Sizmiologët paralajmërojnë tërmete të fuqishme

886
Sigal

Flet për “Telegraf”, Profesor Doktor Dëfrim Shkupi: Shqipëria rrezikohet nga fenomeni zinxhir i tërmeteve deri në fund të nëntorit

 Çdo 35 vjet rreziku i tërmeteve 7 ballësh është tepër i lartë

 Shqipëria rrezikohet nga efekti domino i tërmeteve deri në fund të nëntorit. Kështu ka pohuar për “Telegraf” gjeologu dhe Presidenti i AAEGG (Albanian National Group of IAEG), prof. dr. Dëfrim Shkupi. Pas tronditjes së kryeqytetit grek nga tërmeti me magnitudë 5,4 ballë, ekziston rreziku edhe për vendet fqinje, si Shqipëria apo Italia për shkak të reaksionit zinxhir. “Shqipëria është një vend i rrezikuar vazhdimisht, nga tërmetet. Por, në këtë rast, ndodh një reaksion zinxhir, ku tërmeti transferohet në zonat rreth e rrotull. Pra, mund të themi se në zonat pranë, ndodh efekti domino”, shprehet prof. dr. Shkupi. Ai konfirmoi rrezikun real të mundësisë së rënies së tërmeteve në Shqipëri për disa arsye, ku renditet: fenomeni zinxhir, pllaka nëntokësore e detit Jon, periodiciteti i tërmeteve që riciklohen në çdo 35 vjet, si edhe trajtimi mizor që i kanë bërë qytetarët shqiptarë natyrës mbitokësore, nëntokësore dhe shkatërrimit të inerteve lumore.

Shqipëria e rrezikuar ndaj tërmeteve

Ne jemi një zonë mesdhetare sizmike, që domethënë se jemi zona e Mesdheut, që është e lidhur direkt me brezin nëntokësor që shkon deri në Himalajë, Iran, Turqi, Spanjë, Greqi, Itali. Afganistan dhe Indi. Ky është një brez me sizmicitet aktiv, prandaj, në të gjithë vendet që përshkruan ky brez, rreziku i tërmeteve është i lartë. Pra, ndodhin tërmete nga shkalla të vogla deri në ato katastrofike.

A rrezikohet Shqipëria nga tërmeti i rënë në Athinë?

Prof dr. Shkupi pohon se Shqipëria është një vend i rrezikuar vazhdimisht, nga tërmetet. “Ndërsa, në këtë rast, ndodh një reaksion zinxhir, ku tërmeti transferohet në zonat rreth e rrotull. Pra, mund të themi se në zonat pranë, ndodh efekti domino. Prandaj, kujdesi i shtetit duhet të jetë shumë i madh” shprehet ai. Sipas Shkupit kjo ndodh sepse “duke qenë brenda një pllake, rreziku është pjesë e ngjarjes. Kur të vijë radha, tërmeti kalon edhe në zonën e Shqipërisë”. Ai si shumë shkencëtarë të tjerë të sizmiologjisë mendon se tërmeti mund të godasë brenda nëntorit, pasi “pllaka e detit Jon është në zhvendosje pas tërmetit që u shkaktua në Athinë. Dhe natyrisht, në zonën e Jonit, apo më gjerë priten jo një, por disa tërmete të tjerë”.

Pse ndodhin këto tërmete?

“Tani problemi është që Shqipëria, sikurse Greqia dhe Italia është një tokë e re, tokë që i përket brezit të njëjtë dhe ndodhet në buzën e takimit të pllakës së Afrikës, me pllakën e Europës. Pra, fondamenti i detit Jon dhe Adriatik nuk është pjesë e kontinentit europian, por është pjesë e kontinentit afrikan, pra është pjesë e pllakës afrikane. Kështu, pllaka afrikane hyn si pykë në det. Kjo ngjeshje e këtyre pllakave prish kohezionin e formacioneve shkëmbore dhe natyrisht, kjo prishje kur arrin një pikë kritike, çliron një energji kolosale, e cila është e barabartë me mijëra bomba atomike dhe ajo jep përçimin e saj edhe në sipërfaqe. Duke lëvizur, apo tronditur tokën dhe kjo pasohet edhe nga lëvizje të ndryshme që janë pasoja të saj, ku ndodhin lëvizje, apo rrëshqitje dherash të ndryshme” shprehet prof. Shkupi.

A parashikohen tërmetet?

Prof. dr. Shkupi shprehet se në mënyrë të përpiktë për orën dhe ditën e rënies së tërmetit, askush nuk mund të parashikojë ndonjë gjë të saktë. Por, sipas tij ka disa parametra matës: “Në çdo vend ekziston një hartë e pikave delikate me sizmologji të lartë. Dhe një broshurë e vlefshme dhe e hartuar nga eksperiencat kohore, ku tregohet se pas rënies së tërmetit në një zonë, ajo mund të përsëritet përsëri pas 6 orësh, ose të nesërmen, apo të pasnesërmen. Por, pastaj cikli i tërmetit rikthehet përsëri, pas një viti me një shkallë të vogël ballësh, apo me një shkallë rreziku të vogël. Pastaj, pas 4 vjetësh rrezikshmëria rritet në 4-5 ballë, deri sa pas 35 vjetësh, kjo rrezikshmëri shkon në 6-7 ballë” shprehet Shkupi.

35 vjet nga tërmeti i Shkodrës dhe risku i Shqipërisë nga tërmetet

 Rikthimi i ciklit të tërmeteve përbën një rrezik të madh për Shqipërinë këtë vit, duke rrezikuar që ne të përjetojmë edhe një herë tërmetin e fuqishëm me magnitudë 7 ballë të vitit 1979 me epiqendër në Shkodër. Prof. dr. Shkupi shpjegoi për lexuesit e “Telegraf” ciklin s përsëritjeve të një tërmeti. “Pas rënies së tërmetit në një zonë, ajo mund të përsëritet përsëri pas 6 orësh, ose të nesërmen, apo të pasnesërmen. Por, pastaj cikli i tërmetit rikthehet përsëri, pas një viti me një shkallë të vogël ballësh, apo me një shkallë rreziku të vogël. Pastaj, pas 4 vjetësh rrezikshmëria rritet në 4-5 ballë, deri sa pas 35 vjetësh, kjo rrezikshmëri shkon në 6-7 ballë”, shprehet ai. Por në këtë vit mbushen plot 35 vjet nga tërmeti i ’79-s me epiqendër Shkodrën. “Po dua të theksoj gjithashtu se risku i Shqipërisë është i madh, për arsye të masakrës njerëzore mbi natyrën. Këtu mjafton të përmendim lumenjtë, ku marrja e inerteve ka deformuar fare brigjet lumore. Pastaj, gërmimet pa kriter nën tokë dhe mungesa e studimeve gjeologjike për minierat. Duke e ditur që ne jemi zonë e rrezikshme sizmike, duhet t’i jepet përparësi studimeve gjeologjike, ashtu siç e ka Gjermania që brenda ekipit gjeologjik ka edhe grupin sizmik. Kjo duhet pasur parasysh, përpara se të jetë vonë. Por, këtu po ju them një deklaratë serioze: Në rast tërmeti, shtëpitë e ngritura buzë detit do të kenë pasoja katastrofike” paralajmëron Shkupi.

Tërmet në Athinë

Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë ka tronditur kryeqytetin grek Athinën. Të martën, pak pas mesnate, rreth orës 01:05 janë ndjerë lëkundje tërmeti. Epiqendra e tij ishte në jugperëndim të Prokopion në Evia, 120 km në veri të Athinës. Me të dëgjuar dridhjet, shumë njerëz dolën të trembur në rrugët e kryeqytetit, po për fat të mirë s’pati të lënduar.

Stuhi e fortë në Lezhë, përmbyten rrugët, ndërpritet energjia

Rajoni i Lezhës është përfshirë nga një stuhi mjaft e fuqishme gjatë pasdites të së martës ku reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë krijuar mjaft probleme.

Qendra e qytetit bulevardi “Gjergj Fishta” si dhe rruga hyrëse të Shëngjinit janë përmbytur plotësisht duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të qytetarëve. Probleme ka patur dhe në lagjet e qytetit, ku hyrjet e disa pallateve janë bllokuar plotësisht. Kjo situatë ka ardhur nga reshjet e dendura të shiut të cilët vazhdojnë pa ndërprerje edhe në këto momente. Kjo situatë përsëritet sa herë që të ketë reshje në Lezhë kjo për shkak të bllokimit të kanalizimeve nëntokësore, pasi nuk është ndërhyrë prej dekadash për sistemimin e tyre. Gjithashtu si pasoje e motit të keq ka patur edhe ndërprerje të energjisë elektrike herë pas herë si në fshatar ashtu edhe në qytetin e Lezhës.

 Durrës, dallgët 6 ballë

Ndërsa në Durrës si pasojë e reshjeve ka patur rrëshqitje dherash në Kodër- Vilë. Dallgët kanë shkuar deri në 6 ballë në det të hapur, ndërsa është pezulluar dalja e anijeve të peshkimit si pasojë edhe e erës së fuqishme. Gjithashtu përmbytje të pjesshme ka patur edhe në Shkozet dhe në zonën e plazhit.

 Vlorë, rrëshqitja e bunkerëve rrezikon banorët e lagjes “10 korriku”

Dhjetëra banorë në lagjen “10 korriku” të Vlorës rrezikojnë jetën për shkak të bunkerëve të ish diktaturës të vendosur në Kodër. Me nisjen e reshjeve, dherat në kodër rrëshqasin duke iu afruar banesave që ndodhen poshtë saj, së bashku me bunkerët. Kjo situatë është e njëjtë për të paktën dy vjet. Ndërkohë emergjencat civile, në varësi të prefekturës së Vlorës, pranojnë që gjendja është emergjente, por për momentin janë mjaftuar vetëm me inspektim, ndërsa ende nuk ka gjë konkrete. Me nisjen e reshjeve, banorët në lagjen 10 korriku detyrohen të bëhen më vigjilentë, me sytë nga Kodra e nga Zoti, duke e lutur që ajo të mos rrëshqasë.

Kanë mjaftuar vetëm pak orë reshje mbrëmjen e djeshme dhe rrugët e kryeqytetit janë përmbytur. Niveli i ujit në rrugë ka arritur në disa centimetra çka ka sjellë edhe probleme në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që reshjet vazhdojnë, problemet kryesore hasen në Rrugën e Kavajës dhe Rruga Bardhyl. Probleme dhe përmbytje reshjet kanë shkaktuar edhe në Lezhë, Laç, Pukë e Shkodër.