Sitki ÇEREKJA/ Hidratmetani, rezervë kolosale energjije për të ardhmen

725
Mund të marrim kollaj fare një copë prej “këtij akulli” e t’i vemë flakën… , do të thonim magjia e hidratit të metanit. Përse bëhet fjalë? Është një material i quajtur Clathrate Idrato. Fjala Clathrat këtu ka kuptimin: molekula e mbyllur (e burgosur, e kapsuluar) mbrenda molekulash të tjera. Clathrate idrato u zbulua në fillimet e viteve 1800 nga dy shkencëtarët Humphrey Davy e Michael Faraday. Ata po eksperimentonin përzjerjen e klorit dhe ujit të ngrirë dhe vunë re se këto përzierje ngrinin në temperatura mbi zero gradë celsius. Kohë më pas shumë shkencëtarë të tjerë, duke studiuar në këte fushë zbuluan se molekula e ujit të ngrirë në mbrendësi të saj mund të pranonte molekula më të vogla substancash të tjera, duke dhënë akullin në temperatura mbi zero gradë. Studiuan shumë molekula, që mund të kapsuloheshin kështu, duke shënuar për çdo lloj molekule temperaturën e të qenit e qendrueshme kjo përzierje. Studimet mbi gazet hidrate u intensifikuan në vitet ‘ 30, kur E.G. Hammerschmidt zbuloi se hidrati ishte shkaktar i “tapave” prej akulli, që formoheshin tek tubat e gazit natyror, sidomos të atyre në klima të ftohta. Nga fundi i viteve 60 interesi për clathratet u rrit jashtzakonisht kur “gazi i ngurtë natyral”, quajtur ndryshe Methane Hydrates (ne do e lexojmë Hidratmetan) u vërejt si element natyror i sedimenteve nën siperfaqen e depozitave gjigante të shtresave nënujore oqeanike të Siberisë. Më pas u gjetën këto hidrate edhe si shtresa gjithnjë të ngrira në jug të Alaskës etj. Kështu filloi ethshëm kërkimi i vendndodhjeve e studimi i clathrateve. Hidrati i metanit është një formë klatrati. Pra klatrati është një përzierje kimike ku molekulat e një materiali formojnë një rrjetë solide që përmbanë në mbrendësi të tij molekula të një tjetër lënde. Hidrati i metanit është një klatrat me origjinë natyrore në të cilin uji është mikpritësi i metanit. Hidrati i metanit kërkon kushte shumë të veçanta që të formohet e të qëndrojë stabël. Për këte faktorët parësor janë presioni, temperatura dhe një sasi e mjaftueshme uji dhe metani etj. Duket pra se hidratmetani është një formë shumë e përqendruar e gazit natyror. Akoma nuk dimë mirë rolin që ka luajtur hidratmetani në variacionet e temperaturës, klimës në epokat gjeologjike. Dihet mirë se metani është një gaz serrë shumë më tepër aktiv se dioksidi i karbonit (CO 2 ). Kur ulet shumë niveli i detit, p.sh. gjatë ngrirjes hidratmetani mund të bëhet faktor jo ngrirës ( antikonxhelant ) dhe të përshpejtojë ngrohjen globale. Kjo do gjendet shumë afër siperfaqes dhe një ndryshim i vogël i temperaturës do të shkaktonte një lëshim shumë të madh metani në atmosferë. Pranohet se po ndodh ngrohje globale, por jo vrullshëm. Meqë metani në formën e hidratit është 3000 herë më shumë se ai që deri tani është në atmosferën toksore, themi se ndryshimi i vogël i temperaturës do të shkaktonte një efekt të frikshëm serrë. Një rritje e nivelit të detit në zonat polare do të shkaktonte një rritje të temperaturës në depozitat e hidratmetanit e përsëri nga ndarja do shtohej sasia e metanit në atmosferë. Këtu nuk flitet për ndryshime të temperaturës ( të dhjetat e gradës ), ose nivelit të detit disa cm, por ndryshime mbi njëqind metra, ndryshime që lidhen me procese me origjinë astronomike ose gjeologjike, që do të çlironin sasi gjigande metani, e do të shkaktonin ndikime shumë tragjike në biosferën toksore shumë më tepër se mund të shkaktojë gazi CO2. Atëherë përse të mos fillojmë menjëherë shfrytëzimin e këtij metani, duke eleminuar kështu një rrezik me të vërtetë apokaliptik??! Këto probleme po studiohen me interes shumë të madh dhe me shumë kujdes. Jemi në kushtet e urisë energjitike, kur bota e industrializuar zhvillohet e zhvillohet, por rezervat e energjisë nuk janë premtuese që të mbështesin përparimin dhe ky shfrytëzim i kësaj sasije të madhe metani që na vjen nga hidratmetani do të na zgjidhë shumë probleme. Sikur të marrim në dorë një litër nga ky akull e ta bëjmë të shkrijë do të marrim 170 litra gaz metan. Më e bukura surprizë është se ky gaz metan ka natyrë biologjike: E gjithë masa biologjike në detrat e oqeanet kur ngordhin depozitohen në fund dhe dekompozohen në mungesë oksigjeni, pra dekompozimi organik në mungesë të oksigjenit prodhon metanin, që lidhet shpejt me ujin në temperatura të ulta. Kështu gjatë mijra e mijra vjetësh në fund të ujrave janë depozituar sasira kolosale metani. Nga studimet është gjetur një karakteristikë e jashtzakonëshme e thellësisë pranë Blake Ridge, e lokalizuar në platformën kontinentale atlantike të Karolinës së Veriut, një anomali në përhapjen e valëve të zërit tek sedimentet. Kjo anomali ishte në ndryshimin e përhapjes së valëve zanore. U bë një radhë vrimash për kampione dhe gjetën Clathtratin stabël. Në të gjitha platformat në botë u vërejt kjo anomali, që lidhet me prezencën e hidratmetanit. Më pas u zbulua se shkaku kryesor i anomalisë ishte akumulimi i metanit të lirë nën zonën jastëk të hidratit. Si pasojë shpërndarja e anomalisë mund të paraqisë vetëm një nënbashkësi të të gjithë zonës që përmban Clathrat-in. Nga fundi i viteve ‘ 90 u realizuan dy projekte për shfrytëzimin tregtar të metanit nxjerrë nga depozitat e clathrat – it. I pari (Mallik 3L-18C) është i vitit 1998 ( shif fig). Vrimat u hapën tek zona gjithmonë e ngrirë e deltës së lumit McKenzie në territorin veriperendim të Kanadas. Pusi i dytë u arrit nga një konsorcium japonez, lokalizuar në 3100 këmbë = 944,88 m ( 1 këmbë = 0,3048 m= 30,48 cm ) në thellësi në hapsirën detare në juglindje të Japonisë, ngjitur me një gropë të thellë të oqeanit, e njohur si ultësira e Nankai-t. Të dy puset kanë treguar praninë e një volumi të madh të hidratmetanit. Deri këtu nuk është arritur akoma prova e prodhimit të tij. Në skicën e hartës së botës më lart me njolla të kuqe janë shënuar vendet ku janë vendosur rezervat e clathrateve. Një varg pyetjesh ka të bëjë me rolin që luan hidratmetani në mjedisin natyror, kuptuar ndikimin reciprok relativ me format e jetës në fundin e oqeanit, stabilitetin e depozitimeve oqeanike, ciklin e karbonit global dhe ndryshimet që zgjasin shumë të klimës. Një grup tjetër pyetjesh ka të bëjë me rreziqet e lidhura me përdorimin e pajisjeve konvencionale që përdoren për nxjerrjen e naftës e gazit natyror që mund të mos jenë ato që duhen për nxjerrjen e Clathrateve. Mendohet se rezervat potenciale të gazit të nxjerrë kështu do të jenë 50 herë më shumë se ato të gazit natyror, një shpresë e madhe për urinë për rezerva energjije sot në botë.
Sigal