SITUATË EMERGJENTE NË RRUGËN NACIONALE SARANDË VLORË

617
Sigal

SARANDË/ Moti i keq që prej disa ditësh ka krijuar edhe në aksin rrugor të fshatit Piqeras, Komuna Lukovë në rrugën nacionale Sarandë-Vlorë, probleme emergjente. Mëngjesin e djeshëm në hyrje dhe dalje të fshatit Piqeras sipërfaqe të rrugës nacionale janë vithisur duke krijuar probleme serioze në qarkullim rrugor si në transportin e udhëtarëve ashtu edhe të mallrave. Shkatërrimi i rrugës automobilistike ka sjell edhe panik tek banorët e fshatit si dhe dëmtime në rrjetin e Ujësjellësit. Ka qenë kryeplaku i këtij fshati, Spiro Gjezo, që ka dhënë i pari alarmin e situatës dhe menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore, n/prefekti me shtabin e emergjencave, Gjergji Mano, përfaqësues të pushtetit lokal të komunës Lukovë, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Vlorë si dhe specialistë të Gjeologjisë, si dhe gazetarë të mediave të shkruara dhe vizive. Sipas përfaqësuesve të institucioneve të shtetit dhe specialistëve, situata paraqitet tepër serioze. Ky aks rrugor ka paralizuar komunikimin e linjave urbane dhe transportin e mjeteve të rënda me mallra matanë dhe përkëtej fshatit Piqeras, si ato që udhëtojnë dhe transportohen nga Vlora për në Sarandë dhe anasjelltas. Sipas burimeve të n/prefekturës reshjet e shiut që mund të bëhen prezente mund ta përkeqësojnë situatën dhe kjo i ka detyruar autoritet që tu bëjnë thirrje banorëve për evakuim. Por sipas specialistëve thuhet se kjo situatë është krijuar nga shkelja e cilësisë dhe standardeve të kërkuara gjatë rikonstruksionit të kësaj rruge. Nga shkarjet duket qartë se bazat janë hedhur mbi asfaltin ekzistues dhe më pas është hedhur asfalti rikonstrukturues i rrugës, por edhe rrjeti kullues nuk ekziston. Specialistët thonë se duhet kohë për normalizimin e situatës së krijuar në këtë aks të rrugës kombëtare Sarandë-Vlorë. Gjithashtu mund të themi se përveç vithisjes së dy akseve rrugore, ka edhe dhjetëra shembje masive dheu.