Skandal/ Elbasani dhe Gramshi mbyten nga papunësia, firma punëson italianë në Banjë

663
Fakte skandaloze zbulohen çdo ditë nga kompanitë e huaja që operojnë në sektorë të ndryshëm të industrisë dhe energjitikës. Pas KURUM, duket se edhe kompania e huaj e cila ka marrë tenderin e ndërtimit të hidrocentralit të Banjës, punon duke shkelur ligjet e shtetit shqiptar. Dhe kjo e ka zanafillën qysh nga ditët e para të punimeve dhe vazhdon me largimet e shumta të punëtorëve shqiptarë, banorët e zonave rreth fshatrave të Elbasanit dhe Gramshit. Burime tepër të sigurta nga Banja i thanë “Telegraf” se “kompania e huaj ka nisur largimin masiv të punëtorëve dhe inxhinierëve shqiptarë, prerjen e papritur dhe të pa lajmëruar të kontratave të punës, dhe ka sjellë deri sot mbi 150 punëtorë dhe inxhinierë italianë, të cilët janë akomoduar në hotelet e Elbasanit, paguhen nga kompania 3-fishin e pagës që merrnim ne”. Kjo padyshim nuk është bërë pa njoftuar më parë Ministrinë e Energjitikës, pa njoftuar më parë edhe Ministrinë e Punës, duke kryer rraprezalje tek hallexhinjtë shqiptarë. Edhe vajtja e ministrit Gjiknuri 2 javë më parë, takimet e tij që nuk zgjatën më shumë se 12 minuta, kishin një domethënie. E para ishte kërkesa e llogarisë së atyre mijëra banorëve të asaj zone që u ishte premtuar “punësim dhe mirëqenie”, e dyta ishte kërkesa e llogarisë e atyre qindra punëtorëve të larguar pa asnjë paralajmërim duke i zëvendësuar ata me punëtorë italianë. Ky është një skandal. Shqipëria kurrë nuk ka vuajtur për inxhinierë ndërtimi dhe energjitike, por edhe për punëtorë të specializuar. Vetëm në Elbasan janë mbi 400 të tillë, ku gjysma e tyre kanë trokitur me qindra herë në dyert e Ministrisë Energjitikës për të gjetur një vend pune. Zona e Gramshit dhe Cërrikut ka mbi 11 mijë specialistë ndërtimi, duke nisur nga muratorët, hekurkthyesit, e duke përfunduar tek specialistët e montimeve të makinerive dhe pajisjeve. Rraprezaljet e nisura prej disa muajsh ndaj punëtorëve shqiptarë, mbetet një proces diskriminimi dhe shkelje ligjore si nga kompania e huaj, ashtu edhe nga Ministria e Energjitikës. Punëtorët e larguar pabesisht akuzojnë ministrin Gjiknuri, dhe kërkojnë nga ai marrjen e masave urgjente, nisjen e bisedimeve me drejtuesit e kompanisë së huaj, dhe rikthimin në punë. Ata shprehen se “marrja e punëtorëve nga Italia mbetet një luks për ne fukarenjtë, që jemi të papunë dhe të pashpresë, gjithë zona është e papunë, e zhytur në varfëri, asnjë premtim fushate nuk u mbajt për ne, që i dhamë votat të majtës, por edhe ai vend pune që siguruam, na humbi brenda 1 viti dhe tani shikojmë të huajt që vijnë dhe paguhen sa 2 herë rroga e ministrit sot në Banjë”. 
Historia e H/C të Banjës dje dhe sot
Hidrocentrali i Banjës e ka zanafillën e tij qysh nga viti 1986, kur asokohe me një vendim të qeverisë ‘Çarçani’ u urdhërua nisja e ndërtimit të këtij gjiganti energjitik. Asokohe vetëm nga Elbasani punonin mbi 1500 persona, duke nisur nga muratorët e saldatorët e duke përfunduar tek inxhinierët e drejtuesit. Ardhja e viteve 1990, e gjeti H/C e Banjës në proces pune të përgjysmuar, ndërkohë që ardhja e tranzicionit solli edhe rrënimin e asaj pune që ishte bërë duke shkatërruar gjithçka.Qysh nga viti 1992 deri në vitin 2005 janë hartuar dhjetëra projekte, janë ofruar dhjetëra propozime dhe iniciativa, ndërkohë që gjithçka do të vendosej në fillimin e vitit 2013, kur qeveria Berisha përzgjodhi kompaninë “Devolli Hydropower” për ndërtimin e hidrocentralit. Sipas projektit rreth 1421,39 hektarë pyje do të rrënojë H/C Banjës si rezultat i ndërtimit nga shoqëria “Devoll Hydropower” të hidrocentraleve të Banjës, Koklit dhe Moglicës, në kaskadën e lumit Devoll. Në bazë të ligjit të miratuar në Kuvend kjo sipërfaqe pyjore që ndodhet në zonat Gostimë – Koprrik, Mollas, Galigat – Strorë, Gramsh – Vinë, Vidhan – Skënderbegas, Darëzezë – Sult dhe Dushku i Bulçarit të qarkut të Elbasanit, si dhe Lavdar – Opar, Voskopojë, Lozhan dhe Moglicë të qarkut të Korçës, do të hiqen nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar dhe çregjistrohen nga kadastra kombëtare e pyjeve. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi ka përcaktuar nga drejtoria përkatëse e Shërbimit Pyjor, në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, do të bëjë çregjistrimin e saj nga kategoria “Tokë e zënë, kullotë” dhe “Tokë e zënë, pyll” dhe do ta regjistrojë në sipërfaqe ujore (liqen) dhe truall për ndërtimin e HEC-eve, në pronësi publike. Ndërkaq, shoqëria “Devoll Hydropower” brenda 3 viteve do të duhet të pyllëzojë me fondet e veta, një sipërfaqe prej 1347,8 hektarë me pyje dhe të përmirësojë një sipërfaqe prej 73,6 hektarë kullotë, në ngastrat e përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore. Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga inxhinierët e Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës. Ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri ndaj u quajt “kompleksi hidroenergjetik i Banjës”, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, që do ndërtohet mbi lumin Devoll rreth 25 km larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tija në ekologji. Ky hidrocentral i përbërë nga dy grupe veprash, i parë me syrin e ekologut cilësohet si një vepër e mirëfilltë ekologjike për arsye se përfundimi i tij do të prodhojë 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur mjedisin dhe veç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me basenin e tij do të shfrytëzohet dhe për të ujitur tokat e zhuritura nga nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me perspektivë në zhvillimin e agro-turizmit. Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50 për qind, por ndryshimet politike bënë që H/C në Banjë të mbetej peng i ndryshimit. Në vitet e tranzicionit, hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Vetëm në 2007, Ministria e Ekonomisë zhvilloi tenderin për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll. EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower kanë nënshkruar një marrëveshje koncesioni që në 2009 për projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Projektit Hidroenergjetik mbi lumin e Devollit. Ndërtimi i hidrocentraleve nisi në vitin 2013 dhe do të zgjasë 6 vite. Hidrocentrali i parë do futet në operim në vitin 2016 dhe i fundit në vitin 2019.
Sigal