Skandal, 309 nxënës bëjnë mësim në gërmadhat e ish-repartit ushtarak

637
Sigal

Drejtori i shkollës, Ani Palloshi: Situata e vështirë, asnjë kusht. Mësuesit i marrin regjistrat në shtëpi

Duket paradoks, por realitet, është pak të quhet skandal në arsim. 309 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Xhafer Hakani” në Elbasan, i drejtohen çdo ditë ish-repartit ushtarak, si të vetmen mundësi që Drejtoria Arsimore në këtë qytet u ka caktuar të bëjnë mësim. Përgjegjës për këtë paradoks është jo vetëm Drejtoria Arsimore, por dhe Bashkia e Elbasanit. Në ish-repartin ushtarak, tashmë pothuaj të kthyer në një gërmadhë, mungojnë deri në dyer e dritare, kurse për kushte të tjera për mësimdhënie nuk mund të bëhet fjalë. Në këto kushte, mësuesit e kësaj shkolle, e kanë të pamundur që të zhvillojnë mësimin. Por janë të detyruar që çdo ditë me nxënësit, shkojnë drejt ish-repartit ushtarak. Ndërsa drejtori i shkollës Ani Palloshi, thotë se, kur largohen për në shtëpi, “mësuesit i marrin regjistrat e dokumentet e tjera me vete në shtëpi”…

SITUATA

Edhe pse këto mjedise ndodhen në një gjendje skandaloze, askush deri me sot nuk ka ndërhyre për të përmirësuar kushtet, të cilat na kthejnë si në kohën e mesjetës. Tarraca që pikon, dyer e dritare të shkatërruara, mungesa e ngrohjes, kushtet skandaloze higjieno-sanitare, janë disa nga problemet që duan zgjidhje, të menjëhershme. Ndryshe, këta fëmijë rrezikojnë të pësojnë ndonjë sëmundje e rëndë. Ndërkohë, për kabinete apo palestra në këtë shkollë të improvizuar nuk mund të flitet. Interneti i shumëpërfolur si arritje, mbetet ëndërr. Çdo ditë këta fëmijë janë të detyruar të zhvillojnë mësim në këtë godinë fantazmë, ku edhe bankat për t’u ulur nuk janë të mjaftueshme e gjysma e tyre qëndron në këmbë dhe gjatë orës së mësimit. Por paradoksi më i madh është fakti se përballë kësaj godine prej 5 vitesh është ndërtuar shkolla e re po mungesa e likuidimit të firmës ndërtuese nga ana e Bashkisë ka bërë që dyert e saj të mos hapen për vogëlushët që do t’u duhet të bëjnë mësim në këto kushte skandaloze.

MËSUESIT

Gjithçka në këto gërmadha që nuk mund të quhet shkollë, i ka vënë në vështirësi mësues edhe nxënës. Jo pak janë shqetësuar dhe prindërit. E kemi bërë problem disa herë në Drejtorinë Arsimore dhe në bashki, por askush nuk afron zgjidhje apo të mbajë përgjegjësinë. Fëmijët po torturohen, mësimi bëhet me mangësi, e ne na ka ngelur që të mos i dërgojmë më fëmijët në shkollë”,- pohuan fëmijët për “Telegraf”, Ani Palloshi, drejtor i kësaj shkolle shprehet se, të gjithë regjistrat merren nga stafi pedagogjik në shtëpi, pasi kjo godinë nuk ka jo vetëm ambiente për sallën e mësuesve, por as zyrë për drejtuesit e saj.

nga  Altin Xhyraj