Sistem mazhoritar apo proporcional?

1662
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Duke filluar nga viti 1996 përfundimet e zgjedhjeve në Shqipëri janë kundërshtuar rregullisht nga pala humbëse. Plot njëzetedy vjet më vonë situata është po ajo. Ngrihen komisione, caktohen detyra, bëhen betime e merren angazhime po asgjë nuk ndryshon. Komisionet e ngritura për reformën zgjedhore ose dështojnë qysh në fillim ose i zvarrisin punët pambarim e sërish çdo gjë fillon nga e para. Zgjedhjet e vitit 2017 vazhdojnë të kundërshtohen nga opozita me preteksin e shitblerjes dhe manipulimit të votës. Duhet të kujtojmë se opozita i vendosi kushtet si dëshironte ( mori gjashtë ministra, disa zëvëndës ministra, drejtorë etj) po përfundimi ishte i njëjtë: votat u vodhën me paratë e drogës. Katër muaj pas zgjedhjeve të qershorit më 13.10.2017 u formua me ‘’daulle e gërnetë’’ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, që do të shqyrtonte problematikat e dala nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017. Më 14.02. 2018 ky Komision hartoi Planin e Punës që do të përfundonte aty nga qershori 2018, me gjashtë pika (personalisht jam i sigurt që asnjë nga këto pika nuk ka për tu përmbushur) ku më të rëndësishme ishin: Votimi i emigrantëve, Blerja dhe shitja e votës, Futja e teknologjive të reja, Rekomandimet e OSBE- ODHIR. Papritmas në dakordësi të plotë, me vendimin nr.102/2018, Komisioni e shtyu afatin e veprimtarisë për ta rihapur në qershor 2018. Me gjasë komisioni mund të fillojë punë ‘’seriozisht’’ me kësmet andej nga shtatori. Qershor 2017, qershor 2018 Komisioni i Posaçëm me të djathtë e të majtë ka bërë ‘’zero lekë’’ punë.  Edhe kur komisioni u mblodh ditë më parë, pa u ulur në karrige fillon sherri. Asnjë forcë politike nuk shkon të paktën me një draft të gatshëm por vetëm kundërshton ato që diskutohen. Dinë po nuk duan, dinë po nuk u intereson, dinë po e lënë gjendjen varur, që në rast se humbasin të ngrenë sërish problemin e vjedhjes e blerjes së votës, pa marrë kurrë përgjegjësi mbi vete mbi shkaqet e e vërteta të humbjes.  Por mund të ndryshojë diçka, që forcat politike deri tani janë plotësisht dakord me njëra-tjetrën dhe nuk e zenë kurrë në gojë: sistemi mazhoritar, pra i listave që është i dëshirueshëm për të dy palët. Ky sistem u jep fuqi absolute kryetarëve të partive dhe i kthen ata në diktatorë në partitë e tyre. Kjo bën që pushteti të qendërzohet në një dorë. Demokracia në fund të fundit është shpërndarja e pushteteve. Po këtu kryeministri bën gjithçka: jep leje legalizimi, punëson njerëz, zgjidh probleme të gjykatave, prokurorive e policisë, jep tendera me ligj e pa ligj, prish e ndreq çfarë të dojë, gënjen ditën me diell dhe kundërshtimi brenda qeverisë e partisë nuk ekziston. Nga ana tjetër kryetarët e partive të opozitës i kanë braktisur dhe injoruar me kohë forumet partiake. Lidhje janë vertikale dhe cicërima më e vogël, ndryshe nga kënga e gjel-kryetarit ndëshkohet. Afër partive në shumicë mblidhen turli njerëzish pa parime, servilë, të gatshëm të përshtaten me veprimet e kryetarit. Përshtatja e robëron dhe e shëmton mendjen e intelektualit. Veçanërisht të rinjtë e universiteteve në vend të jenë në vijën e parë të luftës për demokraci, përshtaten e përshtaten, shtrëmbërohen e shtrembërohen, sa as vetë nuk e dinë më, se ç’janë e ç’përfaqësojnë. Le të kujtojmë pa koment grupimin G99 (Spiropali e quajti kryetarin e vet Skënderbe!?)  apo KOP-in. Me ndonjë përjashtim u bënë shërbëtor të pushtetit. Kush mundi bëri lekë dhe u zhduk nga qarkullimi, të tjerët vazhdojnë të bëjnë lekakulon e liderit. Prandaj Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, që e ka dështimin e rradhës të sigurt, duhet të shtojë në program ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional. Dhe jo vetëm kaq. Por të vendos me ligj që zgjedhësit të kenë të drejtë t’ia heqin mandatin deputetin nëse ky nuk plotëson detyrat, që i kanë ngarkuar. Kështu vota e tyre do të ketë vlerë. Le të shkojnë politikanët e të kërkojnë votat drejtpërdrejt në popull, në zonën e caktuar, se kanë njëzet vjet që fshihen prapa listës. Vitet e fundit kanë dalë në skenë miliarderët e rinj, që paguajnë para për t’u bërë deputet, (vihen në krye të listave) me ‘’qëllimin e lartë’’ të ndihmojnë demokracinë!? E nëse populli i voton edhe kur nuk i ka parë kurrë, dakord, le t’i mbajë e t’i gëzojë! Por kohët kanë ndryshuar. Një kandidat për deputet, trafikant, me diplomë false, analfabet, hajdut e sharlatan, ose i rekomanduar nga lart si mik i kryetarit, vështirë se votohet drejtpërdrejt në zonën e caktuar. Sidoqoftë rivendosja e sistemit të pastër proporcional në zgjedhjet parlamentare do të shënojë një hap para për demokracinë shqiptare. Votuesit e të gjitha forcave politike duhet ta kërkojnë këtë. Një tufë korbash  ndjellin kob, ndjellin zi, një tufë pëllumbash sjellin mirësi, sjellin paqe. Le të shpresojmë që pëllumbat e parlamentit sepse ka ende të tillë tek-tuk, (korbi nuk bëhet kurrë pëllumb dhe korbi, korbit s’ja nxjerr sytë) do të marrin parasysh ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kthimin e tij në proporcional.