Skandal me tenderët e rrugëve, 1 shtyllë ndriçimi paguhet 3 mijë euro!

960
Pagesa deri 3 mijë euro për 1 shtyllë ndriçimi rruge, (që nuk e gjen as në Itali, Francë e madje as në Maqedoni) është një krim që duhet ndëshkuar nga drejtësia, për më tepër supervizorët që përballë presionit të shtetarëve gjunjëzohen dhe firmosin për rrugë të pa përfunduara, për kosto fiktive e punime të pakryera sipas projekteve, duke deklaruar “rrugë të përfunduara sipas standardeve”, në shkëmbim të ndonjë “dorë” lekësh që u jepet prej atyre që zhvatin miliona 
Fakte skandaloze, po dalin në dritën e diellit çdo ditë, të cilat lidhen me tenderët e rrugëve nacionale dhe ato brenda qyteteve. Fakte skandaloze, që lidhen me pazaret me tenderët dhe klientelizmin e paracaktuar nga ministrat dhe që shkon si zinxhir abuzimesh e përfitimesh, deri tek krerët e strukturave të pushtetit vendor. Investimet e dhëna për ndërtimin e rrugëve të reja, apo rikonstruksionin e tyre duke i reklamuar si “rrugë e re”, kanë zbuluar fakte skandalesh që lidhen nga pazaret me 20-30 përqindëshin e marrë nga “ustallarët” e tenderit dhe vazhdojnë me çmimet e një shtylle ndriçimi rrugor e cila shkon si kosto e paguar deri në 3 mijë euro(!?), kur çmimi i saj i paracaktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) është 500-600 euro 1 copë (shtyllë). Organet e hetimit vetëm në 2 muajt e fundit kanë marrë mbi 32 denoncime e kallëzime penale ndaj firmave që janë totalisht kliente të shtetarëve, ndërkohë që përgjatë vitit 2015 në Prokurori kanë depozituar denoncimet e tyre për “pabarazi në tenderë dhe falsifikime me rritje fiktive të çmimeve” nga dyfishi subjekteve të “persekutuar”. Por deri sot organet e hetimit, janë mjaftuar me stërzgjatje të hetimeve, mbledhjes së fakteve, dokumentimit të dosjeve, duke mos kryer asnjë procedurë e cila përfshin edhe thirrjen e denoncuesve, qoftë edhe formalisht. Një fakt: Vetëm në dy raste, bëhet fjalë për përvetësimin e 300 mijë eurove, vetëm në 1 tender dhe po të llogarisësh sa tenderë janë zhvilluar e u janë “dhuruar” klientëve të përhershëm, vlera arrin në miliona euro, të cilat kanë mbushur xhepat atyre që kanë vulosur e firmosur dhe nuk kanë shtruar, rikonstruktuar e kompletuar me infrastrukturë rrugët e qyteteve dhe zonave tona. Vetëm në dy tenderë rrugësh, konstatohen fakte skandalozë aferash korruptive, për rrugë që lidhen me dy akse rrugore nacionale në dy qytete të mëdha të vendit, ku vlera e të parit arrinte në afro 2.8 miliardë lekë dhe vlera e të dytit në 2.1 miliardë lekë, me bilanc abuzimi (vjedhje) tek i pari rreth 300 mijë euro dhe tek i dyti rreth 250 mijë euro. Shkeljet nisin nga pabarazia e tenderimit, tek pazaret dhe blerja e konkurruesve dhe mbaron tek dhënia e 10-30 përqindëshit, që jepet “cash” në dorë tek shefat e zyrave të ARRSH, pasi ndryshe nuk firmoset asnjë dokument në dosje. Por në rastin konkret, skandal-krimi financiar është bërë me miratimin e vlerës së tenderuar të 1 shtylle ndriçimi rrugor me 3 mijë euro. E për më keq akoma, në disa akse rrugore të ndërtuara nga firmat klienteliste para fushatës elektorale (dhe ato që po ndërtohen), shtyllat e paguara si investim në infrastrukturën e sigurisë rrugore, nuk janë vendosur dhe nuk gjenden askund, duke treguar sheshit abuzimin me paratë e investimeve. Fakte të tilla, apo mungesa e mbushjes së bazamentit të rrugëve (gjatë punimeve të stërzgjatura) me shtresat e nevojshme të cilat arrijnë nga 1.5 deri 3 metër, janë dokumentuar nga firmat denoncuese dhe prej disa muajsh, janë bërë objekt i hetimit prej Prokurorisë e cila ka nisur këto hetime për denoncimet e bëra. Sipas një burimi nga organet e Prokurorisë, mësohet se “nga ecuria e deritanishme e hetimeve janë vërtetuar faktet e abuzimeve dhe kanë dalë edhe emrat e zyrtarëve të lartë të piramidës shtetërore që kanë “dorë” në këtë abuzime, fakte të cilat akuzojnë ata për marrjen e 10 përqindëshit, gjurmë që kanë lidhje edhe me “drejtorët e vegjël” në rajonet e rrugëve, që janë shpesh “korrierët” e ryshfeteve, duke u kthyer në “mblesë” mes firmave, por dhe seleksionues të atyre që tentojnë të ulin sado pak vlerën e pazarit të ryshfetit të tenderit. Të pajtohesh me skandale të tilla në vlerat e tenderëve, që shkojnë deri në planifikimin 3 mijë euro për 1 shtyllë ndriçimi, (që nuk e gjen as në Itali, Francë e madje as në Maqedoni), ky është një krim që duhet ndëshkuar ashpër nga drejtësia. Të biesh dakord me supervizorë frikacakë e të molepsur, që përballë presionit të shtetarëve gjunjëzohen dhe firmosin për rrugë të pa përfunduara e për punime të pakryera sipas projekteve duke deklaruar “rrugë të përfunduara sipas standardit”, ky është përsëri një krim në bashkëpunim që duhet çuar për ndëshkim përpara drejtësisë, mbasi faktet e denoncuar akuzojnë se edhe supervizorët e “gjunjëzuar” përballë presionit të bosëve të tenderëve të rrugëve, për këto “shërbime” që bëjnë ndaj abuzuesve me tenderët dhe (mos)zbatimin e projekteve të rrugëve, rezulton se marrin “diçka” nën dorë. Kjo do të thotë, të ligjërosh korrupsionin me rrugët për të cilat përdoruesit e tyre, kanë nevojë të jenë me standarde! Ato miliona lekë e euro që zhvaten me aferat e tenderëve të rrugëve, janë të ardhura të siguruara e të shlyera nga taksapaguesit shqiptarë, nga ata që edhe pse janë me një rrogë qesharake apo ndihmë ekonomike, derdhin çdo muaj taksat dhe detyrimet e tjera në arkën e shtetit, të cilat në vend të përdoren për investime të plota edhe në rrugët që tenderohen e (s) ndërtohen, “arkëtohen” me pazare të pista në xhepa drejtorësh të lartë të vegjël, në llogari deputetësh, ministrash e zyrtarësh të lartë të këtij shteti. 
Sigal