Situatë alarmante në qarkun e Elbasanit, rriten prurjet e lumenjve pas reshjeve

704
Pas reshjeve të ditëve të fundit, janë shtuar së tepërmi prurjet e përrenjve malorë si dhe ato të lumenjve Shkumbin dhe Devoll në qarkun e Elbasanit. Ndërkaq për shkak të shkrirjes së dëborës është hapur mëngjesin e sotëm një nga shkarkuesit e digës së HEC-it të Banjës për të evituar ditët e ardhshme rrezikun e përmbytjeve të zonës së Sulovës.
Gjatë javës së ardhshme parashikohen shtim të prurjesh të shumta. Në rast rritje temperaturash do fillojë shkrirja e dëborës e cila ka mbuluar pjesën më të madhe të Qarkut të Elbasanit e cila sipas parashikimeve do dyfishojë prurjet e përrenjve dhe lumenjve që përbëjnë rrezik potencial për përmbytjen e zonave përgjatë brigjeve të rrjedhës së lumenjve Shkumbin dhe Devoll.
Aktualisht pas ndërprerjes së reshjeve situata është e stabilizuar dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme. Një pjesë e akseve të rrugëve rurale janë hapur, por ende ka probleme serioze në shumicën e fshatrave të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit. Ndërsa energjia elektrike mungon ende për katër mijë abonentë të disa fshatrave.
Sigal