Sistem i ri ndriçimi në rrugë, Rama ‘Fund vjedhjeve të energjisë në rrjet’

58


TIRANE 
– Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në rikonstruksionin e rrugës, Prush-Gropaj të komunës Vaqar në Tiranë, ku u testua një teknologji e re për sistemin e ndriçimit, i quajtur fotovoltaikët dhe e cilësuar si për herë të parë që ky sistem i tillë përdoret në vendin tonë. Kryeministri u njoh nga afër me avantazhet e sistemit të ri, i cili është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama, ndërsa vlerësoi projektin, theksoi se me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh, e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim.

Kryeministri theksoi se ky sistem i jep fund problemit të vjedhjeve në rrjet si dhe të shpenzimeve të pushtetit vendor, dhe që sipas kryeministrit krijon një akumulim të madh borxhesh në buxhetin e njësive vendore

“E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet. Në qoftë se ne futemi me këtë teknologji, bëjmë një zgjidhje të përgjithshme dhe e transformojmë praktikisht Shqipërinë në një model, sepse edhe në Europë tani ka filluar të futet kjo teknologji dhe hyjmë në një fazë komplet të re,”  u shpreh Kryeministri.

Nga ana e tij, Benet Beci, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, tha se fotovoltaikët sigurojnë një autonomi sa i përket ndriçimit dhe se nuk ka nevojë për pagesë gjatë gjithë periudhës, duke krijuar kështu lehtësi në buxhetin e komunave

“Është hera e parë që ne po eksperimentojmë një teknologji të re të ndriçimit rrugore. Është fjala për fotovoltaikët. Kanë independencë disaditore, edhe në kohë me shi. Siguron një autonomi dhe s’ka nevojë për ndriçim dhe për pagesat që duhet të bëjë komunat, që shpeshherë janë të rënda për buxhetin e komunës. Kjo s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës dhe siguron pavarësi të plotë të ndriçimit,” u shpreh Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci.

Në Vaqar, Kryeministri  Rama u ndal edhe në fabrikën e prodhimit vendas të shtyllave të ndriçimit fotovoltaik. Duke bashkëbiseduar me drejtuesit e fabrikës, Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme një transformim përsa i përket ndriçimit në rrugët  e vendit, të cilat në më të shumtën e rasteve janë të zhytura në errësirë.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të bëjmë një transformim të madh në pjesën e ndriçimit në rrugë. U bë qesharake. Gjithandej errësirë nëpër autostrada, gjithë ato investime.” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri nënvizoi se prodhimi vendas përbën përparësi, për shkak të kostos më të ulët dhe mundësisë së mirëmbajtjes së tij.