Skandal me protestën e qetë, policia shoqëron disa qytetarë

121

Ndonëse kaloi pa incidente të mëdha, pas protestës së kësaj fundjave policia nisi shoqërimin e disa protestuesve, pjesëmarrës në tubimin e opozitës. Pas mbylljes së protestës, gjatë orëve të natës është bërë shoqërimi i disa protestuesve, të cilët më pas janë lënë të lirë. Sipas burimeve mësohet se 15 nga protestuesit janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë. Lidhur me shoqërimin e protestuesve nga policia e Tiranës ende nuk ka një version zyrtar, por nga burimet bëhet e ditur se po kryhen hetime dhe verifikime.

Protesta e 8 qershorit është ndër të paktat protesta ku nuk janë kryer arrestime masive, që prej protestës së parë me 16 shkurt. Tubimin e fundit të opozitës, policia arrestoi 42 protestues, dhe procedoi 18 të tjerë, mes tyre dhe Gazmend Bardhin. Lidhur me këtë protestë policia la në burg 2 prej protestuesve, dhe 3 në arrest shtëpie, ndërsa 37 të tjerëve iu caktua masa detyrim paraqitje.

Një ditë pas protestës, kryeministria i është rikthyer punës së përditshme, ku dhe masat e marra nga policia dhe garda janë hequr, përveç derës kryesore. Gardhi metalik, policia dhe automjetet e tyre janë larguar gjatë natës. Nga masat e marra nuk është hequr ende dera me fletë metalike, e cila u vendos disa orë para protestës.