Sindroma Rama me integrimin ose ndryshe, kur nuk kupton dhe as nuk dëgjon ata që kuptojnë

707
Dr. Ina K.Zhupa
Koordinatore kombëtare e PD 

Kryeministri nuk ka kuptuar mesa duket që shkrirja e Ministrisë së Integrimit nuk është mungesa e një emërtimi që na shqetëson. Dhe nxjerr sajesën Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme duke menduar se e zgjidhi problemin. Në fakt duke i shtuar Evropën, më shumë shkakton probleme, duke ngatërruar shtyllat e politikës së jashtme, sesa zgjidh çështjen e integrimit. Rama ngatërron prioritetet shtetërore me direktivat dhe partneritetet e politikës së jashtme. Sa për dijeni të Ramës Ministria e Punëve të Jashtme ka si Evropën, si çdo kontinentet tjetër, brenda strukturës së saj së marrëdhënieve. Ndërkohë shkrirja e ministrisë së integrimit 

1. Është mungesa e një vizioni që tashmë nuk renditet në prioritetet qeveritare. Çdo qeveri e vendeve që janë sot me statusin e vendit kandidat kanë shprehur këtë prioritet qeveritar në nivel ministror si; Turqia, Serbia, Mali i Zi dhe në nivel zv.kryeministri si Maqedonia. E vetmja, Shqipëria që në mes të procesit merr vendimin ta shkrijë ministrinë, dhe ta kalojë në nivel zv.ministri, duke treguar qartë kalimin në dorë të dytë të këtij prioriteti. 
2. Është mungesa e një autoriteti të lartë (si niveli i ministrit) që merr përsipër procesin, përfaqësimin, dhe koordinimin me ministritë e tjera një nevojë kjo e domosdoshme për integrimit. Vetë Rama, në 24 korrik 2013, kur prezantonte qeverinë e tij të re do të thoshte: “Ministria e integrimit do të marrë një rol të ri, një fuqi të re në kushtet kur bëhet ë domosdoshme që t’i japim fund një periudhe të gjatë kaosi dhe moskoordinimi mes ministrive dhe agjencive të tjera në funksion të kryerjes së gjitha detyrave që shkojnë duke u shtuar në agjendën tonë të integrimit “. Kushdo që e njeh procesin e di që koordinimi është një nga detyrat më të vështira për ta çuar procesin përpara. Ta ulësh në nivel zv.ministri do thotë ta ngadalësosh dhe mos jesh i interesuar në ecjen përpara të agjendës së integrimit. 

3. Është hedhja poshtë e fondeve dhe trajnimeve që Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion që ditën e parë të krijimit të kësaj ministrie. Janë 110 persona që punojnë në strukturën e këtij institucioni me detyra të rëndësishme për çuarjen përpara të kritereve teknike të procesit. Një ekspertizë që i shërben procesit do të shkrihet dhe do të copëtohet duke e shkatërruar ingranazhet e një njësie që po funksiononte. Ndoshta, nëse i kupton këto, është në kohë që në vend që të ndryshojë emrin e Ministrisë së Jashtme, të ndryshojë mendje dhe të lërë Ministrinë e Integrimit në funksion.
Sigal