SKANDAL/ Ishulli i Nartës kthehet në vend për magazinimin e karburanteve

884
Agjencia e Kombëtare Mjedisit ka dhënë muajt e fundit tre leje mjedisore ndaj tre operatorëve të ndryshëm për të ngritur në Nartë të Vlorës impiantet e depozitimit të karburanteve.

AKM i ka dhënë lejen mjedisore kompanisë Tosk Energji për shpërndarje dhe magazinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj. Leja është dhënë për magazinimin e naftës dhe nënprodukteve te saj ne një cisternë të palëvizshme ne Nartë.

Gjithashtu leja është dhënë edhe ndaj kompanisë A&T për të njëjtat qëllime po në Nartë. A&T ka marrë lejen për magazinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në cisterna të palëvizshme.

Leja mjedisore lejon shkarkimin e naftës nga deti dhe toka, nëpërmjet anijeve ose hekurudhës.

Vis Petrol gjithashtu ka marrë leje mjedisore për magazinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në Nartë. Kompania ka leje edhe për shkarkimin e naftës në cisterna nga anijet dhe nga toka.

Narta është vendosur në hyrje të qytetit të Vlorës dhe përveç plazheve mahnitëse, qyteza njihet për trashëgiminë kulturore.

Laguna e Nartës përfaqëson një nga lagunat më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë.Laguna e Nartës dhe Zvërneci gjenden pak kilometra larg qytetit të Vlorës.

Prej vitesh Narta është në duel për tu zhvilluar si zonë industriale apo për turizëm, pasi të dyja nuk mund të rrinë bashkë. Vite më parë është zhvilluar një betejë e ashpër ndërmjet shoqatave mjedisore dhe institucioneve të qeverisë për të mos lejuar ndërtimin e Termocentralit të Vlorës i cili është në pyllin e Sodës shumë afër me Nartën.

Por duket se laguna tashmë është e detyruar të mbajë edhe depozitat e naftës, pavarësisht se ato nuk mund të jenë miqësore me mjedisin dhe zhvillimin e turizmit. /Monitor
Sigal