Skandal i radhës, sekseri i policisë kërkon 4 milion lekë për ti nxjerrë djalin nga burgu

576
Sigal

Avokati: “Shko shit lopët dhe hajde nxirre djalin nga burgu”. Kryefamiljari: Nuk kam ku t’i gjej, djali është arrestuar kot!

Duket se ashpërsimi debateve mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD, apo edhe denoncimi që media po u bën pothuajse çdo ditë rasteve të korrupsionit në organet e drejtësisë, nuk po kanë ndikimin e tyre në rehatinë e përditshme, duke mos prishur në asnjë rast pazaret dhe aferat e pista. Duket se njerëzit e drejtësisë nuk po ndalen përpara asgjëje, madje, u është rritur babëzia, duke kaluar në ekstrem. Një fakt skandaloz i denoncuar nga një fshatar nga Kryevidhi i Kavajës, tregon sa të pashpirt janë elementë të veçantë, por që i vënë njollën e zezë gjithë organit të akuzës në Durrës. Rasti është treguar ndoshta fare rastësisht, pasi fshatari kishte shumë frikë tek fliste edhe në prani të avokatit të tij, apo më mirë sekserit të bindur të prokurorit. Ngjarja e ka zanafillën në gushtin e vitit 2013, kur djali i fshatarit nga Kryevidhi N. Gj., kishte ardhur me pushime, pasi ishte emigrant në Greqi. Pikërisht ato ditë, kur ai nuk ishte çmallur mirë me prindërit, trokasin në derë 2 policë dhe e kërkojnë, duke i komunikuar akuzën nga një komshie, e cila bashkë me vajzën e saj, kishte denoncuar djaloshin 21- vjeçar, për “ngacmim seksual dhe dhunë psikologjike e fizike ndaj tyre”. Kaq kishte mjaftuar që policia të tregonte “dhëmbët” e saj, duke regjistruar denoncimin dhe duke ndaluar djaloshin emigrant që kishte mbi 2 vjet që nuk kishte ardhur pranë familjes tij. Këtu nisin edhe problemet dhe vuajtjet për familjen e fshatarit nga Kryevidhi N.Gj, 58 vjeç, i cili i tromaksur nga e papritura e cila i ka sjellë telashe, nuk po gjen drejtësi, pavarësisht se shprehej se: “djali im nuk e njeh fare denoncuesen, por ato e kanë zanat këtë punë, denoncojnë njerëz dhe pasi u marrin para tërheqin denoncimin, dhe këtu luhet loja e pistë me ne hallexhinjtë”. Vetëm pak ditë pas ndalimit të djalit të tij, pra nga gushit 2013, 58 -vjeçari N.Gj, vjen në Durrës dhe deri në muajin mars 2014, ka ndërruar 3 avokatë për mbrojtjen e djalit, duke u sorollatur me dosjen e tij nga Fakti në Apel, nga Mjekësia Ligjore tek Gjykata e Lartë, nga Ministria e Drejtësisë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit. “Kam pritur me orë dhe me ditë të takoj Hysni Burgajn, Eduart Halimin, por asnjeri nuk më afronte, kam pritur me orë dhe me ditë të takoj edhe pushtetarët e sotëm, por me mua dhe fatin e djalit tim po luajnë pingpong, ore u kam dhënë edhe lekë, por donin shumë, janë si lubi, aq sa një ditë avokati që kam tani një ish-hetues ma tha troç, shko e shit 2 lopët dhe të mbarojmë punë me prokurorin, të ndryshojmë akuzën sepse ndryshe djali dënohet me 4 vjet e gjysmë burg, unë e di që djalin e ka pa faj por nuk ke çfarë ti bësh”. Por, si ky rast i shëmtuar ka me dhjetëra çdo ditë në Durrës dhe prokuroritë e tjera të vendit, ku hallexhinjtë bëhen viktimat e sekserit që e quhet avokat, dhe që e ka detyrim ligjor pasi pajtohej, të mbrojë klientin e tij dhe jo të bëjë pazar mes palëve. Kërkesa e ish-hetuesit (që është avokat në Durrës prej 20 vitesh) për klientin e tij nga Kryevidhi për të “vajtur e shitur 2 lopët”, është antinjerëzore e turpshme, antiligjore dhe meriton diskreditim publik. N.Gj, tregoi ndoshta fare rastësisht, se familja e tij kishte humbur qetësinë, dhe i ishin shtuar hallet dhe problemet, duke shkatërruar gjithçka vetëm e vetëm nga mungesa e zbatimit të ligjit nga njerëzit e strukturave të shtetit që e kanë detyrim kushtetues të zbatojnë ligjin dhe të jenë të aftë profesionalisht. Në mungesë të tyre, ata që e pësojnë janë njerëzit e thjeshtë, pa përkrahje dhe pushtet politik dhe ekonomik, ata bëhen viktimat e “gjahtarëve” të korrupsionit, të etur vetëm për para madje duke dalë edhe jashtë natyrës njerëzore. Kjo situatë, e cila e ka degraduar sistemin e drejtësisë dhe po detyron njerëzit hallexhinj të shkojnë drejt rrënimit të tyre ekonomik , ka gjasa ta fusë vendin drejt një kolapsi social përmasat e të cilit mund të kenë kosto të pariparueshme në qoftë se shteti dhe rrjetet sociale do të qëndrojnë kaq indiferentë