila do të lirohet gradualisht nga personat që e kanë shfrytëzuar për një kohë të gjatë. Dy parcela i janë hequr personave që i kishin në përdorim prej  vitesh në Krujë dhe tashmë kjo tokë i ka kaluar Përmbarimit. Komisioni pranë Prefekturës vijon  të mbledhë të dhëna dhe deklarime nga fermerë të cenuar në mënyrë të padrejtë. Prefektura ka bërë të qartë se, një pjesë e ankesave kërkojnë kohë deri në zbardhjen e një vendimi, pasi është ndërhyrë në Kadastra, duke kryer veprime abuzive, të cilat kërkojnë edhe hetime nga organet e drejtësisë. Çdo person përgjegjës, (pasi mendohet se rrjeti të implikuarëve shkon nga ZRPP deri në dikastere) do të dërgohet në Prokurori për ndjekje penale. Durrësi është qarku që ka një mal me probleme me trojet dhe pronat, pasi mjaft struktura  të shtetit prej vitesh janë implikuar në afera korruptive dhe kanë bërë pronarë njerëz me pushtet dhe shumë të tjerë bazuar mbi dokumentacione të falsifikuara.