Skandal: Ja si policia e Tiranës i hoqi lirinë për 48 orë studentit të drejtësisë

Ndalohet pa u kryer asnjë verifikim, i ushtrohet presion të pranojë akuzën, i caktohet avokat pa dëshirë, i thuhet se nuk ekziston në sistemin e patentave e as në regjistrin e gjendjes civile

“Policia që duam” dhe argumenti për të bërë “shtet ligjor”, ku e drejta të jetë fituese dhe qytetari të njihet me këto të drejta, pa iu cenuar dinjiteti dhe personaliteti, janë togfjalëshat që prej vitesh janë përsëritur dhe vazhdojnë të përsëriten nga zyrtarët e lartë të shtetit. Por, ajo çfarë ndodh në terren, është shumë larg të vërtetës. Arroganca, paaftësia, përpjekja për t’u dukur profesionist, janë shoqëruar në disa raste edhe me kryerjen e veprimeve arbitrare të disa prej punonjësve të Policisë së Shtetit, veprime këto që kanë prekur liritë e qytetarëve. Këto veprime vijnë zinxhir kur bëhet fjalë për ndalimet e shumta që u bëhen qytetarëve, veçanërisht drejtuesve të automjeteve. Një rast flagrant i shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut, ka ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet. “Policia që duam”, ka ndaluar një djalë të ri në afërsi të “Librit Universitar”. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Në shërbim në atë pikë, natën e 7 nëntorit, rreth orës 21:00, ka qenë një femër. Pasi bën verifikimin e dokumentacionit, punonjësja e policisë rrugore nuk bindet për vërtetësinë e tyre dhe reagon, duke telefonuar Drejtorinë e Policisë. Djalit të ri i jepet urdhër për të shkuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Këtu nis një tjetër betejë jo ligjore nga oficerët e policisë gjyqësore, kundër një djali të ri, i cili është treguar korrekt dhe nuk ka kundërshtuar asnjë veprim deri në momentin kur përpara i vunë një procesverbal, ku bëhej fjalë për akuzën, që sipas tyre, për veprën që ai kishte kryer dhe për arrestimin. Një “komedi” e ndërtuar brenda pak orëve në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Personazhet e kësaj “komedie”, që mbajti peng një familje për 48 orë, duke i bërë presione për të firmosur procesverbalin e arrestit, janë Oficeri i Policisë Gjyqësore Ledian Kolgjoka, punonjësi i policisë Fredi Gjokaj dhe një avokate e caktuar prej tyre me emrin Nertila Rama. Djali u akuzua se drejtonte automjetin me patentë të falsifikuar. Kështu është shkruar edhe në proces-verbal. Nga ana e tij, 26-vjeçari Ani Tego, këmbëngulte se dokumenti ishte i rregullt, madje është munduar t’i shpjegojë policisë edhe rrugën si ishte marrë, madje edhe emrat e drejtuesve të kursit që kishte përfunduar. Të veshur me rrobën e policisë, oficerët, jo vetëm që nuk kanë dëgjuar atë se çfarë ka thënë djali i ndaluar me pa të drejtë, por i kanë bërë presion të firmoste proces-verbalin, sepse nuk kishin ndërmend të rrinin gjithë natën me të. Pasi kanë hasur në refuzimin e djalit, oficerët kanë thirrur në zyrë një nga avokatet e shumta të listës kryesisht, që qëndrojnë pas “mureve” të policisë dhe janë të lidhura me oficerët. Avokatja ka qenë e papranueshme për familjarët, megjithatë ajo është përpjekur t’i mbushë mendjen djalit të firmosë, duke besuar në akuzën e ngritur nga policia. Gjithçka është zhvilluar brenda një nate. Oficerët e policisë nuk pranonin të kryenin verifikimin e patentës në sistem. Madje ata i kanë thënë djalit, se emri i tij nuk figuron fare as në gjendjen civile. Kjo është e tmerrshme. Ani Tego refuzoi të firmosë proces-verbalin, por atij iu desh të qëndronte 48 orë në polici. Lirimi i tij u bë vetëm pasi avokati Sajmir Visha, i drejtohet Z. Arben Isaraj për të mësuar të vërtetën për patentën e shtetasit Ani Tego. Nga përgjigja u vërtetua se dokumenti ishte i rregullt dhe ndodhej në sistem, por punonjësit e policisë nuk kanë marrë mundimin të bënin verifikimin. Familjarët e të dëmtuarit, këtë çështje nuk e lanë me kaq. Ata bënë ankim pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Dje iu tha për një ballafaqim, por për arsye që nuk dihen, nuk u realizua. Do t’i drejtohen me shkresë, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Ministrisë së Brendshme. Madje janë të gatshëm që, nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga institucionet tona shtetërore, atëherë do t’i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Bëhet fjalë për cenimin e lirisë, për një dëm moral dhe psikologjik, duke mos përjashtuar edhe dëmin financiar, pasi për 48 orë, 26-vjeçarit iu desh të mos ishte nën drejtimin e biznesit të tij. Nënë e bir, iu drejtuan gazetës “Telegraf” për të bërë denoncim publik për atë çfarë përjetuan familjarisht. Vunë në dispozicion gjithë dokumentacionin. Më i rëndë bëhet problemi kur kemi të bëjmë edhe me shkelje të tilla nga policia që lidhen me caktimin e avokatëve pa pëlqimin e të dëmtuarit dhe ushtrimin e presionit për të firmosur proces-verbalin e arrestimit. Avokatja e caktuar nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, jo vetëm që nuk verifikoi në sistem, nëse ishte apo jo e regjistruar patenta e të shoqëruarit, por u bë palë me policinë, e cila e akuzonte, se emri i tij nuk ndodhej as në regjistrat e gjendjes civile.